Në tetor në Kosovë u shënua deficit tregtar prej 355.8 milionë euro

Në tetor në Kosovë është shënuar një deficit tregtar prej 355.8 milionë euro, apo 33.3 për qind më e madhe krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, raporton Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Gjatë tetorit të vitit 2021 janë eksportuar 72.6 milionë euro, ndërsa importuar 428.5 milionë euro mallra.
Ndërkohë në tetor të vitit 2020 deficiti tregtar ishte 267 milionë euro.
“Eksporti i mallrave në muajin tetor 2021 kishte vlerën 72.6 milion Euro, ndërsa importi 428.5 milion Euro, që është një rritje prej 43.5% për eksport dhe 34.9% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020. Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26.5% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 26.4% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 11.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.9% e përbëjnë produktet minerale; 4.9% e përbëjnë produktet bimore; 2.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj. Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë: 14.2% produktet minerale; 12.9% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.5% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.7% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.4% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.3% mjetet e transportit; 7.1% produktet e industrisë kimike, etj”, thuhet nga ASK.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 22.8 milion Euro, ose rreth 31.4% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 39.7%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9.4%), Italia (6.0%), Holanda (2.7%), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 175.7 milion Euro, ose 41.0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 34.6%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.7%), Italia (6.1%), Greqia (3.6%), Sllovenia (3.6%), etj.
Në muajin tetor 2021, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 24.1 milion Euro, ose 33.2% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 19.2%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (12.2%), Maqedonia e Veriut (10.8%), Serbia (5.1%), dhe Mali i Zi (4.0%). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin tetor 2021, arritën në 90.3 milion Euro, ose 21.1% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 31.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.3%), Shqipëria (6.3%), dhe Maqedonia e Veriut (5.6%). Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 25.6 milion Euro, ose 35.3%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (20.3%), dhe Zvicra (8.4%). Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 162.3 milion Euro, ose 37.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.0%) dhe Kina (10.7%).
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.