Krejt ndryshe prej pararendësit të tij, që as s’e kishte idenë se ku në hartë ndodhej Kosova, presidenti aktual amerikan, Joe Biden, ka lidhje të veçantë me të. Fillin kjo lidhje e ka qysh nga 1999-a.
Atëherë kur krejt shqiptarët kishin kthyer sytë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kërkim të një veprimi për ndaljen e luftimeve. Bideni do të bëhej zëri më i fuqishëm i thirrjes për nisjen e një operacioni të menjëhershëm ajror kundër ish-Jugosllavisë. Por s’mbeti vetëm me kaq.
Demokrati që tani është presidenti i 46-të i SHBA-së përkrahjen për Kosovën e vazhdoi edhe pas përfundimit të luftës, me kërkesën për zbardhjen e krimeve serbe. Dhe më 2008, me mbështetjen e fuqishme për shpalljen e pavarësisë.
Fill pas 17 shkurtit, ai e vizitoi Kosovën për të përçuar mesazhin se pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe nuk do të ndryshohet. Krejt ky angazhim s’u la pa iu vlerësuar. U dekorua me Medaljen e Artë të lirisë së shtetit e një rruge në Ferizaj iu vu emri i të birit të tij të ndjerë, Boe, që vite para vdekjes nga kanceri ishte angazhuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve kosovarë në kuadër të misionit të OSBE-së. Edhe këtë rast, Bideni e kishte shfrytëzuar për ta rikonfirmuar përkrahjen e tij për popullin e Kosovës. Por se atë do ta ketë në agjendën presidenciale, ai e garantoi qysh para zgjedhjes. Me anë të një dokumenti që potencoi se Kosova do të ketë trajtim të barabartë në dialog me Serbinë, në atë që do të çonte drejt njohjes reciproke dhe gjithmonë duke ruajtur integritetin territorial të Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.