1 perditesime
19:00

Mbrojtja: Është e qartë që Gjykata nuk kishte ndërmend ta lironte Thaçin e të tjerët

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, i është drejtuar edhe një herë trupit gjykues me kërkesën për lirimin me kusht të Thaçit dhe të tjerëve që akuzohen bashkë me të. Ndërkaq u mbështet edhe nga avokatët tjerë.

Kehoe ka thënë se për shkak të situatës me COVID-19, puna e mbrojtjes po bëhet e vështirë dhe se lirimi me kusht i të akuzuarve nga Gjykata do ta bënte më të lehtë.

“Në lidhje me hetimin, kjo ka lidhje me paraburgimin e të akuzuarve. Kjo bëhet shumë problematike për një arsye shumë të thjeshtë sepse njësia e paraburgimit ka kufizuar numrin e njerëzve që shkojnë në njësinë e paraburgimit për të takuar klientin tonë, në dy vetë. Nuk mund të sjellim më shumë vetë në njësinë e paraburgimit për shkak të COVID-it, dhe kjo do të ketë ndikim shumë të madh në punën tonë derisa ecim me hetimet tona. Me lirimin e këtyre zotërinjve, me kushte, para fillimit të gjykimit ne do ishim në gjendje të vazhdonim me hetimet tona, nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës, në një forum me më shumë se dy njerëz që ulen dhe të flasin me të. Duhet të bëjmë hetimet tona siç duhet. Ne do të marrim një dosje paraprake 300 faqëshe dhe dokumente të tjera, kjo është një sasi e jashtëzakonshme pune që pritet ta bëjnë dy njerëz të vetëm. Ka disa kufizime të tjera që na pengojnë, shembull ke kohë vetëm kohë deri në 11:45 për të folur me të dhe nëse shkon pas orën 1 pasdite ke deri në 4:45. Është e pamundur të bëjmë diskutime me klientët tanë në këto kushte”, ka thënë ai.

Keohe ka kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për masat në njësinë e paragburgimit në Hagë, duke thënë se nuk do të mund t’i kryejnë hetimet në afat nëse qëndrojnë të njëjtat kushte.

“Ne do të vazhdojmë hetimet tona, pavarësisht nga masat që ka marrë prokuroria për të penguar punën e mbrojtjes. Dua të ngreh që kufizimet në mundësitë tona për të diskutuar me klientët, na kanë penguar shumë dhe një pjesë e madhe e pengesave mund të lehtësohen që me urdhrin tuaj këta të akuzuar të shkojnë në Prishtinë, të jenë me kushtet dhe kufizimet që i caktoni ju dhe ne ta bëjmë punën siç duhet. Nuk mund të jap afat se kur kryejmë hetimet tona nën këto kushte”, tha Keohe.

Kurse, avokati i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Ben Emmerson, duke mbështetur Keohen, ka thënë se mbrojtja ka apeluar vendimin për mbajtje në paraburgim të të akuzuarve pasi, shtoi Emmerson, Gjykata nuk pati ndërmend të lirojë me kusht ata.

“Jemi dakord se duhet të ketë një përfundim të fundit të gjitha shqetësimeve që janë shprehur në lidhje me besueshmërinë e garancive që ka dhënë shërbimi policor i Kosovës. Ashtu siç e tha Keohe, çfarë mund të bëjë Policia e Kosovës më shumë se kaq, ata kanë thënë se do bëjmë të gjitha gjërat që i keni kërkuar dhe kanë paraqitur bazat ligjore. Ne kemi apeluar vendimin tuaj mbi bazën e anshmërisë dhe është e qartë që kjo gjykatë nuk kishte ndërmend aspak që tu jepte lirim këtyre personave, të përkohshëm. Nëse jeni mbështetur në argumente apo gjëra që nuk janë shprehur në parashtrimet e policisë, kjo është në mospërputhje me vendimin që ka marrë Gjykata e Apelit që u urdhëroi ju të pyesnit ata në lidhje me çdo gjë që nuk kishit të qartë. Duhet të jetë e qartë që Policia e Kosovës është pyetur nga ju në hollësi dhe ata kanë dhënë përgjigje të hollësishme dhe duket që gjërat që janë bërë jashtë sallës së gjyqit ishin të padobishme që në fillim sepse të gjitha përgjigjet e pyetjeve që ua dhanë, nuk patën ndonjë dobi”, ka thënë Emmerson.

Ndërkaq,  gjykatësi ka thënë se ka vendosur që konferenca e radhës për ecurinë e çështjes të mbahet më 4 shtator 2022.

16:35

Thaçit i vazhdohet paraburgimi, mbrojtja kërkon seancë publike për të dëgjuar arsyet

Mbrojta e Hashim Thaçit ka kërkuar seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet për mbajtjen në paraburgim të Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Avokati kryesor në ekipin e ish-presidentit të Kosovës, Gregory Kehoe ka thënë se Prokuroria po bënë komente të maskuara duke përmendur konfidencialitetin dhe duke thënë se Policisë nuk mund t’i besohet lidhur me garancinë se katër të akuzuarit do të respektojnë kushtet e vendosura nga gjykata.

