13 perditesime
18:24

Miratohet në parim buxheti për vitin 2022

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 66 vota për kanë miratuar në parim buxhetin për vitin 2022. Buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm është 2.7 miliardë euro.

Në seancën e sotme plenare pati mospajtime të mëdha nga ana e deputetëve të opozitës me Qeverinë për planifikimin e ndarjes së buxhetit.

Deputetët e opozitës akuzuan pushtetin se kanë bërë ndarje politike në buxhet, pasi sipas tyre, kanë penalizuar komunat ku ata udhëheqin.

17:35

Kastrati i dhuron Kurtit një xhip-lodër, ia kujton fushatën e zgjedhjeve lokale

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, ka ironizuar sot me Albin Kurtin, duke i dhuruar një veturë lodër, duke kujtuar veprimin e kryeministrit gjatë fushatës zgjedhore kur ai me veturat zyrtare po bënte fushatë për kandidatët për kryetar komunash nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, diçka që e kishte kritikuar sa kishte qenë në opozitë.

Kastrati pyeti me ironi edhe ministrin e Financave, Hekuran Murati se përse nuk ka ndarë një linjë të veçantë për naftën.

“Sa ka ndarë ai për këta xhipa të zi t’ia lëmë këtu se koha dhe arkiva na tregojnë se si ndërlidhen fjalët dhe veprimet politike me ato konkrete. Nëse hyni në YouTube ky Albini thoshte politikanët me xhipa të zi, politikanët me turpërojë etj., pastaj vazhdon ajo retorika e tij kjo është arkiva kurse koha e sotme na tregon këtë me 15 xhipa në fushë e zgjedhjeve lokale dhe kësi xhipa të policisë duke harxhuar naftë, prandaj është dashur në këtë buxhet me rezervua edhe një linjë zotëri ministër për naftën se iu duhet për zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e ardhshme dhe pa dashtë ta banalizojë, por të tregojë se me këto retorika nuk mbrohet ky buxhet”, tha ai.

Në momentin e “ndarjes së veturës-lodër”, kryeministri Kurti nuk ishte i pranishëm në seancë.

13:45

Kurti: Tash po e shohim sa ka vuajtur shteti për qeverisje që nuk abuzon

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se të hënën janë mbushur tetë muaj që ka marrë detyrën e kryeministrit, me ç’rast sipas tij janë marrë 396 vendime.

Sipas tij ekonomia e vendit asnjëherë nuk ka parë rritje me të lartë se në vitin 2021 të cilën deri në fund thotë se do ta mbyllin me 10 për qind.

“Këto si rezultat i një qeverisjeje të mirë. Vitin që po e lëmë e gjetëm me borxhe, kemi anuluar vendimin për shpronësimin e rrugës Pejë-Zahaç. Për herë të parë po e votojmë një buxhet që është tërësisht i yni. Një buxhet që ka ndarje të matura e për projekte zhvillimore. Buxhet që sigurinë, shëndetësinë e arsimin i ka prioritete. Me këtë buxhet kemi ndarë 45 milionë për t’i ndihmuar nënat lehona e për shtesat për fëmiëj. Për herë të pare kemi ndarë 10 milionë për blerjen e ambasadave. Prodhuesit vendor do t’i mbështesim me 200 milionë euro. 10 milionë i kemi ndarë për pajisje moderne për policinë dhe zjarrfikësit. 10 milionë i kemi ndarë për rezervat shtetërore. Ushtrinë e kemi prioritet madhor andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej 100 milionë eurosh. Projektligji ka edhe disa risi sa i përket menaxhimit të mirë të financave publike”, ka thënë ai.

Sipas tij, tash po e vërejnë sa ka vuajtur shteti për një qeverisje që nuk keqpërdor e nuk abuzon.

“Puna e mirë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit. Padyshim qe optimizmi dhe shpresa që kemi ne në krye të institucioneve dhe qytetarët i kontribuon edhe aspektit socioekonomik të vendit tim”, ka thënë ai.

Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në orën 15:00:

13:32

Murati: S’ka shkurtim të buxhetit, por riorientim të mjeteve

Ministri Hekuran Murati ka thënë se sa i përket investimeve në Mitrovicë kanë filluar negociatat për impiantin e ujërave të zeza.

Sipas tij, çështja e shkurtimit të buxhetit të disa ministrive për shembull në vitin aktual kanë qenë të buxhetuara 40 milionë për vaksina për të cilat Ministria e Shëndetësisë ka thënë se nuk kanë më nevojë.

Ai ka thënë se nuk ka shkurtim, po bëhet fjalë për riorientim të mjeteve.

“Këtë vit e kemi trashëguar situatën ku kemi pasur staf specializantësh që janë pranuar po nuk ka pasur mjete buxhetore të ndara për pagesat e tyre. Neve po na duhet t’i rregullojmë problemet që i kemi trashëguar nga ju. Për projektet kapitale u tha që nuk janë ndarë mjete të mjaftueshëm nga buxheti, siç është rruga Prizren-Tetovë, rrugë të tilla financohen rëndom me marrëveshje ndërkombëtare me kredi të buta në mënyrë që të fitojmë edhe grante. Sa i përket banimit social ministria e Infrastrukturës e ka paraparë atë shume që është ndarë por sapo ta përfundojë studimin e fizibilitetit e ka mbështetjen e plotë të Ministrisë së Financave”, ka thënë ai.

13:26

Lekaj: Projektbuxheti është i varfër, shfaq paaftësi menaxheriale

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka kundërshtuar Projektbuxhetin e vitit 2022.

Deputeti Pal Lekaj ka thënë se ky buxhet është i varfër.

“Ky buxhet shpërfaqë paaftësinë menaxheriale të qeverisë për të shpërndarë mjetet në bazë të nevojave të qytetarëve. Është buxhet i varfër”, ka thënë ai.

13:16

Hoti: Në Projektbuxhet politikat fiskale janë orientuar në subvencione

Deputeti Avdullah Hoti ka thënë se në projektbuxhetin e prezantuar nuk reflektohet asnjë politikë fiskale që e mundëson mbushjen e buxhetit.

Sipas tij, krejt politikat fiskale që janë prezantuar janë orientuar në subvencione.

Ai ka thënë se këto ndihmojnë biznese të vogla por jo zhvillimin ekonomik në terme afatgjate.

“Kjo bëhet vetëm nëpërmjet politikave stimuluese fiskale. Në tri vitet e ardhshme nuk ka asnjë investim madhor infrastrukturor. Në shëndetësi mjeket dhe specializantët që janë pa punë do të mbesin pa punë, pagat e mjekëve mbesin të njëjta, buxheti për barnat nuk do të rritet madje do të zvogëlohet. Nuk duket që do të nis zbatimi i sigurimeve shëndetësore. Nuk duket që as në vitin 2022 do të rritet paga minimale në 250 euro. Ligji i pagave nuk është buxhetuar. Te qeverisja lokale nuk e kam vërejtur që ka grant të katërt për komuna ndoshta edhe keni hequr dorë pasi që keni shprehur edhe vetë që vetëm 4 komuna keni arritur t’i çlironi në zgjedhjet lokale”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk ka asnjë rritje fantastike ekonomike dhe nuk ka ndodhur asnjë ndryshim i madh strukturor në ekonomi për të paramenduar rritje fantastike ekonomike.

“Tek banimi social kanë qenë 4 mijë njësi banesore as 1 te katërtën e tyre nuk mund ta realizoni me këtë buxhet që keni ndarë. Ruga Prizren-Tetovë është prezantuar me pompozitet por vetëm një buxhet i vogël për tri vitet e ardhshme është parashikuar për të. Tek buxheti i RTK-së, kjo është qasje për ta paralizuar dhe bankrotuar mediumin publik. Tek borxhi, nuk ka asnjë projekt madhor që do t’i arsyetojë 1 miliard euro borxh për tri vjetet e ardhshme. Ky buxhet nuk siguron mbushjen e buxhetit dhe ne do t’u kishim respektuar juve sikur t’i kishit reflektuar premtimet tuaja, as këtë nuk e keni bërë”, ka thënë ai.

