2 perditesime
14:32

Dëshmitari i tretë: Disa prej dëshmitarëve të frikësuar i larguam nga Kosova

​Kroati Miro Jukiq dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, tha se ka pasur dëshmitarë që i kanë kontaktuar vet zyrtarët e ZPS-së, ndërsa ka shtuar se ai ka biseduar me rreth 30 dëshmitarë ndërsa në tërësi stafi ka biseduar me 200 dëshmitarë.

Kontaktet e dëshmitarëve, Jukiq ka thënë se i kanë marrë nga burimet publike në Kosovë dhe nga vet dëshmitarët me të cilët ka shtuar se më disa raste edhe janë takuar fizikisht. Ai ka shtuar se personat ishin të shqetësuar pas rrjedhjes së informatave.

“Të gjithë personat ishin shumë të shqetësuar, disa fillonin të bërtisnin në telefon, disa na thonin që mos t’i kontaktonim më, dhe reagimi i tyre kryesisht nuk ishte i mirë. Të gjithë personat që më kontaktuan mua ishin të shqetësuar dhe të tronditur. Të gjithë personat që na kontaktuan ne ishin të trembur por disa nga ata që ne i kontaktuam më vonë gjatë ushtrimit tonë thanë që nuk duan të ia dinë dhe nuk kanë frikë”, ka thënë

Sipas dëshmitarit të ZPS-së “një prej dëshmitarëve pasi kishte mësuar për publikimin e informacionit konfidencial kishte ikur nga Kosova”.

Ai ka thënë se disa prej dëshmitarëve i kanë larguar nga Kosova, sipas tij, për shkak të frikësimit të tyre.

“ZPS ndërmori shumë hapa, shamë masa në bazë të kësaj gjëje. Disave prej tyre u dhamë numra të rinj të telefonit dhe pajisje telefonike për komunikim të sigurt me ne. Përgatitem për shumë prej tyre plane për menaxhimin e riskut, gjithashtu i zhvendosëm disa prej tyre nga Kosova”, ka thënë Jukiq.

Për të marrë vendimin për zhvendosjen e tyre, Jukiq ka thënë se kanë marrë parasysh kërcënimin dhe deklaratat e dëshmitarëve.

Jukiq ka thënë se ka punuar në fushën e mbrojtjes së dëshmitarëve në Kroaci e Bosnje dhe gjashtë vjet në Tibunalin për ish-Jugosllavi, oficer për mbështetjen e dëshmitarëve dhe viktimave.

Paraprakisht, në gjykimin ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK, ka dëshmuar koordinatorja e hetimeve në ZPS, Zdenka Pumper dhe një ish-gazetari Halil Berisha.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike. /KSP

12:55

Nis dëshminë dëshmitari i tretë në rastin Gucati – Haradinaj

Dëshmitari i tretë ka filluar të dëshmojë në rastin gjyqësor në Dhomat e Specializuara kundër ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Po dëshmon Miro Jukiq, i cili punon në Zyrën e Prokurorit t Specializuar si udhëheqës i ekipit për sigurinë dhe trajtimin e dëshmitarëve.

Jukiq ka treguar se pas rrjedhjes së dokumenteve në shtator të vitit të kaluar, dokumente që u ndanë në konferencë për media nga krerët e OVL-UÇK-së, menjëherë ZPS-ja ka marrë parasysh të kontaktojë dëshmitarët e viktimat, emri i të cilëve mund të ketë dal.

“Pas rrjedhjes së informacionit më 22 shtator, morëm vesh se cilat dokumente u bënë publike. Vendosëm të shikojmë listën, të shqyrtojmë dokumentet, të identifikojmë të gjitha emrat e përfshirë në këtë rrjedhje të informacionit. Kaluam emrat një nga një, i identifikuam dëshmitarët bashkëpunues e vendosëm të thërrisnim e të informonim ata për rrjedhjen. Kishim mendim se e kishim detyrim të informonim njerëzit që kanë dhënë deklarata e bashkëpunuar me ZPS-në. E kishim detyrim të informonim se emrat e tyre janë bërë publik”, ka thënë Jukiq.

Ai ka thënë se në dokumente ka pasur emra të viktimave por edhe dëshmitarëve bashkëpunues. Ka thënë se shumica janë kontaktuar nëpërmjet numrave të telefonit, ndërsa është përdorur përkthyesi.

Jukiq ka thënë se vetë është përfshirë në këtë proces të kontaktimit. Ka thënë se ndoshta ka kontaktuar vet rreth 30 veta.

Në deklaratën me shkrim që kishte thënë Jukiq më herët, kishte treguar kontaktet që pati me dëshmitarët për t’i njoftuar për rrjedhjen e informacioneve.

Prokurori lexoi ku në deklaratë Jukiq kishte thënë se një person pasi ka mësuar se ka dal publikisht informacioni, është ndjerë i frikësuar dhe shqetësuar. Ai fillimisht nga dal nga shtëpia e pastaj është larguar nga Kosova.

Më herët kanë dëshmuar Zdenka Pumper nga ZPS-ja dhe gazetari Halil Berisha.

12:33

Avokatët mbrojtës në rastin ndaj Gucatit - Haradinajt: Dëshmia e hetueses së ZPS-së duhet të përjashtohet

Pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitares së parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, trupi gjykues ka dëgjuar parashtrimet e palëve lidhur me pranimin ose jo të deklaratave të dëshmitares si prova materiale.

Nga prokuroria është bërë përmbledhja e deklaratave të dëshmitares Zdenka Pumper, ndërsa mbrojtja ka deklaruar se dëshmia e hetueses së ZPS-së nuk duhet pranuar meqë sipas tij, vlera prodhuese është më e vogël se efekti dëmtues.

