2 perditesime
21:18

Spahiu: Kosovës i duhet qasje e re në dialog, formimi i Asociacionit ka qenë premtim i nxituar

Ish-ambasadori i parë i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, ka thënë se Kosova nuk duhet të lëshojë pe në dialog me Serbinë. Në Deskun e KOHËS, ai ka thënë se i mbetet të ardhmes të shihet nëse SHBA-ja do ta ketë çelësin që përfundimisht do të sjellë kthesa pozitive në këtë proces.

“Roli ndërmjetësues lehtësues duhet t’i takojë BE-së, përkundër që nuk ka prodhuar rezultate dhe përkundër faktit që ndërmjetësuesit nuk janë dashamirëse për Kosovën, por SHBA ka bërë të ditur se do jenë më afër procesit të dialogimit, nuk do jenë palë formale por afër palës tonë. Ka emëruar emisar që nga pjesa e diplomatëve t’i risjellë në Ballkan, si ambasadori në Beograd dhe ai që do vijë në Prishtinë”.

Spahiu ka thënë se një takim i liderëve të të dyja vendeve nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt, e sipas tij, Kosova duhet të ketë qasje të re e më serioze karshi Serbisë.

“Ka një bllokadë edhe tani dhe nuk mund të pritet takim i liderëve të dy vendeve në një të ardhme të afërt, do të ketë shtyrje, ky proces është i pazëvendësueshëm, duhet të kemi durim, të mos bëjmë lëshime. Ne duhet të shohim një qasje serioze dhe të re në raport me Serbinë. Ajo proklamon se Kosova nuk po i përmbahet marrëveshjeve, ndërkohë që nuk e njeh të barabartë Kosovën në bisedime. Nisur nga kjo, është vështirë të paramendohet të kemi normalizim të marrëdhënieve të dy vendeve”.

Spahiu ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë premtim i nxituar i Kosovës. Ai e sheh të vështirë daljen nga asociacioni.

“Në aspektin e kompromiseve dhe lëshimeve para palës serbe, më problematike ka qenë asociacioni. Kemi bërë premtime të nxituara duke menduar që kjo do t’i mjaftojë Serbisë pa ditur çfarë në të vërtetë po ofron Serbia si kundërshpërblim”, ka thënë ish-ambasadori.

21:02

Spahiu: Kosova s’mund të gjejë partner më të mirë se SHBA-ja

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka thënë se shteti i Kosovës duhet të ketë kujdes me ecjen e vet në raport me SHBA-në, pasi, sipas tij, partner më të mirë s’mund të gjejë askund.

Në Deskun e KTV-së, Spahiu ka thënë se nga një hulumtim që ka bërë ka vënë re 25 divergjenca të Kosovës me SHBA-në. Ka thënë se ato nisin që nga ndërhyrjet në veri e deri në aspektet e ekonomisë, që lidhen me energjinë e deri te ato politike. Këtu ka përmendur edhe tentimin për shuarjen e Gjykatës Speciale.

“SHBA-ja ishte ajo që çliroi Kosovën. Natyrisht ishte edhe lufta jonë, e rezistenca, që s’mund të mohohen assesi, por SHBA-ja qëndroi krah për krah me popullin e Kosovës. Ishte një president amerikan që po ashtu përfundimisht vendosi që Kosova duhet të jetë shtet. Kemi pasur pengesa edhe nga vende evropiane duke bërë kompromise ndaj Serbisë e Rusisë edhe në Procesin e Vjenës e më tutje. Vazhdojnë edhe sot. Duhet ta dimë e të jemi mirënjohës, por edhe ta dimë rolin e SHBA-së për të ardhmen, pa të cilin s’mund të kemi zhvillim të mbarë të shtetit tonë”, ka thënë ai teksa ka shtuar se Kosova duhet të gjejë gjithmonë mënyrën për të qenë në koordinim të plotë me SHBA-në.

“Të kemi kujdes sepse ka apologjetë që në Kosovë shohin vetëm interesat amerikane dhe gjithë mbështetjen që ia jep Kosovës ia lidhin me interesat amerikane. Interesat janë reciproke. Ato të Kosovës përputhen plotësisht me ato amerikane, si për demokraci, e të tjera. Partner më të mirë s’mund të gjejmë. Duhet të kemi kujdes me këtë ecje”, ka thënë tutje ai.

Teksa ka folur për militarizimin e Serbisë, Spahiu ka thënë se kjo kërkon alarmim serioz të Bashkimit Evropian dhe partnerëve tjerë në politikën ndërkombëtare.

