1 perditesime
23:32

Mustafi: Përplasjet mes Kosovës e Shqipërisë dëmtojnë shqiptarët e Luginës më së shumti

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka thënë se përplasjet mes Kosovës dhe Shqipërisë më së shumti dëmtojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka përmendur iniciativën “Ballkani i Hapur” si pikë mospajtueshmërie mes dy shteteve, që thotë se pika të tilla krijojnë më pas pasiguri.

“Në masë të madhe më së shumti i godet shqiptarët e Luginës çfarëdo përplasje mes Tiranës dhe Prishtinës”, ka thënë ai.

Mustafi shtoi se nuk heqin dorë nga ëndrra për bashkim të territoreve ku jetojnë shqiptarët.

“Pozicioni jonë është që të respektohet verdikti popullor i shqiptarëve të Luginës. Të merret në konsideratë kjo çështje nga politikanët. Të gjendet nj zgjidhje që akomodon aspiratat politike. Ne nuk heqim dorë nga ajo, është ëndërr e paraardhësve të mi dhe do jetë e pasardhësve të mi që do të ketë qëllim realizimin e saj”.

Ai ka kërkuar konsensus të gjerë dhe qasje strategjike ndërmjet akterëve shqiptarë në Kosovë e Shqipëri, pasi sipas tij, ndikon drejtpërdrejt te shqiptarët e Luginës.

23:23

Mustafi: Marrëveshja finale Kosovë-Serbi, e pamundur pa trajtimin e shqiptarëve të Luginës

Një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë është e pamundur pa trajtuar edhe çështjen e Luginës së Preshevës, ka thënë Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.

Mustafi ka deklaruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë do të ishte e mangët dhe nuk do të ofronte paqe dhe stabilitet afatgjatë nëse nuk do të trajtohej çështja e shqiptarëve të Luginës.

Ai ka thënë se vazhdimisht flitet për reciprocitet të Kosovës ndaj Serbisë në aspektin e të drejtave të komuniteteve, duke shtuar se kjo nënkupton ulje të të drejtave të serbëve në Kosovë.

“Ideja është që në rast se Kosova i ofron po të njëjtat të drejta serbëve çfarë u kanë ofruar shqiptarëve në Serbi, atëherë nënkupton uljen e të drejtave të serbëve në Kosovë. Vetëm Serbia e ka ndaluar përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar me ligj. Ajo dëshiron që flamuri serb të jetë gjithandej, por nuk e dëshiron flamurin shqiptar në Serbi. Është në rritje ksenofobia ndaj shqiptarëve. Kur ke një situatë të tillë, ne duhet të kërkojmë që ajo çfarë i është akorduar në mënyrë ligjore komunitetit serb në Kosovë, t’i akordohet edhe komunitetit shqiptar në Serbi”, ka thënë Mustafi.

Sipas tij, shqiptarët e Luginës janë të diskriminuar në mënyrë sistematike dhe tani janë duke u përpjekur për të përmirësuar statusin politiko-juridik të tyre.