12:59

Lushtaku: Projektbuxheti tregon se Qeveria Kurti është mashtruese

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se Projektbuxheti nuk jep mesazh që do ta përmirësojë mirëqenien e qytetarëve.

Ai ka thënë se nuk ka shifra për investim në cilësime e arsimit, nuk ka shifra për të punësuarit se do të ketë rritje të pagave, nuk ka shifra për pensionistët, invalidët e luftës dhe kategori tjera.

Sipas tij, Qeveria dhe ky buxhet jep mesazh që nuk është buxhet i zhvillimit por i mashtrimit.

“Taksapaguesve ua rrit barrën tatimore por nuk i garanton rritjen e mirëqenies së tyre. Qeveria Kurti kishte premtuar rritje të pagave, rritje të cilësisë në arsim, por asnjëra nga këto shifra nuk flet për investim në këto çështje jetike. Qeveria Kurti nuk ka planifikuar rritje të pagave për zyrtarët publikë. Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për t’i ndryshuar politikat makrofiskale. Qeveria Kurti ka premtuar se do të rritet prodhimi vendor ky premtim ka qenë mashtrim i radhës. Qytetarët i kanë ende të freskëta pamjet e rrëzimit të kamionëve me mallra serbe por në qeverinë Kurti 2, 55 për qind është rritur importi dhe në përqindje importi nga Serbia është rritur më së shumti”, ka thënë ai.

12:35

Buxheti për vitin e ardhshëm pritet të jetë 2.7 miliardë

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka paraqitur Projektligjin për ndarjet buxhetore.

Ai ka thënë se këtë vit i kanë përcjellë me kujdes treguesit ekonomik dhe sipas ASK-së brutoprodukti vendor ka shënuar një rritje rreth 10 për qind.

“Sipas vlerësimeve tona ekonomia është rritur. Projektligji për buxhetin si shifër parashihet të jetë 2.7 miliard, pra 8.7 për qind më lartë se buxheti i rishikuar i këtij viti. Borxhi publik është venë në kontroll kemi reduktim të rritjes”, ka thënë ai.

Deputeti Armend Muja ka thënë se komisioni e ka shqyrtuar projektligjin dhe i ka rekomanduar Kuvendit që të miratohet në parim.

“Ajo që është interesant nga shqyrtimi në lexim të parë vërehet që buxheti i vitit të ardhshëm është një nga buxhetet më i larta dhe më gjithëpërfshirës në historinë e Kosovës. Të hyrat buxhetore në këtë vit parashihen të jenë 2.3 miliardë euro”, ka thënë ai.

11:53

Hajdari: Derisa Kosova s’është e barabartë, s’do të pajtohemi me vendimet e CEFTA-së

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se Kosova tashmë ka dërguar kërkesë në komitetin drejtues të CEFTA-së duke kërkuar përfaqësim të barabartë si shtet.

Ajo tha se si qeveri janë të zotuar se nuk do të vazhdojnë me asnjë pajtueshmëri të vendimeve dhe aktiviteteve të CEFTA-së derisa Kosova nuk është e barabartë në përfaqësim.

“Fakti që Kosova ka nivelin më të ulët të eksporteve në rajon kjo është shenj se prodhuesit tanë dhe eskportuesit tanë me vështirësitë që përballen veçanërisht me shtetin fqinj Serbia pengesat e aplikuara nga ky vend janë kryesisht tarifore, jo tarifore dhe të tjera[…]Kosova nuk është e përfaqësues si shtet në mekanizmin CEFTA dhe kjo sjell pengesa shumë të rëndësishme sidomos që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes e deri më tani përfaqësimi I Kosovës në CEFTA përmes UNMIK-ut duke gjeneruar kosto të konsiderueshme të mos njohjes duke konsideruar edhe barriera të shumta për eksportuesit tanë dhe kompanitë tjera të Kosovës. Kemi dërguar letrën me 24 shtator tek kryesuesi të komunitetit drejtues të CEFTA-së tek ministri, Kreshnik Bekteshi nga Maqedonia e Veriut dhe kjo letër pret një përgjigje e dimë që do kemi kundërshtim nga anëtarët e vendeve CEFTA siç janë Serbia, Moldavia dhe të tjerët por ne si qeveri jemi të zotuar se nuk do të vazhdojmë me asnjë pajtueshmëri të vendimeve të CEFTA-së në vijim dhe aktiviteteve të CEFTA-së derisa Kosova nuk është e barabartë në përfaqësim”, theksoi ajo.

