Arbëri

Mehmet Kraja, edhe një mandat kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

 

Akademik Mehmet Kraja do të jetë në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës edhe për katër vjetët e ardhshëm. Është rizgjedhur në këtë pozitë enjten, pa kundërkandidat. Akademikja Justina Shiroka - Pula është zgjedhur nënkryetare, përderisa sekretar shkencor, anëtari korrespondent Luan Mulliqi. Kundërkandidat i Mulliqit ishte anëtari korrespondent, Bardh Rugova. 

Kësaj radhe zgjedhjet janë mbajtur në afat të rregullt ligjor dhe mandati i kryesisë është katërvjeçar. Paraprakisht Mehmet Kraja kishte marrë këtë pozitë më 3 tetor 2019. Asokohe organet e Akademisë kishin nxjerrë vendim se akademik Nexhat Daci nuk mund të vazhdonte të mbajë pozitën e kryetarit, pasi kishte mbushur 75 vjet. Më pas Akademia nuk ia doli ta zgjedhë kryetarin në një garë midis Krajës dhe Anton Berishajt. Por në tentimin tjetër, Kraja kishte prirë bindshëm me vota në raport me Isuf Krasniqin. Por kësaj radhe, Kraja nuk e kishte vështirë pasi katër seksionet e kishin propozuar atë për kryetar.