5 perditesime
21:19

Dugolli: Do t’i kemi edhe helikopterët brenda këtij mandati

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Enver Dugolli, ka thënë se brenda këtij mandati qeverisës, FSK-ja do të pajisjet edhe me helikopterë.

Dugolli në DESK të KOHËS ka thënë se është shtuar buxheti për ushtri. Ai ka vlerësuar se ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë punë të madhe, duke ndryshuar mënyrën e blerjes së armatimeve. Ai ka thënë se procesi i deritashëm që blerja e armatimit të bëhet nëpërmjet kompanive vendore ka qenë gabim.

“Mënyra më e mirë që edhe eliminon dyshimet është blerja shtet me shtet. Nuk po zbulojmë asgjë të re, është praktikë e ndjekur. SHBA-ja është aleati ynë kryesor. Të gjitha pajisjet e parapara me tabelën e armatimit mund të blihen. Nuk e di saktë datën se kur do të kemi helikopterë, pasi nuk është vetëm akti i blerjes së helikopterëve, por edhe duhet pajisjet përcjellës, infrastruktura dhe po ashtu përgatitja e kuadrit. Jemi në rrugë shumë të mirë, që brenda këtij mandati qeveritar të kemi edhe helikopterë e shumë pajisje të reja”, ka thënë Dugolli. “Kosova nuk ka asnjë helikopter, që duhet edhe për emergjenca. Do të duhej të kishim më tepër se një. Janë të domosdoshëm, sidomos për situatat emergjente mjekësore, në rast tërmeteve, zjarreve, evakuimeve e kështu me radhë. Është e domosdoshme të kemi helikopterë, është e paraparë me planin tranzitor gjithëpërfshirës të FSK-së. Është paraparë pak më vonë. Por me këtë dinamikë dhe me mbështetjen buxhetore, do të arrihet më shpejt se që është paraparë në fillim”.

21:11

Metushi-Krasniqi: Një numër i madh i shpenzimeve në FSK, të klasifikuara

Menaxhere e projekteve në KDI, Diana Metushi-Krasniqi, ka thënë se një numër i madh i shpenzimeve në Forcën e Sigurisë së Kosovës janë të klasifikuara.

Në Deskun e KOHËS ajo ka thënë se mungojnë edhe organet që mbikëqyrin shpenzimet.

“Është ndër sektorët e vetëm që ka pasur rritje për afërsisht 5 përqind çdo vit, megjithatë është ndër sektorët më të ndjeshëm sa i përket shpenzimit të parasë publike dhe kontrolleve financiare. Ende nuk kemi ligj që adreson blerjet e mbrojtjes, sidomos pasë parasysh që një numër mjaft i madh i këtyre shpenzimeve janë shpenzime të klasifikuara ndërsa ne nuk kemi qasje për ta parë si është bërë ai klasifikim. Kemi edhe mungesë të organeve mbikëqyrëse mbi kontrollin e këtyre shpenzimeve”.

Ajo ka thënë se me rritje të buxhetit për FSK-në, shtohen pikëpyetje të shumta për atë se si po shpenzohet paraja publike dhe “nëse blerjet janë të drejta apo jo”.

20:54

Krasniqi: Ushtrisë së Kosovës i duhet mbështetja e ndërkombëtarëve

Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projekteve në KDI, vlerëson se Forcës së Sigurisë së Kosovës i duhet shumë mbështetja e ndërkombëtareve, sidomos e vendeve aleate.

Ajo në një debat në emisionin Desku në KTV për ushtrinë e Kosovës, tha se ajo duhet të vazhdojë të forcohet.

“Pasi ne ende jemi shtet de fakto e jo de jure, na duhet bashkëpunim me ndërkombëtarët e aleatët, që na kanë mbështetur nga fillet e luftës. Është ndër të vetmet organizata rezistuese që është njohur si ushtri çlirimtare e jo si terroriste dhe kjo ka luajtur rol. Jemi ende shtet i brishtë, i vogël, patjetër na duhet mbështetja e ndërkombëtareve, jo vetëm në ushtri, derisa të fitojmë një status të njohjes së plotë e të kalojmë në një shtet de jure përtej asaj de fakto. Deri atëherë, duhet të fokusohemi që të ruajmë integritetin e këtij dikasteri, të forcojmë integritetin dhe punën e këtij dikasteri mjaft sensitiv, jo vetëm në Kosovë, por për Kosovën do të thotë shumë. Siguria është një prej elementeve kyç të ekzistencës së një shteti”, tha Metushi-Krasniqi.