Këtë përgjigje, ministrja Hajdari i dha pas pyetje së parashtruar nga deputeti I LVV-së, Driton Hyseni i cili pyeti edhe për masat anti-damping ndaj produkteve serb. /KSP

11:32

Kurti: Shumë shpejt qytetarët e veriut do ta paguajnë energjinë elektrike

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka pyetur se edhe për sa kohë do t’u paguhet energjia elektrike qytetarëve në veriun e Kosovës.

Ajo ka thënë se sa ishte Lëvizja Vetëvendosje në opozitë e kanë akuzuar çdo qeveri për këtë temë.

“Kur ishit në opozitë ia linit fajin Qeverisë, tash që jeni në Qeveri fajin po e hidhni tek strukturat ilegale të Serbisë. Pse po e gjuani fajin diku tjetër a do të thotë kjo që ju me pare të shtetit jeni dorëlirë? Dhe, kur do të fillojë sistemi i faturimit për komunat veriore të Kosovës”, ka thënë ajo.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se KOSST ka vazhduar t’i mbulojë devijimet e energjisë elektrike në atë pjesë të vendit dhe Qeveria nuk e ka paguar për atë energji elektrike.

“Është e vërtetë që ne kemi qenë kritikë kur kemi qenë në opozitë prandaj edhe e kemi trashëguar këtë gjendje që na ka dëshmuar që kemi pasur të drejtë në kritikën tonë. Janë bërë shumë dakordime të pafavorshme për Kosovën në Bruksel dhe po i paguajmë pasojat tani. Në Bruksel argumentet kryesore kundër nesh janë dakordimet e pajtimet që janë bërë nga ish-qeveritë dhe unë duhet të operoj me trashëgiminë e lënë më herët. Po e bëj më të mirën të mundshme në pajtim me ligjet e kushtetushmërinë. Po mundohemi dhe sa më shpejt që mundemi do të vij dita për faturimin e rrymës për qytetarët në veri sepse kjo është diskriminim për qytetarët tjerë të këtij vendi”, ka thënë ai

11:07

Kusari-Deliut: Në emër të luftës keni abuzuar e vjedhur

Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se reagimi i deputetes Blerta Deliu ishte arsyeja pse ajo e mori fjalën.

Ajo ka thënë se si një grua në politikë është gjëja më e keqe të mos e mbrosh një grua tjetër. Ky deklarimi ndaj deklaratave të rrejshme të saj, sipas Kusari-Lilës është tërësisht parimor.

“Ajo ka thënë tekstualisht: ‘Si do të duket një takim me homologun tuaj gjerman kur në CV-në tënde shkruan se kunatin e ke të dënuar për terrorizëm në Maqedoni’. Nuk është hera e parë që Deliu-Kodra sulmon luftën përderisa këtu në Kuvend ka votuar kundër ligjit për personat e dhunuar, ka votuar për Gjykatën Speciale. Nuk e mohoj që motra e saj punon në Prokurim të Kuvendit, nuk e mohoi që vëllai i saj punon në zyrën e prokurimit në Kuvend. A janë këto vlera në emër të luftës. A janë të gjithë të punësuar. Në emër të luftës keni abuzuar keni vjedhë. Zonja Deliu fyen me deklaratën ndaj meje ‘mshele mshele mshele’. E njoh me herët kam menduar e kam mike por po e kuptoj që në momentin kur vjen interesi personal..”, ka thënë ajo.

