6 perditesime
17:40

Berisha: Rama, Vuçiq e Zaev duan ta asgjësojnë pavarësinë e Kosovës

Thirrësi i protestës, Sali Berisha, ka thënë se janë mbledhur për të protestuar kundër projektit fantazmë të treshes, Vuçiq, Rama dhe Zaev.

Ai ka thënë se mbeten të angazhuar për një bashkëpunim të sinqertë për bashkëpunim rajonal, or thotë se kjo është protestë kundër një projekti që shkon në kurriz të gjitha vendeve të Ballkanit.

Berisha ka thënë se ky është projekt që synon vendosjen e hegjemonisë serbe në këtë rajon.

“Ne jemi kundër këtij projekti sepse historia ka faktuar se një nga dështimet më të mëdha ka qenë ideja e hegjemonizmit serb në gadishullin tonë. Ne jemi kundër këtij projekti sepse bie ndesh me projektin tonë kombëtar. Ky projekt rindërtoi hartat e rajonit duke fshirë Kosovën”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se sot protestojnë si shqiptarë në shesh sepse MiniBallkani i hapur është projekt që ka rrethuar Kosovën në darë armiqësore dhe kërkojnë ta asgjësojnë pavarësinë e saj.

17:02

Nishani: Nuk guxon të rikthehet hegjemonia serbe

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka thënë se sot është moment kritik dhe moment kthese për historinë e Shqipërisë.

Ai ka thënë se në këtë betejë po luftohet hajnia dhe tradhtia. Nishani ka thënë se nuk guxon të rikthehet hegjemonia serbe.

Sipas tij kjo Qeveri ka punuar vetëm për xhepin e saj dhe për armiqtë e Shqipërisë.

“Ky shekull është dhe do të jetë shekulli i shqiptarëve. Ne kurrë nuk kemi qenë kundër bashkëpunimit. Ky është një projekt anti-evropian”, ka thënë ai.

16:51

Tërmkolli: Ballkani i Hapur është thikë pas shpine për Kosovën

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se Ballakani i Hapur është thikë pas shpine për Kosovën dhe gjithë shqiptarët.

Ajo ka thënë se do ta kundërshtojnë në vazhdimësi këtë pakt me gjithë fuqinë.

Sipas saj, Ballkani i Hapur do të thotë një Jogusllavi e re.

“është kalaja Kosovë dhe janë shqiptarët në Shqipëri e kudo që janë. Vuçiqi është ndër kritikuesit më të mëdhenj të Millosheviqit, e kritikon pse nuk i shfarosi shqiptarët të gjithë në mënyrë që ta marrë Kosovën. Ne nuk do ta pranojmë Ballkanin e Hapur. Edi Rama sot dhe nesër duhet të shpallë nul këtë pakt sepse shqiptarët nuk e durojnë këtë pakt. Ne shqiptarët kemi një pakt dhe një lidhje me SHBA-në dhe Evropën”, ka thënë ajo.

16:21

Mijëra protestues në Tiranë kundër Vuçiqit dhe Ballkanit të Hapur

Një numër i madh i njerëzve janë mbledhur para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë për të kundërshtuar ardhjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Në mesin e turmave dëgjohen edhe thirrje “UÇK”.

Protestës i është bashkuar edhe  thirrësi i saj, ndërkaq turma është nisur drejt kryeministrisë.

Ndërkaq masa të shtuara të Policisë janë vendosur në Tiranë për shkak të kësaj proteste.

Kryeministri Edi Rama do të presë sot në Tiranë presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për takimin e radhës së “Open Balkan”.

Ish-kryeminstri Sali Berisha thirri mbështetësit në protestë para Kryeministrisë, pasi sipas tij ardhja e presidentit serb është kërcënim për interesat e vendit tonë. Sipas tij, “Ballkani i Hapur” është një projekt serbo rus dhe Rama ka mbështetur Vuçiqin, në çështjen me Kosovë, pasi “ky projekt ka një qëllim, ndarjen e Kosovës”.

Për pasojë, agjenda e “Open Balkan”, që do të mbahet këtë të hënë dhe të martë do të përshtatet për mos të pasur incidente me protestuesit që do të udhëhiqen nga Sali Berisha. Ndryshe nga takimet e shkuara, për arsye sigurie, udhëheqësit e tre vendeve nuk do të zhvillojnë një shëtitje në qytet siç ka ndodhur në Beograd, e Shkup.