 

20:41

Vrajolli: Emërimi i Jasharit u bë në bazë të meritave profesionale, jo familjes

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv në QKSS, ka thënë se emërimi i Bashkim Jasharit si komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është bërë bazuar në angazhimin e tij profesional dhe jo vetëm sepse është anëtar i familjes së komandantit legjendar Adem Jasharit.

Vrajolli ka thënë se nuk pret vështirësi nga ndonjë faktor i brendshëm apo i jashtëm që ta pengojë bashkëpunimin me Jasharin.

“Emërimi i figurave jo domosdo duhet të ketë një diskutim të gjatë me partnerë sepse duhet të jemi të vetëdijshëm që personat e emëruar duhet t’i plotësojnë kriteret që i kemi. Profili i Jasharit nuk ka qenë shumë publik sa të vlerësohet personalisht, por nëse shikohet profili i tij është i ngjashëm me ish-komandantët tjerë dhe me asnjë nga komandantët e FSK-së nuk ka pasur problem me ndërkombëtarët. Nuk duhet pritur vështirësi në bashkëpunim. Emërimi i tij është bërë në bazë të meritave të tij profesionale”, ka thënë ai.

20:31

Dugolli mohon raportimet për kalimin e pajisjeve nga FSK-ja në Polici

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Enver Dugolli, ka mohuar raportimet se automjete të blinduara, që i janë dhuruar FSK-së nga SHBA, i janë huazuar Policisë së Kosovës.

Dugolli ka thënë se Policia e Kosovës posedon automjetet e saja të blinduara, afërsisht të njëjta, pasi ka blerë ato në SHBA.

“Nuk qëndron kjo. Situata në veri s’ka pasur asgjë të bëjë me FSK-në. Ishte krejt situatë e menaxhueshme nga Policia e Kosovës. Policia e Kosovës posedon automjete të blinduara dhe posedon gati lloj të njëjtë me FSK-në. Sepse i ka blerë më herët nga Policia e Kosovës. Ka blerë automjete të blinduara nga SHBA-ja. Ju them me përgjegjësi të plotë se nuk ka pasur nevojë, e as që është shtruara dilema të involvohet FSK-ja me situatën në veri”, ka thënë Dugolli në Desk të KOHËS.

20:22

Dugolli: S'besoj se Rama është detyruar të japë dorëheqje

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, vlerëson se me Bashkim Jasharin, FSK-ja ka fituar shumë. Ai thotë se Bashkim Jashari është njeri me kredibilitet të lartë e me vlera dhe se do t’i japë shumë FSK-së.

Gjeneralmajor Jashari, nipi i komandantit legjendar Adem Jashari, është emëruar sot si komandant i FSK-së. Ai ka trashëguar në këtë detyrë Rrahman Ramën.

Sa i përket Ramës, Dugolli thotë se nuk beson se ai është detyruar të japë dorëheqje.

“Besoj se FSK-ja ka fituar shumë me Bashkim Jasharin. Në asnjë vend dhe asnjë moment nuk mund të gjeni se ka pasur presion ndaj gjenral Rrahman Ramës apo se është detyruar të japë dorëheqje. Gjeneral Rraahman Rama është ish-luftëtar, ish-komandant që ka kredibilitetin e vet. Nuk besoj se do të kishte rënë pre e ndonjë shantazhi apo ndonjë detyrimi. Përkundrazi ai ka bërë punë të mira, e ka kryer mandatin thuajse, njërin mandat të plotë 5-vjeçar. Ishte në mandatin e dytë. Vet e tha sot në prononcim se është bërë pak gjatë. Nuk shoh asgjë të keqe që ka zgjedhur të hapë rrugë, të sehkojë në detyra të reja, të tjera dhe t’i lë vend një drejtuesi të ri”, ka thënë Dugolli në Desk të KOHËS.