2 perditesime
16:06

Osmani në Samitin për Demokraci prezanton tri zotimet e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të fjalimit të saj në Samitin për Demokraci, ka prezantuar tri zotime të shtetit të Kosovës për të forcuar demokracinë. Osmani ka thënë se Kosova do të forcojë sundimin e ligjit përmes Strategjisë Kombëtare dhe vetingut, do të forcojë rolin e gruas në shoqëri dhe do të themelohet një Këshill Presidencial për Demokraci.

“Së shpejti, Kosova do të shënojë 14 vjetorin e pavarësisë, por regjimet autoritare dhe gjenocidale i kemi luftuar për një kohë shumë më të gjatë se kaq. Demokracia është në themelet e shoqërisë sonë, ajo është e rrënjosur thellë në luftën tonë historike për liri dhe të drejtat e njeriut. Dhe, siç e parashikoi ati ynë themeltar, presidenti Rugova, Republika jonë mbështetet fuqishëm në tri shtylla: liri, pavarësi, demokraci”, ka thënë fillimisht ajo.

Teksa ka lavdëruar avancimin e demokracisë përmes zgjedhjeve të lira, lirinë e mediave e standardet më të larta të të drejtave të njeriut të vulosura në Kushtetutë, Osmani ka thënë se Demokracia s’është kurrë projekt i përfunduar.

Ajo ka renditur tri zotimet e Kosovës për të avancuar me këtë çështje:

Forcojmë sundimin e ligjit përmes zbatimit të plotë të Strategjisë Kombëtare për Sundim të Ligjit, dhe një procesi të vetingut i cili do t`i rrënjosë integritetin, paanshmërinë dhe profesionalizmin në zemër të sistemit tonë të drejtësisë. Ne zotohemi për miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të avancuar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, vendosjen e ndalimit të udhëtimit për individët e huaj të përfshirë në abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, ndalimin e financimit të qeverive të huaja për partitë politike dhe ndalimin e institucioneve publike që të përdorin teknologji të vëzhgimit nga prodhues jo të besueshëm.

Forcojmë rolin e gruas në shoqërinë tonë duke iniciuar veprime për harmonizimin e të gjitha ligjeve përkatëse me dispozitat e ligjit për barazinë gjinore, për të garantuar vendin e duhur të gruas në institucionet publike dhe rolet vendimmarrëse. Ne gjithashtu do ta miratojmë një strategji kombëtare të guximshme kundër dhunës me bazë gjinore për ta zbatuar Konventën e Stambollit, për ta frenuar këtë epidemi përmes parandalimit dhe mbrojtjes dhe duke i rritur dënimet minimale për të pasqyruar peshën e rëndë të krimeve me bazë gjinore.

Do ta themeloj një Këshill Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili do të bashkojë institucionet publike dhe shoqërinë civile për të shtyrë përpara dhe monitoruar zbatimin e zotimeve tona. Ky këshill tregon përkushtimin tonë afatgjatë për ta përmirësuar demokracinë tonë.

Në fund Osmani ka thënë se Kosova zotohet se do të punojë me të gjithë partnerët për të arritur objektivat e veta e për të kundërshtuar ndërhyrjen dhe propagandën ruse.

Osmani ka thënë se si presidente e Kosovës në vitin e ardhshëm do të organizojë një Samit Global për Gratë në Paqe dhe Siguri që thotë se do të bashkojë liderë nga e gjithë bota.

“Në betejën mes demokracisë dhe autokracisë, historia na mëson se akomodimi i autokratëve nuk funksionon kurrë. Sot është më shumë se një samit. Është zëri ynë i përbashkët që i refuzon tendencat autokratike dhe zëri ynë i përbashkët në mbrojtje të demokracisë”, ka vazhduar ajo duke përfunduar fjalimin me falënderimin për presidentin Biden në emër të “popullit më proamerikan në botë”.

