2 perditesime
23:46

Kastrati premton ndërtimin e digave, Rahimaj thotë se këto janë ëndrra

Kryetari aktual i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka premtuar se nëse fiton edhe një mandat si kryetar do të realizojë projekte të mëdha, pëfshirë kolektorn e impiantin. Ai ka thënë se do të angazhohet edhe në ndërtimin e tri digave dhe se është punuar mjaft, ndërsa synohet të zgjidhet çështja e ujit të pijshëm në komunë.

Ai ka thënë po ashtu se fëmijët e Kamenicës në lindje do të marrin nga 200 euro, ndërsa do të kenë çerdhen pa pagesë nga mosha 3 deri në 5 vjet.

“Kemi synime të mëdha që duhet punuar, angazhimi për ndërtimin e tri digave, kemi punuar shumë mirë”, ka thënë Kastrati në Interaktiv të KTV-së.

E kandidati i LVV-së për kryetar, Kadri Rahimaj ka thënë se këto premtime të Kastratit i duken si ëndërr që nuk bëhet realitet. Ai thotë se për ndërtimin e digave e zgjidhjen e problemit të ujit duhet ndihma e nivelit qendror e atë Kastrati thotë se nuk e ka.

“Këto ngjasojnë me disa ëndrra që nuk bëhen realitet. Me premtuar ndërtim impianti, kolektor e diga. Nuk besoj se është e sinqertë. Kanë kosto të lartë e të paarritshme për një nivel komunal. Kam biseduar me ministrin Liburn Aliu, që thotë se kostoja për këto është 12 milionë euro. E Kamenica në rastin më të mirë ka 1.3 milionë euro për investime kapitale. Nëse këto projekte i përfundon dikush, atëherë vetëm LVV-ja dhe unë si kandidat. Ndërtimi i digave ka kosto të madhe. Kundërkandidati nuk mund ta kryejë pasi ka krijuar marrëdhënie armiqësore me qeverisjen aktuale. Unë jam kandidat i LVV-së dhe raportet do të vazhdojë t’i thellojë e t’i kem miqësore. Një kryetar që krijon lidhje armiqësoren me qeverinë, paditë ministra, si atë të Financave e të Arsimit, nuk besoj se e ka të lehtë qasjen në projekte”, ka thënë Rahimaj në Interaktiv.


Kastrati premton të nisë projekte në vlerë prej 50 milionë euro

Kandidati i PSD-së, njëherësh kryetari aktual i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se synon që gjatë mandatit të ardhshëm të nis projekte në vlerë për këtë komunë, në vlerë prej 50 milionë euro.

Kastrati ka thënë se këto nuk janë vetëm ëndrra por edhe ideale.

“E kam cak që mbi 50 milionë euro projekte do të fillojnë gjatë mandatit të ardhshëm. Nuk janë vetëm ëndrra. Unë në politikë konsideroj që në politikë duhet të angazhohem me ideale dhe me ëndrra që janë në të mirë të qytetarëve. Komuna e Kamenicës ka më pak se 30 kilometra qasjen në korridorin 10, që është autostrada që shkon nga Greqia për Evropë. Përparësia e Kamenicës është për prodhuesit që e synojnë tregun evropian, portin detar, transportin detar, më mirë e kanë me shku kah Prizreni, prodhuesit që e synojnë tregun evropian e kanë komunën e Kamenicës. Ne kemi investitorë që duan të prodhojnë produkte që do të shiten produktet e tij edhe në tregun e Zvicrës”, ka thënë Kastrati.

23:29

Rahimaj: Të rinjtë e Kamenicës po ikin si rrjedhojë e mungesës së vendeve të punës

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka thënë se të rinjtë po ikin prej qytetit si mungesë e vendeve të punës.

Ai ka thënë se do të angazhohet në hapjen e vendeve të punës, e po ashtu do të hapet parku teknologjik, ku do të trajnohen të rinjtë falas.

