3 perditesime
20:44

Sadiku: Kriptovalutat e kanë zënë të papërgatitur sistemin juridik e financiar në tërë botën

Ermal Sadiku, inxhinier dhe njohës i kriptovalutave, ka thënë se kriptovalutat e kanë zënë të papërgatitur jo vetëm sistemin juridik e financiar të Kosovës, por edhe të tërë botës.

Sadiku ka thënë në “DESKU” të KTV-së se edhe shtetet më të zhvilluara në botë, ende nuk po dinë se si t’u qasen monedhave digjitale.

“Gjithçka që kemi të bëjmë me kripto është shumë globale dhe e ka zënë shumë papërgatitur komplet sistemin juridik, financiar të botës, jo vetëm ATK-0në e Kosovës, jo vetëm BQK-në e Kosovës. Edhe shtetet më të zhvilluara se ne nuk po dinë se si t’i qasen. Përderisa nuk kemi legjislacion të mirë në këtë punë, lind pyetja a duhet të kemi apo jo. Nuk duhet t’i lihet faji Kosovës pse njerëzit që po merren më këtë punë, nuk po dinë se a duhet të paguajmë tatime dhe ku duhet të paguajnë tatime”, ka thënë Sadiku.

Sipas tij, qytetarët duhet të edukohen dhe të kuptojnë se çka po ndodh me kriptovalutat dhe si po funksionojnë ato.

 


Sadiku: Duhet krijuar kulturë te të rinjtë për pagimin e taksave

Inxhinieri dhe njohësi i kriptovalutave, Ermal Sadiku, ka thënë se duhet krijuar një kulturë te të rinjtë në Kosovë se duhet paguar taksa për çdo fitim.

Ai ka thënë se është turp të shqyrtohet mospagimi i taksave.

“Secili duhet kuptuar se duhet paguar taksa për fitim. Shteti ndërtohet nga taksat tona. Të gjitha nga shkollat, spitalet, rrugët ndërtohen nga taksat tona. Taksat i kemi shumë të ulëta, më të ulëtat në Evropë dhe është marre me menduar që të mos paguhen taksa. Është kulturë e përgjithshme qytetare, të cilën nuk e kemi ndërtuar mjaftueshëm, nuk u kemi shpjeguar të rinjve”, ka thënë Sadiku në DESK të KOHËS. “Kemi taksat më të ulëta në Evropë dhe dëshiron edhe ato të mos paguash dhe të ikësh. Duhet bërë kjo në mënyrë të prerë, si kulturë e pastaj si ligj. E para duhet nisur edukimi, le të mësojnë si shembull që mësojnë biologji, le të mësojnë edhe se duhet paguar taksa”, ka thënë Sadiku.

Ai ka thënë po ashtu se çdo transaksion që ka ndodhur me Bitcoin nuk mund të tjetërësohet apo fshihet. Ka thënë se nuk mund të vjedhësh apo të pastrosh para me Bitcoin, pasi çdo gjë është transparente.

“Nëse thua se e kam blerë me 10 euro e po du me shit me 50 mijë euro, atëherë duhet treguar transaksionin kur e ke ble 10 euro”, ka thënë Sadiku.

Sadiku po ashtu ka thënë se shumica e aparateve për mihje të kriptovalutave kanë hyrë ilegalisht në Kosovë pa paguar doganë apo TVSH, pasi është dashur futur në rrugë ilegale, pasi nuk ka pasur kartela nëpër Kosovë.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë fitim nëse i konfiskojnë ato. Por duhet bërë thirrje atyre që merren me mihje, të deklarojnë këtë si biznes e të paguajnë taksa.


Sadiku: Shteti duhet t’i legalizojë pajisjet e kriptovalutave

Ermal Sadiku, inxhinier dhe njohës i kriptovalutave, ka thënë se çdo transaksion në bitcoin është transparent.

Sipas tij, shpëlarja e parave përmes bitcoinit është e pamundur.

“Nëse do dikush të shpërlajë para me bitcoin, është budalla, sepse është transparente kjo. Në momentin kur do t’i që t’i tërheqësh këto para është shumë vështirë të gënjehet”, ka thënë Sadiku në “DESKU” të KTV-së.

Ai ka shtuar se shteti duhet të bëjë thirrje që të bëhet legalizimi i pajisjeve dhe të paguhen taksa.

20:41

Kadolli tregon për shpenzimet e energjisë nga mihja e kriptovalutave

Njohësi i kriptovalutave, Granit Kadolli, në DESK të KOHËS ka folur se sa energji shpenzojnë aparaturat për mihje të kriptovalutave.

“Besoj se ato shpenzojnë 5 deri në 7 për qind të energjisë. Të gjitha shpenzimet e energjisë elektrike brenda Kosovës në 24 orët e fundit”, thotë Kadoll.

Ai ka shtuar se nuk është shumë, duke marrë parasysh se aparatet për prodhim të kriptovalutave lëshojnë nxehtësi dhe ato mund të shfrytëzohen për të ngrohur apartamentin.