14:52

Nis Samiti i Demokracisë, Biden: Demokracia po përballet me sfida të mëdha

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se demokracia po përballet “me sfida të qëndrueshme dhe alarmante” në mbarë botën.

Ai këto komente i bëri në nisjen e Samitit për Demokracinë, një samit virtual, ku po marrin pjesë liderët e 110 shteteve, përfshirë edhe Kosovën.

Sipas Bidenit, trendet e demokracisë “gjerësisht janë duke shkuar në drejtimin e gabuar”, prandaj, ai tha se “demokracia ka nevojë për kampionë”. Sipas presidentit amerikan, ripërtëritja e demokracisë kërkon "përpjekje të vazhdueshme".

“Demokracia nuk ndodh aksidentalisht. Ne duhet ta ripërtërijmë në çdo gjeneratë dhe sipas meje, kjo është çështje urgjente për të gjithë ne”, tha Biden.

Presidenti Biden thanë se autokracitë e fuqishme po tentojnë që ta zgjerojnë ndikimin e tyre në mbarë botën.

“Përmes presionit të jashtëm nga autokratët, që duan të zgjerojnë fuqinë e tyre, për ta eksportuar dhe zgjeruar ndikimin e tyre në mbarë botën dhe për të justifikuar politikat dhe praktikat e tyre represive, si mënyrë më e mirë për të adresuar sfidat e sotme. Kështu e paraqesin ata këtë gjë", tha Biden.

Ai tha se në planin e brendshëm, SHBA-ja ka nisur një sërë iniciativash për t’ua përmirësuar jetën amerikanëve, por po ashtu “ne po dyfishojmë mbështetjen tonë për demokracitë në mbarë botën”, tha Biden.

Biden bëri thirrje që bota të ngrihet në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.

“Si komunitet global për demokracinë ne duhet të ngrihemi për vlerat që na bashkojnë, ne duhet të ngrihemi për drejtësi dhe sundim të ligjit, për liri të shprehjes, liri të tubimit, liri të medias, liri të besimit dhe për të gjitha të drejtat e njeriut”, tha Biden.

Kosova në këtë samit përfaqësohet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo pritet që në këtë samit të paraqesë zotimet kryesore të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e autokracive, fuqizimit të rolit të grave në shoqëri dhe krijimin e mekanizmave për të siguruar zbatimin e zotimeve.

Samiti për Demokracinë do të mbahet gjatë dy ditëve, përmes video-lidhjeve, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Kjo ngjarje është cilësuar si demonstrim i udhëheqjes amerikane në mesin e një lufte ekzistenciale midis demokracive dhe autokracive apo diktaturave të fuqishme.

Kina dhe Rusia – dy shtete të cilat Bideni i sheh si autokracitë kryesore – nuk janë ftuar që të marrin pjesë në këtë samit, gjë që ata thonë se ka nxitur dallime ideologjike.

“Asnjë shtet nuk ka të drejtë të gjykojë peizazhin e gjerë dhe të larmishëm politik të botës përmes një mase të vetme”, shkruan muajin e kaluar, ambasadori i Rusisë, Anatoly Antonov dhe ai i Kinës, Qin Gang.

Duke e irrituar edhe më shumë Kinën, administrata Biden e ka ftuar në këtë samit Tajvanin, ishulli që udhëhiqet në mënyrë demokratike, por që Pekini e sheh si provincë kineze.

Liderët e shteteve të NATO-s, siç është Turqia dhe Hungaria nuk janë ftuar, ndërkaq udhëheqësit e Pakistanit, Filipineve dhe Brazilit janë ftuar në këtë samit.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës, janë ftuar edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ndërkaq, Bosnje e Hercegovina nuk është ftuar.

Një tjetër problem është edhe sulmi i 6 janarit ndaj Kongresit amerikan, në kohën kur po certifikohej fitorja e Bidenit ndaj presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, i cili ende vazhdon të mos i njoh rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Biden iu referua këtij sulmi, në kontekstin e demokracisë, gjatë adresimit në Kongres, disa javë më vonë.

