1 perditesime
23:25

Vitija për vaksinimin: Vetëm 15 mijë doza të para janë dhënë për 30 ditë

Kryeredaktori i gazetës “Shneta”, Bujar Vitija, ka thënë se ka rënë ndjeshëm numri i vaksinimit. Ai ka thënë se sipas një statistike që ka nxjerrë në 30 ditët e fundit janë dhënë vetëm rreth 15 mijë doza të para të vaksinës antiCOVID.

“Nga 2000 doza sa janë dhënë në 24 orët e fundit, vetëm 700 doza janë të para. Është shqetësuese. Ka rënë dukshëm numri i dozave të para në dy muajt e fundit. Prej 19 tetorit deri më sot janë rreth 15 mijë doza të para të administruara. Tregon shumë se si po ec vaksinimi. Në fund të gushtit, fillim të shtatorit, kishim rreth 15 mijë doza brenda ditës. Sot kemi rreth 15 mijë për 30 ditë. Është shifër shumë e vogël, krahasuar me gjitha vendet qoftë në rajon e Evropë. Kemi arritur rreth 42 për qind të qytetarëve me vaksinim të plotë me dy dozat. Kemi ngecur në këtë shifër qe dy muaj, kështu ka ndodhur edhe me rajon”, ka thënë Vitija në Interaktiv të KTV-së.

Vitija ka thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë sa duhet në kampanjë sensibilizimi dhe teoritë konspirative kanë fituar terren.

“Fatkeqësisht nuk është bërë sa duhet. Shifrat e ulëta e tregojnë këtë. Lajmet e rrejshme, teoritë konspirative, kanë fituar terren karshi një kampanje nga Ministria e Shëndetësisë e institucionet tjera. Rol më të mirë dhe më të madh kanë luajtur mediat sa i përket vetëdijësimit të qytetarëve. Nuk kemi një strategji të qartë, nuk kemi pasur prej fillimit strategji të qartë, si ta mposhtim këtë infodeminë gjatë pandemisë, të ruhet shëndeti i qytetarëve përmes vaksinimit”, ka thënë Vitija.

23:10

Vitija për Latifin: Mosnjohja e gjendjes së shëndetësisë, dobësi në menaxhimin e tij

Dobësi në menaxhimin e tij me shëndetësinë mund të jetë mosnjohja e gjendjes aktuale

Bujar Vitija, kryeredaktor i gazetës “Shneta” ka thënë se mosnjohja ose njohja e pakët e sistemit shëndetësor të Kosovës, do të jetë një nga dobësitë e ministrit të ri të shëndetësisë, të emëruar të hënën nga kryeministri Kurti, Rifat Latifi.

Vitija ka përmendur në “Interaktiv” të KTV-së se Latifi ka deklaruar se di për gjendjen me pandeminë në Kosovë, aq sa ka parë dhe lexuar në media.

“Mosnjohja ose njohja e pakët që e ka ndaj sistemit shëndetësor do të jetë një nga dobësitë e tij të menaxhimit. Ai tha se për gjendjen për pandeminë në Kosovë di aq sa ka lexuar në media. Pandemia si një nga sfidat kryesore që do të jetë në menaxhimin e shëndetësisë, ai fatkeqësisht nuk i ka informacionet e duhura”, ka thënë Vitija.

Sipas tij, ndonëse Latifi është një kirurg me arritje të mëdha në karrierën e tij, kjo nuk do të mjaftonte që të ketë sukses në menaxhimin e shëndetësisë në Kosovë.

Vitija ka thënë se një prej telasheve që do ta ketë ministri i ri është se do të përballet me kërkesa për rritje të pagave të punonjësve shëndetësorë, e po ashtu me procedimin e Ligjit për Pagat në Kuvend.