Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se pala kosovare sot në Bruksel ka refuzuar të marrë pjesë në takim direkt me palën serbe për të diskutuar për Asociacionin.
Petkoviq ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e bën të pakuptimtë dialogun.
“Kurti e bën të pakuptimtë dialogun. Kur Kurti thotë se nuk mund të formojë Asociacion një etnik, a nuk është Prishtina njëetnike, a nuk është Gjakova njëetnike, a nuk është Prizreni njëetnik. Përmenda vendet ku Kurti humbi zgjedhjet. Atje nuk ka serbë. E ai flet se nuk bën të formohet Asociacioni i komunave serbe. Ai thotë se mundet që tetë kompani të ndryshme në jug të Ibrit të marrin licencë për distribuim të energjisë e nuk mund të marrin dy kompani serbe në veri. Ai po bën çdo gjë që të bëjë të pakuptimtë dialogun. Ne do të luftojmë e do të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë. Të përmbushim detyrat tona. Kemi përmbushur çdo gjë nga dialogu i Brukselit. Kur them këtë, obligim ynë është të vijmë në Bruksel e të flasim për të gjitha pyetjet, e nëse Prishtina nuk do këtë, nëse Kurti nuk do, atëherë është atëherë çështje e Bashkimit Evropian dhe e tij”, ka thënë Petkoviq, raporton Tanjug.
Sot nuk ka pasur takim trepalësh në Bruksel, pasi pala serbe ka insistuar të diskutohet për Asociacionin.
“Prishtina ka refuzuar të flasë për formimin e Asociacionin, edhe pse pala jonë në mënyrë shumë direkte insistoi në formimin e Asociacionit dhe ka paraqitur hapa konkret për formimin e tij”, ka thënë Petkoviq.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.