2 perditesime
23:24

Ilazi premton rritje të kapaciteteve për burime të ujit

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Kaçanikut, njëherësh kryetari aktual, Besim Ilazi, ka premtuar zgjidhjen e problemit të ujit në këtë komunë, duke rritur kapacitetet për burime të ujit.

Ilazi ka përmendur hapjen së shpejti të një pusi te fabrika e Gëlqeres, që ka kapacitet 10 litra në sekondë.

“Këtë vit na kanë sfiduar temperaturat e larta dhe thatësia, por fluksi i madh i bashkatdhetarëve që na kanë munguar vitin e kaluar ka bërë që ta ndrisim një shqetësim edhe në nivelin komunal për furnizim apo shtim të kapacitetet të ujit. 90% e qytetarëve janë të furnizuar me sistem të ujësjellësit, por që burimet e ujit kanë qenë të pamjaftueshme. Në këtë fillim vjeshtë kemi aktivizuar një pus që ka qenë tek fabrika Gëlqeres që ka kapacitet 10 litra në sekondë dhe është aktivizuar, dhe këtyre ditëve po shpresojmë të hapim edhe një bunar në thellësi prej 10 metrash. Pritet që brenda 10 ditëshit ose dy javëshit të hapet edhe pusi tjetër dhe aty shpresojmë të kemi një rritje të kapacitetit të burimit të ujit”, ka thënë Ilazi.

Ai ka përmendur edhe planin e tij për ndërtimin e një fabrike për trajtimin e ujit, për të cilin siç ka thënë, do të kërkojë ndihmën e nivelit qendror.

“Ne kemi paraparë edhe një Fabrikë në fshatin Dubravë, për trajtimin e ujit. Ajo ka kosto jashtëzakonisht të lartë, ne do të kërkojmë mbështetje nga niveli qendror dhe këtë e kemi paraparë me grantin e katërt që e parasheh Qeveria për komunat”, është shprehur Ilazi.

23:21

Raka: Pushteti aktual shpenzoi 78 mijë euro për “kozmetikë” në objekte, nuk zgjidhi asgjë

Kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Kaçanikut, Jeton Raka, ka thënë se pushteti aktual në këtë komunë është peng i operatorëve ekonomikë.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka përmendur kontrata të shumta të nënshkruara brenda vitit nga operatorë, ndërsa tha se nuk është zgjidhur asnjë problem i qytetarëve.

“Në qytet nuk janë vendosur gypa në gjerësi më të madhe duke e parë zhvillimin e qytetit. Kjo ka ndodhur për shkak të interesave të ngushta të kompanive me pushtetin aktual. Pushteti aktual, z. Ilazi është peng i operatorëve ekonomike, janë 4-5 kompani që pothuaj të gjitha projektet i marrin në Kaçanik. Ka operatorë që kanë marrë deri në dhjetë kontrata e më shumë brenda vitit, ka operatorë që kanë nënshkruar kontrata brenda ditës dy. Për ta nuk është prioritet qytetari, por kompania. 33 mijë euro janë shpenzuar për fasadimin e ndërtesës së madhe që quhet në Kaçanik dhe 45 mijë euro janë shpenzuar në fund të çarshisë, fasadimi i ndërtesës në çarshinë e vjetër ku është bërë vetëm ballorja. Oferta më e lirë ka qenë 31 mijë euro. 78 mijë euro janë shpenzuar dhe nuk është zgjidhur asnjë problem i qytetarit, është vetëm kozmetikë (fasadim), ndërsa qytetarët ballafaqohen me ujë të pijshëm, ndriçim, etj”, ka thënë Raka.

23:09

Koalicioni paszgjedhor i pashmangshëm për partitë në Kaçanik

Komuna e Kaçanikut do të futet në garën e balotazhit të dielën, bashkë me 20 komuna të tjera. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, dy parti në garë, janë shprehur pro koalicioneve paszgjedhore.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se koalicioni pas zgjedhjeve është i mundshëm.

“Meqë kemi qenë në hap me kërkesat e qytetarëve dhe i kemi pasur prioritet, qytetari ka ditur ta vlerësojë raundin e parë. Jam kryetari i 4 nga e njëjta parti por që edhe ekzekutivi është ndryshuar. Jemi në trend me kërkesën e qytetarëve. Meqë kemi bashkëbiseduar me të gjitha partitë, kemi kërkuar mirëkuptim, koalicioni paszgjedhor është i mundshëm sepse duam qeverisje stabile”, tha ai.

Ndërkaq, kandidati i VV-së Jeton Raka e ka quajtur të pashmangshëm një koalicion me një subjekt tjetër politik.

“Në këto ditë po angazhohemi maksimalisht të takojmë secilin qytetar. Ka një vullnet të jashtëzakonshëm për ndryshimin e pushtetit në Kaçanik. Jemi duke biseduar me qytetarët, duke iu ofruar programin. Koalicionin e kemi të pashmangshëm, paszgjedhor për shkak të numrave që i kemi në Kuvend Komunal sepse i kemi tetë ndërsa të tjerat subjekte kanë numra të tjerë, kështu e kemi të pashmangshëm”, ka thënë ai.