“Serbia po përgatitet duke grumbulluar arsenale të armatimit e të ushtrive në një kohë kur nuk ka ndonjë rrezik të sulmit në Serbi nga asnjëra anë. Kjo është diçka që përsëritet. Diçka që e kemi parë gjatë viteve të 90-a. Tash si duket pas humbjeve ushtarake mendon të jetë mjaft e fortë në të ardhmen që të rifillojë aventurat. Ky është rrezik permanent për Kosovën. Presidentja jonë ka reaguar disa herë, edhe liderët tjerë. Gjë me vend. Por po them, adresimi duhet të jetë gjithmonë te BE-ja, që ka rolin e ndërmjetësuesit dhe te partnerët tanë edhe te SHBA-ja e të tjerët. NATO-ja është jetike për ekzistimin e shtetit të Kosovës. Ka mision që ruan kufijtë nga ndërhyrja e jashtme, por në ndërkohë Kosova ashtu siç po bën, duhet të ketë Forcë të veten, të Sigurisë, e cila do të jetë në gjendje të mbrojë vendin në rast agresioni, por edhe në këtë kohë të bëjë përpjekje të jetë më afër NATO-s në çfarëdo forme të asociimit me këtë organizatë që do të forconte sigurinë e saj në këtë moment”, ka thënë ai.

Spahiu ka vlerësuar se presidenti amerikan Joe Biden ka lidhje emocionale me Kosovën dhe se rifokusimi i tij për Ballkanin është për qëllime të mira për Kosovën.

Për procesin e njohjeve, Spahiu ka thënë se SHBA-ja ka ndihmuar në rritjen e numrit, ndërsa ka shtuar se pengesë e vazhdueshme do të jetë Rusia. Atë e ka cilësuar si pengesë të pakapërcyeshme për pranim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Në këtë aspekt mund të bëjmë një ndryshim, nëse ecim me ndihmën diplomatike të SHBA-së dhe miqve të tjerë, do të vijnë edhe njohje të reja, mirëpo nuk do kishte ndikim për ta kapërcyer Rusinë. Por do të kishte një presion sepse do kuptohej se vetëm Rusia është kryeneçe. Duhet të kemi durim, duhet të punojmë në këtë drejtim dhe dialogimin me Serbinë. Dhe të fokusohemi në zhvillimin tonë demokratik e ekonomik që të jemi gati kur të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

20:39

Spahiu për “Listën e zezë” të SHBA-së: Indikacion se Bideni po fokusohet në Ballkan

Ish-ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka thënë se, futja e disa personave apo kompanive në Ballkan, në “Listën e zezë” të SHBA-së është indikacion se administrata e presidentit Joe Biden po fokusohet në rajon.

Sipas Spahiut, njerëzit që futen në këtë listë janë ata që konsiderohet se po pengojnë zhvillimin e demokracisë, po minojnë paqen apo që janë zhytur në kriminalitet.

“Është diçka që nuk paraqet befasi sepse qysh në qershor të vitit të kaluar, Bideni rinkonfirmoi listën e ashtuquajtur si Lista e Zezë ku persona, kompani e shtete të ndryshme futen në këtë listë nga Departamenti i Thesarit. Kjo është bërë që nga viti 2001 dhe secili president e rikonfirmon atë listë me emra të shtuar apo të hequr. Kjo paraqet atë që paralajmëroi Bideni që do të ketë në listë njerëz që janë të njollosur në aspekte të ndryshme, rrezikimi i paqes, minimi i demokracisë e sidomos janë zhytur në kriminalitet. Është një çështje trans-nacionale. Ka disa kategori në këtë listë ku punon shteti amerikan, për të ruajtur interesat e veta në botë dhe për të identifikuar njerëzit që paraqesin rrezik për demokracinë. Një herë kjo listë ka qenë vetëm për vendet që nuk janë miqësore me SHBA-në si Kina, Koreja e Veriut, por më vonë janë futur edhe këto kategori të reja. Kohëve të fundit përcaktohen individ që paraqesin rrezik në mënyra të ndryshme. Duhet pritur që kjo listë do të vazhdojë edhe të ardhmen. Në një kohë relativisht pritet të ketë edhe emra të tjerë në Ballkan. Është një indikacion se administrata Biden do të fokusohet në rajonin e Ballkanit. Duke i identifikuar ata që pengojnë zhvillimin e demokracisë, paqes dhe në aspekte të tjera që pengojnë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Spahiu në "DESKU" të KTV-së. 

Spahiu thotë se futja në “Listën e zezë” së fundmi të anëtarit të presidencës së Bosnjës, Milorad Dodik, nuk është vetme sanksion ekonomik, por edhe politik.

“Është konsideruar njeri i rrezikshëm për paqen në Bosnjë dhe në rajon. Nëse i shohim zhvillimet politike në Bosnjë, ka qenë Dodik ai që ka rrezikuar jo vetëm shtetin e Bosnjës, por edhe më gjerë, me kërcënimet e tij agresive ka paralajmëruar rrezik edhe për rajonin. Ky është një sanksionim i drejtpërdrejt jo vetëm ekonomik, por edhe politik. Kjo paraqet edhe politikën amerikane”, shtoi ai.

