Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se do të kujdeset maksimalisht që trashëgimia politike dhe miqësitë e krijuara nga presidenti historik Ibrahim Rugova të kultivohen edhe më tej.
Osmani ka shkruar në ditëlindjen e ideatorit Rugova.
“Në çdo ditëlindje të tij, ne e kujtojmë atë me mallin e respektin që bijtë e bijat e vendit e tregojnë për atin themelues të shtetit të tyre. Por, e kujtojmë edhe si njeri model, skajshmërisht të butë në pamje e në komunikim, por po kaq këmbëngulës e të vendosur në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë. Ibrahim Rugova, bashkë me shumē burra e gra që dhanë gjithçka për këtë vend, e rrënjosën thellë në shpirtrat tanë këmbënguljen për ta arritur lirinë e për ta krijuar shtetin e pavarur. Përtej kësaj, ai e krijoi dhe na e la trashëgim edhe modelin e papërsëritshëm dhe të pakapërcyeshëm të politikanit humanist, unifikues i jashtëzakonshëm i popullit të vet e përafrues i madh i të tjerëve rreth vlerave të vendit të tij. Ai insistonte që për ta arritur lirinë fizike, duhej kultivuar para së gjithash lirinë e brendshme, si premisë mbi të cilën do ta realizonim lirinë për veten e për të tjerët. Ai na la trashëgim ura miqësie, të cilat i krijoi gjithandej globit, duke e vulosur përfundimisht aleancën e qëndrueshme e të përhershme të shqiptarëve me vendet demokratike. Këto, sikur dihet, i ndihmuan Kosovës që përfundimisht ta prekte ëndrrën për të jetuar e lirë, ëndërr që u bë realitet më 1999, me luftën çlirimtare të Kosovës. Si presidente e vendit do të kujdesem maksimalisht që trashëgimia e tij politike, miqësitë që i krijoi për ne, sidomos ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike anekënd botës, të ruhen e të kultivohen më tej. Kosova do t'i jetë përherë mirënjohëse këtij kolosi të dijes, të kulturës e të politikës”, ka shkruar Osmani në Facebook.
E ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është me fat se ka punuar me presidentin Rugova.
“Në ditëlindjen e tij, me të drejtë e quaj fat për mua të isha bashkëpunëtor i Presidentit Rugova, saktësisht në vitet e para të lirisë, atëherë kur kishte shumë probleme e tema pakufi. Duke kujtuar idetë, qëndrimet, vendosmërinë por edhe mbështetjen e tij në kohën kur ballafaqohesha me drejtësinë ndërkombëtare, figura e Presidentit Historik Ibrahim Rugova, mbetet përjetësisht e respektuar”, ka shkruar Haradinaj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.