2 perditesime
23:26

Mejdini: Kurti s’i beson Ramës se do t’i mbrojë interesat e Kosovës në Ballkanin e Hapur

Gazetarja, Fatjona Mejdini, ka thënë se ka një konsensus të politikës në Kosovë sa i përket çështjes së Ballkanit të Hapur.

Ajo ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e beson kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama që i mbron interesat e Kosovës.

“Është edhe një lloj frike e Kosovës se si do të përfaqësohet por edhe cili do të jetë roli i saj. Qeveria Kurti nuk i beson Ramës që është arbitri i duhur në këtë iniciativë”, ka thënë ajo.

Mejdini ka thënë se muajve të fundit është tejkaluar “tensionimi” mes Prishtinës dhe Tiranës.

Ajo ka thënë se dëshmi për këtë është edhe mbledhja e dy qeverive.

“Pavarësisht pikave që nuk bien dakord u vendosen marrëveshje të rëndësishme. Sot në protestë nuk u pa organizimi masiv i Vetëvendosjes. Kurti po tregohet më i kujdesshëm edhe më Lëvizjen Vetëvendosje në Shqipëri”, ka thënë ajo.

23:14

Zaimi: Vuçiqi synim ka vazhdimin e rrugës së Milosheviqit

Arbër Zaimi, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, vlerëson se Ballkani i Hapur është një nismë që pengon dialogun dhe përparimin ei Kosovës.

Zaimi në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se Ballkani i Hapur është aleancë trepalëshe, ku Serbia ka rol të spikatur, e Shqipëria dhe Maqedonia rol dytësor e tretësor.

“Sot Shqipëria rreshtohet me Serbinë që kundërshton Kosovën. Serbia proklamon përmes Ballkanit të Hapur liri për të gjithë pa e njohur Kosovën. Para dy vitesh, Vuçiqi ishte në Mitrovicë dhe tha se Slobodan Milosheviqi ishte udhëheqës i madh, por që nuk arriti të përmbush synimin. Pra e respekton atë qëllim, e synon ta përmbushë. E cili ishte qëllimi i Milosheviqit. Është verbëri të mendosh se ne nuk e dimë”, ka thënë Zaimi.

23:07

Mejdini: Protesta në Tiranë nuk kishte të bënte me Vuçiqin, por me PD-në

Gazetarja, Fatjona Mejdini, ka thënë se protesta në Tiranë nuk ishte e ekskluzive sa i përket një çështje që mes vendeve të tjera shqetëson edhe Kosovën, por një protestë për lidershipin e Partisë Demokratike.

Sipas saj, nga ana e Sali Berishës ishte një strategji për të përdorur këtë moment, për të mbledhur njerëz e për të shfrytëzuar këtë kauzë, në mënyrë që të diskutohen edhe tema tjera.

“Ishte një teknikë dhe Ballkani Hapur ishte kali i Trojës e që shërbeu për t’i dhënë më shumë energji protestës së sotme. Edhe ata politikanë nga Kosova që ishin, nuk janë më aktual. Protesta ishte ambicie politike e ish-liderit të PD-së për të qenë përsëri i tillë. Berisha tha se kjo marrëveshje rrezikon pavarësinë e Kosovës dhe kjo është shumë larg realitetit”, ka thënë ajo.