“A mundet që demokracia jonë të tejkalojë gënjeshtrat, zemërimin, urrejtjen dhe frikën që po na ndajnë?”, pyeti Biden gjatë mbledhjes së Kongresit.

“Armiqtë e Amerikës – autokratët e botës – po vënë bast se ne nuk mund t’ia dalim”, shtoi ai.

Michael Abramowitz, president i Freedom House tha se demokracia në SHBA po lulëzon, por viteve të fundit ajo është lënduar.

“Tani për tani, ne po kalojmë nëpër një fazë në Amerikë ku është shumë e vështirë të kryhen gjërat dhe të vërtetohet se demokracia funksionon”, tha ai për AP.

Raporti i fundit vjetor i Freedom House shënoi vitin e 15 me radhë të rënies së demokracisë në botë.

“Nuk është sekret që demokracitë në mbarë botën po përballen me sfida nga kërcënimet e reja. Shtetet, në të gjitha rajonet e botës, po përballen me një shkallë të rënies së demokracisë”, tha Uzra Zeya. Nënsekretare e Shtetit për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.

Një prej temave të samitit do të jetë efektet e dëmshme të korrupsionit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se grupet që veprojnë përtej kufijve janë “stabilizues” dhe shpesh bashkëpunojnë me zyrtarë qeveritarë.

“Ne e dimë gjithashtu se krimi i organizuar, i mbështetur nga aktorët e korruptuar, mund të destabilizojë sundimin e ligjit, të përkeqësojë besimin në institucione publike dhe të dobësojë qeverisjen demokrate”, tha Blinken përmes një deklarate. /REL

09:26

Sot nis Samiti për Demokraci, Kosova 3 minuta në dispozicion, Serbia 5

Samiti i shumëpërfolur, ai për Demokraci, i organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të mbahet sot dhe nesër.

Samiti do të nis në orën 14:15 sipas kohës në Kosovë, ndërkohë që fjalimin hapës do ta mbajë presidenti Biden.

Punimet e Samitit do të zhvillohen virtualisht, e presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, do të mbajë fjalimin e saj prej orës 16:00.

Pjesëmarrës në këtë Samit janë mbi 100 shtete.

“Presidentja Osmani në fjalën e saj në këtë Samit do t'i paraqes pikat kryesore të zotimeve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e autokracive, fuqizimit të rolit të grave në shoqëri dhe krijimin e mekanizmave për të siguruar zbatimin e zotimeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës për media të Presidencës.

Sipas orarit të paraqitur nga Departamenti i Shtetit, shtetet janë të ndara në lloj panelesh. Kosova është e para në panelin e parë pas pauzës 15-minutëshe të Samitit (15:45-16:00). Paneli me pesë shtete ka gjithsej 15 minuta kohë për adresim të liderëve të tyre. Pra, secili shtet ka nga 3 minuta kohë. Në panel me Kosovën janë edhe Luksemburgu, Malta, Mali i Zi dhe Holanda. Jo të gjitha shtetet kanë kohë të barabartë. Serbia është në panelin që nis adresimin në orën 16:30 dhe në të janë tri shtete gjithsej dhe kanë 15 minuta kohë. Pra, secili shtet nga pesë minuta. Ka shtete më të fuqishme si Italia e Franca që janë në një panel vetëm dhe kanë 15 minuta së bashku.

Në fakt, ky Samit kishte shkaktuar goxha “fërkime” e akuza në vend. Kosova fillimisht nuk ishte ftuar për pjesëmarrje, e bashkë me të as Serbia. Opozita kritikuar pushtetin për këtë, duke e quajtur “dështim” dhe ”prishje me Amerikën”. Më vonë, erdhi ftesa edhe për Kosovën edhe për Serbinë.