2 perditesime
21:17

Haskuka: Totaj në programin e tij ka pika të cilat unë i kam realizuar

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të komunës së Prizrenit, njëherësh kryetari aktual, Mytaher Haskuka, ka thënë se kundërkandidati i tij nga PDK-ja në balotazh, Shaqir Totaj, ka paraparë në programin e tij qeverisës, pika të cilat ai i ka realizuar gjatë mandatit të tij të parë në krye të këtij qyteti.

Haskuka ka përmendur këtu digjitalizimin e shkollave dhe shërbimet shëndetësore në shtëpi, për të cilat ka thënë se Totaj i ka paraparë në programin e tij mirëpo, që ai tashmë i ka bërë.

“Vetë fakti që sot nuk ka ardhur tregon se edhe në aspektin e debateve i ka humbur debatet. Nuk i din problemet e komunës së Prizrenit, nuk e di me çka jemi ballafaquar dhe çka jemi duke planifikuar. Kundërkandidati ka në programin qeverisës e tij pika të cilat ne tashmë i kemi realizuar, për shembull digjitalizimin e shkollave, ne tashmë e kemi realizuar atë. Çdo mësimdhënës në Prizren e ka paswordin, klasën e vet digjitale e cila është përdorur në kohën e pandemisë por edhe tash me 1400 video. Pastaj ne kemi japim shërbime shëndetësore në shtëpi, personave të moshuar e me sëmundje. Pastaj disa gjëra që i kemi bërë edhe në sektor tjerë i premton. Prandaj ka mbetur shumë prapa”, ka thënë Hasakuka.

20:38

Haskuka: Ndoshta LDK-ja do ta hapë derën për bashkëpunim

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga VV, Mytaher Haskuka, e sheh të mundshëm bashkëpunimin me LDK-në në këtë komunë pas garës së balotazhit së të dielës.

Haskuka në Debatin për Prizrenin në KTV ka thënë se LDK-ja është deklaruar neutrale në Prizren, dhe se koalicioni me këtë parti është më “i preferuar”.

“Kemi një marrëveshje me partitë e komuniteteve. Na duhet më shumë se 21 për ta kaluar shumicën e vendimeve. Do mundohemi, LDK ka mbetur neutrale ndoshta në këtë aspekt na hapë një derë për bashkëpunim pasi ta fitojmë kryetarin. Pas zgjedhjeve do ta bëjmë një shumicë, meqë LDK ka mbetur neutrale ne do të preferojmë LDK me partitë e komuniteteve. PDK-ja jo, tre mandate shumë skandale dhe probleme dhe mënyra si kanë qeverisur Prizrenin, prandaj nuk ka hapësirë që të bëhet një marrëveshje me të”, ka thënë ai.

Haskuka shtoi se në zgjedhjet e tetorit nuk doli fitues për shkak se shumë qytetarë nuk dolën të votojnë. Ai tha se një pjesë e fajit për këtë mund të ketë qenë shprehja dhe bindja në fitore të padiskutueshme.

“Ndoshta kemi qenë shumë të rehatshëm se do të fitojmë bindshëm dhe ndoshta i kemi kontribuuar asaj. Tash nuk dua t’i kontribuoj, nuk dua të them se çdo gjë është e sigurt sepse në Prizren ka ardhur gjithë ajo makineria e PDK-së që e dini si ka qeverisur Prizreni, shumë qytetarë kanë kujtime të këqija për atë periudhë dhe shpresoj që qytetarët të mobilizohen kundër kësaj makinerie”, theksoi Haskuka.

 

20:22

Haskuka: Totaj po i ikën ballafaqimit sepse nuk ka fakte

Kandidati për kryetar të Prizrenit nga radhët e VV-së, Mytaher Haskuka, ka thënë se kundërkandidati i tij nga PDK-ja, Shaqir Totaj, po i ikën ballafaqimit me të sepse nuk ka fakte për keqpërdorimet që Totaj pretendon se kanë ndodhur gjatë qeverisjes katërvjeçare në këtë komunë.

Haskuka këto komente i bëri në “DESKU” të KTV-së, pasi Totaj, i cili kishte konfirmuar 12 ditë më parë se do të ishte pjesë e debatit për Prizrenin në KTV dhe e rikonfirmoi përgjigjen pozitive edhe dy ditë më parë, anuloi pjesëmarrjen vetëm gjatë ditës së sotme.

“Nuk ka pasur fakte për ato që ka thënë zakonisht në emisionet ku jemi përballur. E ka parë që debatet nuk po kontribuojnë për atë, andaj i ka ikur debatit. Debatet janë të mira edhe për qytetarët, që të shohin çfarë ka ndodhur në katër vitet e kaluara dhe çfarë do të ndodhë në katër vitet e ardhshme. Por dikush po i ik ballafaqimit”, deklaroi Haskuka.

Në zgjedhjet e raundit të parë në Prizren, Mytaher Haskuka mori 23.504 vota apo 40.43 për qind, kurse Shaqir Totaj mori 18.078 vota apo 31.10 për qind. Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 14 nëntor.