E për shpalljen “non grata” nga SHBA të grupit të Veselinoviqit në veri të Kosovës, Spahiu deklaron se ata nuk kanë qenë vetëm të zhytur në krim ekonomik, por kanë pasur lidhje edhe me politikën dhe kanë qenë të mbështetur nga Dodiku. 

“Janë të ndërlidhura sepse ka një lidhshmëri të pashkëputshme me politikën serbe. Në veri janë identifikuar disa persona që merren me vepra kriminale, por që kanë pasur lidhje me udhëheqjen e Serbisë, por edhe me Dodikun. Dodik ka paralajmëruar një mbështetje edhe për ta në veri të Kosovës. Këta janë të lidhur me politikën, nuk janë vetëm të zhytur në krimin ekonomik. Kanë sabotuar dhe shkaktuar probleme të mëdha në veri. Tani është SHBA që po i fajëson për këtë destabilizim. Mesazhi është që SHBA nuk do t’i mbyll sytë para bartësve të këtyre aktiviteteve dhe ata duhet t’i bartin pasojat. Nuk do të jenë të vetmit në këtë listë, por do të identifikohen edhe lidhjet e tyre me politikën”.

Spahiu theksoi se në listën e re pritet të ketë njerëz edhe nga “jeta jonë politike”.

Spahiu duke folur për futjen në listën e zezë të SHBA-së të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berishës, ka thënë se veprimet e tij pas kësaj ngjarjeje kanë treguar papjekuri dhe se ka krijuar situatë jonormale.

“Kjo tregon një papjekuri të demokracisë sepse demokracia ka përgjegjësi konkrete dhe nëse ballafaqohesh me një gjë të tillë, gjëja e paktë është të japësh dorëheqje, të largohesh nga politika dhe të japësh sqarime për atë që të fajësojnë. Por jo të krijosh situatë krejtësisht jonormale për demokracinë duke shkaktuar probleme në jetën politike që për demokraci që janë në fazë të dobëta mund t’u kushtojë shumë”, ka thënë ai.

Ai nuk beson se mund të ketë pasur ndonjë gabim në rastin e Berishës nga SHBA-ja.

“Njeriu ka të drejtë ta mbrojë veten dhe të shfajësohet por të paditet një shet që ka një aparaturë aq të madhe të mbledhjes së informacioneve, është vështirë të paramendohet se mund të bëjë gabime të tilla”.

Spahiu foli për fokusin e presidentit amerikan Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, për të cilin tha se do të pengojë ndikimin rus e kinez në rajon.

“Bideni ka vendosur të ketë një fokusim në Ballkanin Perëndimor jo vetëm për të mbrojtur Kosovën dhe vendet e rajonit por edhe për të penguar ndikimin ruso-kinez në rajon dhe për të evituar pengesat në ndërtimin e demokracisë dhe të luftojë ata që po shkaktojnë pasiguri”.


Spahiu: Veriu, një hapësirë plotësisht e pasigurt

Veriu është një hapësirë e hapur për ndikime dhe paraqet rrezik permanent në minimin dhe mospranimin e sovranitetit të shtetit tonë, ka thënë në “DESKU” të KTV-së, Avni Spahiu, ish-ambasadori i parë i Kosovës në SHBA.

Spahiu ka thënë se ndonëse është pritur shumë nga dialogu, në 11 vjetët e fundit të këtij procesi, nuk është bërë asgjë për veriun.

“Kemi shpresuar që kjo çështje do të zgjidhet përmes dialogut mirëpo sic kemi parë, në këto 11 vitet e fundit të dialogimit, nuk është bërë asgjë në atë drejtim dhe çështja ende qëndron në pikën zero”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, veriu është një hapësirë ku punohet vazhdimisht kundër shtetit të Kosovës.

“Është plotësisht një hapësirë e pasigurt, atje punohet vazhdimisht kundër shtetit të Kosovës dhe këtu nuk dua të fajësoj banorët që janë qytetarë të Kosovës, por ndikimet janë nga jashtë, sidomos drejtpërdrejtë nga shteti serb, i cili madje edhe në aspekte shumë të zakonshme, reagon që serbët të mos e pranojnë në asnjë formë shtetin dhe institucionet e Kosovës si dhe sovranitetin. Ne kemi probleme ta zëmë që 20 vjet me çështje banale të pagesave të rrymës, të shërbimeve komunale etj, dhe kjo vazhdon në të njëjtën mënyrë si para 20 vjetësh. Çdo përpjekje edhe në këtë aspekt nga shteti i Kosovës, merret si provokim nga shteti i Serbisë. Duhet të jemi më të zëshëm në mbrojtjen e sovranitetit tonë dhe të drejtave të Kosovës”, është shprehur Spahiu.