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes që po mbahet në Dhomat e Specializuara në Hagë, avokati Kehoe ka thënë se rezervat e Prokurorisë mbi Policinë e Kosovës duhet të dëgjohen në debat publik.

“Unë e kuptoj që i nderuari gjykatës ka marrë sot vendim për mbajtjen në paraburgim e kjo çështje do të apelohet”, ka thënë Kehoe. “Kjo procedurë duhet të trajtohet në seancë të hapur, në debat të hapur këtu në gjykatë në mënyrë që të dëgjojmë se cilat janë rezervat që ka Prokuroria mbi Policinë e Kosovës apo çdo etnitet tjetër, prandaj ne kërkojmë seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet përse këta zotërinjtë mbahen në burg ndërkohë që ka një vit që presin gjykimin, ata mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të respektojnë kushtet e vendosura. Të mos vazhdohet me këto komente të maskuara të Prokurorisë lidhur me konfidencialitetin apo se Policisë së Kosovës nuk mund t’i zihet besë”, ka thënë mbrojtja e Thaçit.

Ai ka insistuar që e gjithë kjo të diskutohet në seancë dëgjimore publike.

“Unë nuk ju kërkoj të ndryshoni urdhrin që keni lëshuar por unë ju kërkoj që të flasim për udhëzime të mëtutjeshme, asnjë shqiptar nga Kosova nuk është liruar nga kjo gjykatë, nga një gjykatë e mëparshme janë liruar edhe serbë edhe shqiptarë por në këtë gjykatë jo, gjatë procedurës paraprake, pse, nuk paska asnjë kusht që do të garantonte që këta individë të paraqiteshin në gjykatë në momentin e duhur, të respektonin kufizimet e vendosura nga ju i nderuari gjykatës”, ka thënë avokati Kehoe.

Kehoe ka thënë se përmes seancës dëgjimore publike, gjykatësi i procedurës paraprake do të mund të bindej nëse ka apo jo masa mbrojtëse për të siguruar që Thaçi dhe të tjerët do të respektojnë kushtet e vendosura nga ai dhe se do të dalin para gjykatës sapo të urdhërohen.

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes po merr pjesë edhe prokurori i specializuar Jack Smith, ndërsa të akuzuarit po e përcjellin seancën parmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Kransiqi po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020. Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm./ KSP


Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kritikon ZPS-në për nxjerrjen e materialeve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po akuzohen për kinse krime lufte. Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve ka kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar se nuk po i respekton afatet për nxjerrje të materialeve. Avokatët kanë ngritur shqetësim edhe lidhur me problemin teknik që ka sistemi në të cilin ZPS i ndan me mbrojtjen provat të cilat i ka.

Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se deri më 31 janar 2022 besojnë se do të nxjerrin materialet. Sipas ZPS-së, nga 11 mijë e 300 materiale janë rreth 500, të cilat ende nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe.

Mbrojtja e Kadri Veseli, Ben Emmerson ka thënë se më shumë se 11 mijë materiale i kanë marrë pas afatit për nxjerrje të materialeve që ishte 23 korriku i këtij viti, nga 13 mijë e 800 materiale sa ishin gjithsej.

“Gjithmonë ky volum rritet para konferenca për ecurinë e çështjes dhe unë pajtohem me atë që tha zotëri Kehoe dhe kërkesën e tij, sa materiale të tjera kanë ende për të dhënë, në përgjithësi të kemi një ide sa duhet të presim, a do të na sjellin materiale të shumta, një volum të madh materialesh ën janar apo jo”, ka thënë Emmerson.

Ndërsa lidhur me materialet shfajësuese, avokati Kehoe ka thënë se prokuroria nuk u ka dhënë materialet shfajësuese të cilat i posedon.

“Nuk është detyra e mbrojtjes që në çdo çast të përpiqet të ushtrojë presion mbi prokurorinë që të marrë vesh se çfarë materialesh kanë ata, ne e dimë se i kanë materialet shfajësuese dhe e dimë që kanë ardhur nga burime kompetentë dhe këto materiale nuk na janë dhënë. Atëherë kur do t’i vijë fundi kësaj pune, kur do ta përfundojë nxjerrjen e materialeve të rregullës 102.3, kjo është shumë e rëndësishme që çështja të ecë përpara, procedura të ecë përpara sepse do të vijë janari e ky informacion mund ta na jepet vetëm në janar, dhe ne kërkojmë ndërkohë që prokuroria të përmbush detyrimet e veta pa na dhënë këto shprehjet e përgjithshme që ne do t’i shqyrtojmë këto në vijimësi dhe t’i japim dokumentet në vijimësi mbrojtjes”, ka thënë avokati Kehoe.

Ndërsa avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, David Young ka thënë se në materialet të cilat po u dërgon ZPS nuk po specifikon se cilat materiale i përkasin cilit dëshmitar.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Kransiqi po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.

Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm./KSP