11:00

Haradinaj: Duhet të punojmë që shtetësia shqiptare t’iu takojë të gjithëve

Deputeti Ramush Haradinaj ka thënë se në vigjilje të festës së flamurit të gjitha partitë duhet të gjejnë pozicione të përbashkëta për interes nacional.

Ai ka thënë se për këtë duhet të punojnë që shtetësia shqiptare të iu takojë të gjithëve shqiptarëve kudo në botë.

“Janë dy arsye pse e mora fjalën, e para sot është dita e falënderimeve, amerikanët bashkohen pas një viti të zhvillimeve në jetë, i uroj atyre këtë ditë. Arsyeja tjetër jemi në vigjilje të festës së flamurit, mendoj që në një periudhë si kjo ia vlen me gjet pozicione të përbashkëta pavarësisht dallimeve politike për çështjet e interesit nacional. Për çështjet Kosovë-Shqipëri duhet të bëjmë më shumë për mbrojtje të përbashkët ushtarake Kosovë-Shqipëri. Pastaj është mirë të punojmë që shtetësia shqiptare tu takojë shqiptarëve kudo në botë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se të punojnë bashkë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke me Serbinë në kufijtë ekzistues.

“Do të mund të gjenim një dakordim edhe për Ballkan të Hapur me Serbinë por kjo duhet të ndodhë pas marrëveshjes gjithëpërfshirëse”, ka thënë ai.

10:53

Deliu: Deklaratën për të dënuarin në Maqedoni ma keqpërdoret për të më linçuar

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka sqaruar, siç thotë ajo, keqkuptimin për të dënuarin në Maqedoni në një debat që ajo kishte me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë se për asnjë moment nuk e ka quajtur të dënuarin, terrorist.

Sipas saj qëllimshëm i është ndarë një pjesë e deklaratës për ta linçuar.

“Ju deputetë qytetarët e dinë mirë që ju përkas dy familjeve të mëdha patriotike që janë flijuar shumë. Si është e mundur që unë Blerta Deliu Kodra të kem një mendim të tillë ndaj UÇK-së siç kanë provuar të aludojnë disa nga ju. Ky fjalim është vetëm për të shprehur keqardhje për keqkuptimin të cilin dua ta korrektoj. Një keqinterpretim i qëllimshëm nuk mund të më dorëzoje para disa individëve që përmes shpifjeve e sulmeve kanë ushqyer propagandën kundër UÇK-së. Kjo qeveri për shkak të mungesës së rezultateve në qeverisje me keqinterpretimin e deklaratës sime deshën të shpërqendrojnë vëmendjen. Atyre djemve ndjesën më të madhe për keqinterpretimin e qëllimshëm që ju e keni bërë”, ka thënë ajo.

10:41

Galushi: Rastet ndaj komuniteteve pakicë s’marrin trajtimin e duhur institucional

Deputeti Erxhan Galushi ka thënë se është i shqetësuar lidhur me dy rastet e fundit të publikuara me komunitetet pakicë në Kosovë.

Ai ka thënë se rastet në Gjakovë dhe Prizren janë në kundërshtim me frymën kosovare.

Galushi ka deklaruar se edhe pse këto raste janë të izoluara nuk marrin trajtimin e duhur institucional.

“Pse grupe të caktuara marrin guximin për sulm racist? Sepse sado që këto raste janë të izoluara nuk marrin trajtimin e duhur institucional dhe kam frikë që këto raste do të përditësohen”, ka thënë ai.

Sipas tij, duhet të bëhet trajtimi profesional i rasteve sepse vetëm kështu ngritët vetëdija qytetare.

“Ftoj organet shtetërore të reagojnë për rastin në fjalë dhe të kërkojnë trajtimin e duhur nga organet kompetente. E ftoj avokatin e popullit që ta hap rastin për ndodhitë e fundit. I bëj thirrje bashkësisë islame nesër në ditë të xhumasë të bëj thirrje kundër racizmit”, ka thënë ai.