“Ne nuk do të lejojmë që investuesit të keqpërdorin në format që e kanë bërë. Si shembull një investues që ka ardhur para 10 vjetëve kanë nënshkruar kontratë me komunën e Kamenicës dhe ka thënë se do të punësohen 200 vetë e sot i ka 20 vetë të punësuar. Kamenica ka nevojë për krijim të vendeve të punës. Nëse e shohim sot pse një i ri i Kamenicës ikë, statistikat janë të frikshme, 3358 vetë janë që kanë bërë migrim ndërkombëtar e 1110 tjerë migrim kombëtar. Një i ri në Kamenicë nuk ik në mungesë të asfaltit apo sheshit, por në mungesë të vendit të punës. Do të jemi të hapur. Për të rinjtë mund të mos jetë atraktive bujqësia, por është teknologjia. Do të orientojmë forcat në aspektin teknologjik. Do të krijojmë Parkun Teknologjik, do të trajtojmë të rinjtë falas. Kam shokë që fal një trajnimi 6 mujor sot gjenerojnë të ardhura mbi 1000 euro pa pasur nevojë me migru”, ka thënë Rahimaj në Interaktiv të KTV-së.

23:18

Kastrati: Rahimaj po manipulon me reformën shkollore në Kamenicë

Kandidati i Partisë Social-Demokrate (PSD) për kryetar të Kamenicës, njëherësh kryetari aktual, Qëndron Kastrati, ka akuzuar kundërkandidatin e tij në balotazh nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Kadri Rahimaj se është i dënuar për kundërvajtje në raport me organizimin dhe pengimin e zhvillimit të procesit të fëmijëve.

Kastrati ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se Rahimaj ka aktakuzë se ka dashur ta pengojë reformën në arsim.

Sipas tij, Rahimaj ka marrë shumicën e votave në fshatrat ku është bërë reforma në arsim.

“Rahimaj është i dënuar për kundërvajtje në raport me organizimin dhe pengimin e zhvillimit të procesit të fëmijëve. Është nën hetime ka precedentë, ka aktakuzë duke dashur që të pengojë reformën në arsim. Veç disa vende janë që kanë marrë rezultat të bindshëm mbi 50%, e janë ato fshatra ku është filluar reforma. Për mua është e dhimbshme qysh manipulohet me nevojën e qytetarëve duke u premtuar punësim. Ka 5 persona që e njëjta drejtori u është zotuar. Një çështje që nuk e kuptoj se çka janë duke bërë Rahimaj dhe Bajram Mavriqi në Kamenicë, janë munduar që krejt skenën politike të mëhershme ta rikthejnë, dhe janë zotuar se do t’i kthejnë në pozita udhëheqëse dhe kanë me i kthy në komunë”, ka thënë Kastrati.

Ndërkaq, kandidati i LVV-së, Kadri Rahimaj ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 17 tetorit, ka qenë rezultati më i keq në Kosovë për ndonjë kandidat që është edhe kryetar komune.

“Konsideroj që rezultati i kundërkandidatit ka qenë rezultati më i keq i mundshëm nëse krahasoj me rezultatet e kandidatëve të tjerë që kanë qeverisur në Kosovë. Të gjithë kanë mbi 40% të rezultatit, ndërkaq kandidati i Kamenicës ka 30%”, ka thënë Rahimaj, i cili ka akuzuar Kastratin se ka në listë figura të papastra.

Ndërkaq, kësaj i është kundërpërgjigjur Kastrati i cili ka thënë se rezultati ka qenë i mirë dhe e ka mohuar se ka figura të papastra në listën e tij.

Kastrati më pas ka akuzuar Rahimajn sërish se po manipulon me reformën shkollore në Kamenicë, e po përdorë fëmijët për fushatë.

“Me rëndësi është vetëm fëmijët të kenë edukim më cilësor. Bashkëvendësi i juaj qe një vit e ke obliguar me humb mësimin, tash kur isha në takim më tregoi se vajza e tij ka qenë në klasë vetëm me dy djem. Asnjë javë nuk ka kaluar dhe vajza e tij ka filluar të qajë, ka thënë se nuk do të kthehet në klasë me dy djem. Kemi raporte zyrtare prej shkollës, se z. Rahimaj pa asnjë të drejtë, pasi nuk është as prind as nuk ka fare lidhje, shkon nëpër shkolla të fshatrave e mundohet me përdor me manipulu në raport me reformën”, ka thënë Kastrati.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, Qëndron Kastrati ka fituar më shumë se 32% ndërkaq Kadri Rahimaj ka fituar më shumë se 30% të votave.