2 perditesime
14:16

Sindikalistët i bëjnë thirrje Qeverisë: Të bisedojmë, mos na ndani nga pacientët

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë se grevës së sotme në Shëndetësi i janë përgjigjur të gjithë dhe se kjo tregon unitetin e jashtëzakonshëm.

Syla ka treguar se rastet emergjente nëpër spitale janë punuar, ndërsa fillimisht i ka kërkuar falje pacientëve.

Syla ka thënë se nuk është mirë që edhe sot, kur po mbahen greva, në Kuvend po diskutohet për Projektbuxheti për vitin 2022, e ku në të nuk është e parashikuar ndarja për Ligjin e Pagave.

“FSSHK ka marrë përkrahje të madhe edhe nga ndërkombëtarët. Kemi Federatën Sindikale Shëndetësore të Finlandës me mbi 22 mijë anëtarë, kanë shprehur solidaritetin e përkrahjen. Me e rëndësishme por edhe e dhimbshme, sot ka mbajtur mbledhje Komiteti Ekzekutiv i Sindikatave Publike Evropiane, ku ka çuar notë proteste për Qeverinë e Kosovës. Nota është paraqitur në Komisionin Evropian për Mirëqenie Sociale. Për ne sindikatat është mirë, por nuk është e e mirë për shtetin. Le të jetë ky mesazhi i fundit për Qeverinë Kurti e gjithë akterët tjerë. Të bisedojmë, mos na ndani nga pacientët, nxënësit e populli. Mos na shtini të bëjmë gjeste të tilla që nuk dëshirojmë. Por nëse keni vendosur për trazira sociale është çështja e juaja. Do ta ruajmë shtetin e Kosovës të ndërtuar me mund e gjak. Nuk ka asnjë politikë këtu, në këtë vend. Siç e shihni nëse kemi politikë brenda, nuk mund të kemi në Evropë”, tha Syla para mediave nga sheshi “Skënderbe”. “Z. Kryeministër të lutem e përgjohem mos na shtini me i desh mantelet në vazhdimësi. Lërani të punojmë, t’i shërbejmë pacientëve, kthenani dinjitetin”.

E kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj, po ashtu ka qenë prezent duke shprehur përkrahjen. Ai ka thënë se uron që të jetë greva e fundit.

“Hapini dyert e dialogut, të lëmë deklaratat ndaj sindikatave, ato i ka zgjedhur anëtarësia e dinë kush jemi. Të ulemi e të bisedojmë që të mos ketë përplasje tjera. Urojmë nga sot apo nesër të ulemi me Qeverinë. Të mos injoroj, pasi në të kundërtën do të kemi edhe protesta e greva të cilat dihet kur fillojnë por jo kur ndalen”, tha Jasharaj.

Edhe BSPK-ja ka përkrahur këtë grevë.

Ndërkohë Syla për grevën e punonjësve të shëndetësisë ka thënë se vazhdon deri sot në ora 15:00, e më pas Qeveria do të ketë kohë deri të enjten e ardhshme për të reflektuar.

Ai ka thënë se aktiviteti i sotëm ka qenë vetëm tetë orë për hir të pacientëve.

10:44

Shoqata e pacientëve shpreh shqetësimin për grevën e mjekëve

Punonjësit shëndetësorë janë futur sot në grevë të përgjithshme, me kërkesën që Projektligji për Pagat të shkojë sa më parë në Parlament dhe të fillojë së implementuari nga viti i ardhshëm.

Nëpër ambulanca specialistike janë parë pacientë duke mos qenë në gjendje të marrin shërbime shëndetësore. Ata po detyrohen të kthehen edhe pse paraprakisht kishin caktuar termine. 

Për këtë ka shprehur shqetësimin Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK).

“Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK përmes kësaj komunikate dëshiron të shprehë shqetësimin e saj për gjendjen e pacientëve pas hyrjes së stafit shëndetësor në grevë! Ne konsiderojmë se stafi shëndetësor duhet të ketë paga në përputhje me detyrat, përgjegjësitë dhe punën që bëjnë. Kjo gjë mund të arrihet vetëm përmes ndërrimit të mënyrës së pagesës, përkatësisht duke e ndarë blerësin nga ofruesi i shërbimit shëndetësor dhe duke e aplikuar pagesën për përformancë. Kjo nënkupton që të paguhet puna e mjekut dhe jo profesioni i mjekut! Forma të tjera që janë aplikuar deri më tani, por edhe rritja e pagave të stafit mjekësor në të kaluarën, nuk e kanë përmirësuar cilësinë e shërbimeve, ajo ka mbetur e njëjtë edhe 20 vjet pas luftës. Prandaj, e vetmja zgjidhje është reformimi i sistemit shëndetësor, përkatësisht implementimi i skemës së Sigurimeve Shëndetësore”, thuhet nga PRAK.

Nga PRAK ka thënë se është e papranueshme që stafi mjekësor të përdorë pacientët si “mish për top” në luftën që ata po bëjnë me Qeverinë për rritje të pagave.

“Viktimizimi i pacientëve në këtë mënyrë, është i pa drejtë kur e dijmë se ka masa të tjera që mund të përdoren, siç është psh. protesta. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se qëllimi final i një shërbimi shëndetësor është shëndeti i pacientit. Nëse Kosova ka Institucione Shëndetësore të pa licencuara si rezultat i të cilave kufizohet edhe ofrimi, përkatësisht pranimi i shërbimit shëndetësor, nëse lista e barnave esenciale nuk është duke u përmbushur, nëse 18% e pacientëve (sipas raportit të progresit për Kosovën) nuk shkojnë fare tek mjeku për shkak të pamundësisë financiare dhe 34% e tyre kanë vështirësi në marrjen e shërbimit shëndetësor, etj ... atëherë lind pyetja, a është paga problemi i parë që duhet t’i jepet zgjidhje për të përmirësuar kualitetin dhe sigurinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët?!” – thuhet nga PRAK. “Përmes kësaj komunikate, ju bëjmë thirrje përfaqësuesve sindikal që ta ndërpresin grevën dhe Qeverisë së Kosovës të reflektoj ndaj pakënaqësive të palëve dhe të përshpejtoj reformimin e sistemit shëndetësor”.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka paralajmëruar konferencë në ora 13:30. 

08:11

Punonjësit shëndetësorë sot në grevë të përgjithshme

Punonjësit shëndetësorë do të mbajnë sot grevë të përgjithshme, me kërkesën që Projektligji për Pagat të shkojë sa më parë në Parlament dhe të fillojë së implementuari nga viti i ardhshëm.

Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar javën e kaluar takim urgjent me kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifi, me qëllim që Projektligji për Pagat të hartohet në bashkëpunim me sindikatat dhe faktorë të tjerë dhe të shkojë sa më parë në Parlament.

Më herët, kreu i FSSHK-së ka thënë se greva do të jetë e përgjithshme në gjithë sektorin publik me përjashtim të Emergjencës. Ai ka paralajmëruar se grevat dhe veprimet të tjera sindikale do të jenë të vazhdueshme nëse Qeveria dhe instancat tjera relevante nuk reflektojnë, sipas tij.