“Shembull baneset e ndërtuara pas luftës, nuk kanë ngrohje qëndrore. Unë e kam me kalldaj, i ka shpenzimet 8 deri 9 kë në orë, e ato 70-80 metra katrorë i kanë deri 12 kë në orë. Shpenzon pra sa tetë minera që i mban dhe që bën mihje. Ndërkohë vet kam shfrytëzuar minera, dy në zyre e një në shtëpi. E kam shfrytëzuar atë në shtëpi për ngrohje të sallonit apo dhomave. Ka temperaturë që nuk është shumë e dëmshme. E kam shfrytëzuar që të mos paguaj kot rrymë, e me nxe edhe ambientin me të’, ka thënë Kadolli.

Ai ka shtuar se është befasuar me vendimin e Qeverisë për të ndaluar mihjen e kriptovalutave por edhe me vendimin për të tatuar fitimet nga kriptovalutava.

“Nga viti 2009 deri më 2017 ka pasur shumë individë që kanë përfituar nëpërmjet Google ads apo platformave tjera e asnjëherë nuk është bërë thirrje për pagim tatimi. E tash për kriptovaluta po bëhet thirrje”, ka thënë Kadolli.

20:34

Bytyqi-Sefa: Arkëtimi nga tatimi i kriptovalutave, problematikë në vete

Valentina Bytyqi- Sefa nga Administrata Tatimore e Kosovës ka thënë se është problematikë në vete arkëtimi nga tatimi i kriptovalutave derisa nuk ka definim të qartë të këtij aktiviteti përmes normativave ligjore.

Bytyqi-Sefa ka thënë se ky aktivitet nuk ka kod përmes së cilit do të dihej arkëtimi.

“Është problematikë në vete përderisa nuk do të kemi një definim të qartë të këtij aktiviteti përmes normativave ligjore. Ne mund të dimë çdo deklarim që bëhet vetëm përmes aktiviteteve që bëjnë bizneset. Ky aktivitet nuk ka një kod përmes së cilit mund ta dimë. Njoftimi është bërë si një lloj thirrje dhe mesazhi karshi individëve që kanë përfitime nga ky aktivitet dhje personat që veq janë duke u futur në këtë aktivitet.Ideja është që ne fillimisht i kemi njoftuar në mënyrë që të mos jenë pre e ndëshkimeve. Ne do të kemi një diskutim tjetër me institucionet tjera që kemi bashkëpunim në mënyrë që fillimisht të jemi në kontakt me personat që organizojnë këtë aktivitet dhe individët që përfitojnë. Është e vështirë mirëpo nuk është e vështirë nëse aktivitetet tona do të jenë në bashkëveprim me institucionet tjera”, ka thënë ajo në “DESKU” të KTV-së.

Ajo ka shtuar se brenda ATK-së kërkohet që edhe nga aktivitetet që nuk janë të rregulluara me ligj, të inkasohen të hyrat nga fitimet që bëjnë këto aktivitete.

20:27

Havolli: Rreth 10 milionë euro janë investuar në Kosovë në 5 vjetët e fundit në kriptoasete

Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, ka thënë se në pesë vjetët e fundit rreth 10 milionë euro janë investuar nga Kosova përmes sistemit financiar nëpërmjet platformave të ndryshme në kriptovaluta.

Havolli, ka thënë se në BQK nuk i njohin ato si kriptovaluta por si kriptoasete.

Ai ka treguar për paralajmërimet që BQK-ja u bën gjithë qytetarëve për investimet në kriptoasete.

Havolli po ashtu ka thënë se është normale që duhet paguar tatim për fitimet e arritura nga kriptovalutat.

Ai ka thëqnë se ka duhet të bëhen të qarta procedurat që të mbrohet përfundimisht sistemin ekonomik, përfshirë ai financiar në vend, qoftë nga rreziku i shpërlarjes së parave.

“Ka argumente të mjaftueshme që deri tash kriptoasetet, përdoren në masë të madhe për aktivitete që mund të jenë në zonën e hirtë të ekonomisë. Ekzistojnë mekanizma që mund ta zhvendosin këtë në terren të pastër, që siguron se çdo transaksion është legjitim. Sa i përket realizimeve përmes sistemit financiar. Rishtazi kemi kërkuar raport nga bankat për 5 vjetët e fundit sa i përket blerjes së kriptoaseteve. Kemi vërejtur se rreth 10 milionë euro në 5 vjetët e fundit janë investuar nga Kosova përmes sistemit financiar, nëpërmjet platformave të ndryshme të këmbimit. Pra nga llogaria bankare nëpërmjet platformave të ndryshme të këmbimit të kriptoaseteve. E afro 2 milionë euro janë kthyer, qoftë ato shitje, fitim, apo dikush edhe ka nxjerrë para me humbje”, ka thënë Havolli në DESK të KTV-së.