16:05

Forca të shumta policie në Tiranë, shtohen masat e sigurisë për protestën e thirrur nga Berisha

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka paralajmëruar protestën në orën 16:00 sot në Tiranë, kur pritet të vijë dhe presedenti serb, Aleksandar Vuçiq, për të marrë pjesë në takimin e radhës të “Open Balkan”.

Për të shmangur incidente të mundshme, në Tiranë janë shtuar patrullimet e mjeteve të policisë dhe janë mobilizuar forca të shumta të efektivëve.

Kryeministri Edi Rama do të presë sot në Tiranë presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për takimin e radhës së “Open Balkan”.

Ish-kryeminstri Sali Berisha thirri mbështetësit në protestë para Kryeministrisë, pasi sipas tij ardhja e presidentit serb është kërcënim për interesat e vendit tonë. Sipas tij, “Ballkani i Hapur” është një projekt serbo rus dhe Rama ka mbështetur Vuçiçin, në çështjen me Kosovë, pasi “ky projekt ka një qëllim, ndarjen e Kosovës”.

Për pasojë, agjenda e “Open Balkan”, që do të mbahet këtë të hënë dhe të martë do të përshtatet për mos të pasur incidente me protestuesit që do të udhëhiqen nga Sali Berisha. Ndryshe nga takimet e shkuara, për arsye sigurie, udhëheqësit e tre vendeve nuk do të zhvillojnë një shëtitje në qytet siç ka ndodhur në Beograd, e Shkup.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, më 29 korrik nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Ndërkohë, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj nisme, edhe pas thirrjeve për bashkëpunim./Top Channel

11:43

Agjenda dhe takimet për “Ballkanin e Hapur” mes Ramës, Vuçiqit e Zaevit

Sot pritet të mbërrijnë në Shqipëri presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Takimi me kryeministrin Edi Rama po aranzhohet për "Ballkanin e Hapur", derisa është mësuar edhe agjenda zyrtare.

Mbërritja në Elbasan pritet të bëhet në ora 18:30, derisa më pas, tre liderët e shteteve do të darkojnë. Në Pallatin e Brigadave në Tiranë, delegacioni do të mbërrijë të martën në ora 09:00, e takimi pritet të nisë në 09:05.

Së bashku me Ramën, Vuçiqin e Zaevin do të jenë Komisioneri për Zgjerimin e Faqinjësisë, Oliver Varhelyi, drejtori i Sekretariatit të CEFTA-s, Emir Djikiq, drejtori i Komunitetit të Transportit, Matej Zanonjsek.

Liderët do të diskutojnë mbi agjendën e ardhshme për "Ballkanin e Hapur" nga ora 10:45, derisa në ora 13:00 mbahet një konferencë e përbashkët./ballkanweb/

08:03

Sot takimi i radhës për “Ballkanin e Hapur”, Berisha ka paralajmëruar protestë

Sot dhe nesër në Tiranë zhvillohet takimi i radhës i Ballkanit të Hapur, me praninë e tre liderëve, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Mësohet se 3 liderët do të zyrtarizojnë iniciativën që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbime dhe kapitaleve duke nënshkruar 5 marrëveshje.

Ekipeve të 3 vendeve do t’i bashkohet dhe komisioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varhely online, drejtori i CEFTA-s, Emir Gjikiq, si dhe Majlinda Bregu si sekretare e përgjithshme e Këshillit i bashkëpunimit rajonal.

Ditën e martë, pasdite do të ketë edhe një konference për shtyp të kryeministrit Edi Rama, presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Takimi i sotëm do të shoqërohet me protesta përpara kryeministrisë kundër nismës “Open Ballkan”. Ishte ish-kryeministri Sali Berisha që njoftoi dy ditë më parë këtë protestë në mbrojtje të interesit kombëtar.

Në lidhje me këtë vizitë ka reaguar edhe media serbe “Novost”, sipas së cilës ‘ekstremistët shqiptarë’ me ndihmën e tre politikanëve shqiptarë po përgatiten për një protestë kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiq, kur të mbërrijë në Tiranë. Media serbe shkruan se sipas burimeve të saj, organizatorë të protestës janë Sait Dollapi, ish-sekretar organizativ i Partisë Demokratike (PD), Agron Kuliçaj dhe Sali Lushaj, ish truprojat e Sali Berishës.

“Berisha ka kontaktuar personalisht me Ramush Haradinajn për të siguruar praninë e së paku 100 personave nga Kosova në këtë protestë”, pretendohet se ka thënë një burim i medias serbe.

Gjithashtu thuhet se protestën e ka përkrahur edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti./A2News