3 perditesime
12:34

Dyshimi i Prokurorisë bullgare për aksidentin: Një i mbijetuar është zhdukur

Prokuroria e Bullgarisë ka mbajtur sot konferencë për media, ku ka folur për gjetjet e para në lidhje me aksidentin e së martës në këtë vend, kur një autobus plot me udhëtarë u përplas e më pas u përfshi nga zjarri.

Deri më sot, besohej se bëhej fjalë për 45 të vdekur, mirëpo Prokuroria bullgare njoftoi se në fakt janë 44 të vdekur e tetë të mbijetuar.

Zv.kryprokurori i Bullgarisë, Borislav Sarafov, tha se janë tetë të mbijetuar e shtatë prej tyre janë shtruar në spital.

Ndërkohë, zëdhënësja e Prokurorisë bullgare, Siika Mileva, tha se sipas një dëshmitari, një i mbijetuar është zhdukur.

“Kështu është matematika, kemi të dhëna se në autobus ishin 52 pasagjerë. Ne gjetëm 44 kufoma, 7 persona, 4 burra dhe 3 gra u shtruan në spital. Enigma e madhe mbetet – ku është personi i tetë? Ne punojmë sipas atij versioni, nuk duam të ngatërrojmë publikun. Mund të jetë edhe një deklaratë e papërshtatshme nga një dëshmitar okular”, tha Mileva, përcjell Alsat.

10:53

Prokuroria bullgare: Janë 44 viktima, jo 45 siç është raportuar deri më tash

Prokuroria e Bullgarisë ka bërë të ditur se bëhet fjalë për 44 viktima nga aksidenti tragjik në Bullgari, kur autobusi i “Besa Transit” u përplas me rrethojat e rrugëve e më pas u përfshi nga zjarri.

Zëvendëskryeprokurori i Bullgarisë, Borislav Sarafov, ka thënë se deri më tash është raportuar për 45 të vdekur e 7 të shpëtuar, gjë që nuk qëndron.

“Janë gjetur 44 trupa të djegur. Të mbijetuar janë 8, kurse 7 prej tyre janë shtruar në spital për trajtim”, tha ai në konferencën e sotme për media, përcjell Alsat.

Shumica e udhëtarëve që vdiqën ishin shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Ngjarja tragjike ndodhi në orët e para të së martës kur autobusi po kthehej nga Stambolli.

10:31

Të gjitha viktimat e aksidentit në Bullgari vdiqën nga asfiksia

Të gjithë 45 viktimat nga aksidenti i autobusit në autostradën “Struma” në Bullgari vdiqën nga asfiksia, e jo nga lëndimet e marra nga përplasja apo shpërthimi.

Zëvendësprokurori i Bullgarisë, Borislav Sarafov, në konferencë për media ka treguar rezultatet e autopsisë.

“Gjurmë tymi u gjetën në mushkëritë e tyre, që do të thotë se ata ishin gjallë në momentin e zjarrit”, tha Sarafov.

Sipas tij, deri më tani janë marrë në pyetje dy dëshmitarë, pasagjerë në autobus të cilët kanë qenë të zgjuar në momentin e ngjarjes.“Të dy japin informacion objektiv, të marrë në pyetje në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, deklaratat e tyre përputhen dhe ne i konsiderojmë ato absolutisht të besueshme”, tha ai, duke shtuar se bisedimet janë duke u zhvilluar aktualisht me dy pacientë të tjerë të shtruar në spital.

Aksidenti ka ndodhur të martën në autostradën “Struma” kur autobusi i transportuesit “Besa Trans” që kthehej nga Stambolli ka marrë flakë. Po vijon hetimi nga autoritetet hetimore dhe identifikimi i viktimave, i cili pritet të përfundojë pas shtatë ditësh.

Hetuesit bullgarë po ashtu i hedhin poshtë kategorikisht spekulimet se në autobusin e djegur është transportuar benzinë ose naftë, theksoi në konferencën e sotme prokurori bullgar Borislav Sarafov.

“Po përhapen informacione se në autobus po transportoheshin derivate të karburantit, benzinës dhe dizelit dhe se këto kanë qenë arsyet e zjarrit. Ai version është hetuar, por kategorikisht e hedhim poshtë si të pabazë. Tre bidon u gjetën në vend, që përmbanin vetëm mbetje vaji. Nuk ishin të mbushur dhe as të djegur. Rrjedhimisht, zjarri nuk është shkaktuar nga ata”, tha Sarafov.

Sipas zëvendëskryeprokurori Borislav Sarafov, deri tani, dyshimi më i madh është gabimi njerëzor, sinjalizim i dobët.

“Do bëhet ekspertizë nga ekspert e teknik për defektet e autobusit”, ka thënë ai./AlsatM

09:40

Autobusi që u dogj në Bullgari nuk ishte regjistruar në doganë kur e kishte kaluar kufirin

Doganierët nuk e kanë regjistruar autobusin e djegur të “Besa Trans” kur ai ka kaluar kufirin, por kanë regjistruar vetëm pasagjerët që ndodheshin në të.

Kjo është konstatuar nga kontrolli i brendshëm i Drejtorisë së Doganore.

Institucioni përkatës ka njoftuar se dy punonjësit që ishin në detyrë atë ditë do të pezullohen nga puna, ndërsa shefi i tyre do të gjobitet.

“Për automjetin me targa SK 0284 BA të transportuesit BESA Trans nga Shkupi, në periudhën prej datës 15.10.2020 deri më 11.11.2021 Drejtoria doganore ka regjistruar disa vendkalime nëpër vendkalimet kufitare: GCI Deve Bair, GCI Blace, GCI. Kafasa GCI Dellçevo, për lloje të ndryshme të transportit, përfshirë evidencën e numrit të Ekstraktit nga Licenca për kryerjen e transportit publik në komunikacionin rrugor ndërkombëtar – transport pa pagesë të udhëtarëve. Autenticiteti i këtyre dokumenteve të bashkangjitura do të kontrollohet shtesë nga transportuesi”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Doganore.

Ndërkohë kryeprokurori bullgar Ivan Geshev i shoqëruar nga hetues sot do të arrijë në Shkup për të dorëzuar personalisht kërkesë për ndihmë juridike në Prokurorinë e Maqedonisë së Veriut. Prokurorët bullgarë duhet të marrin profile të ADN-së nga të afërmit e të vdekurve në aksidentin e autobusit për t’i identifikuar viktimat e tragjedisë së 23 nëntorit që ndodhi në Bullgari./AlsatM