Në seancën gjyqësore ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt në Dhomat e Specializuara në Hagë, prokurorja Valeria Bolici ka ritheksuar kërkesën e ZPS-së për pranimin e disa deklaratave të dëshmitares Pumper si prova materiale.

Duke përmendur deklaratat e hetueses Pumper, prokurorja ka thënë se klasifikimi i tyre është konfidencial meqë përbëjnë referenca konkrete në lidhje me përmbajtjen e materialeve konfidenciale.

“Prova P00102 është e rëndësishme për arsyet që i përmendi dëshmitari 4841 në deklaratën e saj P89MFI, kjo është një korrespodencë që e ka marrë ZPS që përfshinë edhe fotografi të faqeve nga dokumentet nga paketat 1 dhe 4 të marra nga ZPS nga një shtëpi e mediave. Si i tillë dokumenti i mbështet faktin e shpërndarjes së informacionit konfidencial nga ana e të akuzuarave më datën 7 shtator brenda konferencës së shtypit. Dokumenti P001 dhe nota zyrtare e ZPS-së që flet për origjinën e korrespodencën konfirmojnë autenticitetin e kësaj. Autenticiteti i P00102 është trajtuar edhe nga dëshmitari 4841 gjatë dëshmisë, ZPS parashtron se këto dokumente duhet të mbeten konfidenciale meqë përmbajnë konferenca ndaj identitetit ë palëve të treta dhe mund për këtë arsye të ndikojnë në të drejtën e privatësisë si dhe të zbulojnë identitetin e pjesëtarëve të ZPS-së”, ka thënë prokurorja Bolici.

Ajo ka thënë se të gjitha faqet e nxjerra nga paketa 2, autenticiteti i tyre është vërtetuar nga dëshmitarja e që janë dokumente të marra nga OVL-UÇK më 17 shtator 2020 dhe sipas saj përbëjnë prova materiale.

Ndërsa gjykatësi Fergal. M. Gejnor ka thënë se gjyqi është publik andaj provat materiale të pranuara duhet të jenë të qasshme nga publiku.

“Gjyqi është gjyq publik, të akuzuarit kanë të drejtë të kenë një gjyq publik dhe një aspekt i gjyqit publik është që të gjitha provat materiale të pranuara të jenë të qasshme nga publiku, të disponueshme për publikun. Prandaj lidhur me redaktimet që propozoni dua të ju kujtoj që këto redaktime t’i mbani absolutisht në minimum”, ka thënë gjyqtari.

E pas përmbledhjes së deklaratave të dëshmitares Pumper, avokatët mbrojtës së Gucatit dhe Haradinajt kanë bërë parashtrimet e tyre.

Avokati i Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka thënë se dëshmia e koordinatores së hetimeve në ZPS, Zdenka Pumper nuk duhet të pranohet.

“Tërësia e dëshmisë së zonjës Pumper, qoftë me gojë, qoftë me dokumente duhet përjashtuar, nuk duhet të pranohet sipas rregullës 138 nënrregullës 1. Rregulla 13(1) parashikon se dëshmia nuk duhet të pranohet nëse vlera prodhuese është më e vogël sesa efekti dëmtues, unë do të mbështetëm në rregullën 138 në lidhje me dokumentet, në fakt baza për provueshmëri nuk është vërtetuar. Në lidhje me parashtrimin e parë zonja Pumper u thirr në emër të ZPS-së dhe dëshmoi për të përmbledhur në fakt 4 siç i quan ajo paketat 1,2,3,4, shumica e të cilave nuk janë provuar si dokumente prova materiale, trupi gjykues nuk ka qasje në to për të bërë vlerësimet e tyre, as mbrojtja gjithashtu nuk është në gjendje t’i kontrollojë pohimet e saj lidhur me përmbajtjen e këtyre dokumenteve”, ka thënë avokati Rees.

Sipas tij, me veprimin e përmbledhjes së dokumenteve, dëshmitarja Pumper ka dhënë një opinion për përmbajtjen e tyre.

Mbrojtja ka thënë se në këto rrethana, dëshmitarja nuk mund të nxjerrë konkluzione për dokumentet.

“Parashtrojmë se kur përgatitet një përmbledhje e një dokumenti të tillë nga një palë, e cila do ta përdorë, kjo nuk duhet quajtur i besueshëm kur materiali nuk është provë materiale përpara trupit gjykues, i cili mund të marrë mendim, që trupi gjykues të mbështetet me një përmbledhje të tillë dhe të nxjerrë vlerësimin e saj perceptimi i publikut do të ishte se një vendim i tillë është i pasigurt dhe këto janë fjalët e trupit gjykues të apelit në rastin e Milosheviqit, referenca gjendet në poshtëshënimin 7, parashtrimi 007, dhe ne mendojmë që kjo është situata ku gjykata e gjen vetën duke pasur dëshmi të tilla si ajo e zonjës Pumper, nuk është një vlerësim i pavarur”, ka thënë avokati Rees.

Parashtrimin e avokatit Rees e ka mbështetur në tërësi mbrojtja e Nasim Haradinajt, Toby Cadman,

Seanca gjyqësore ndaj Gucatit e Haradinaj do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës.

Pas koordinatores së hetimeve në ZPS, dëshmitares së parë Zdenka Pumper, për dy ditë ka dëshmuar Halil Berisha, ish-gazetar dhe redaktor në Gazetën Infokus, ndërsa sot vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të tretë.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike. /KSP