Arbëri

Arrestohen katër persona të dyshuar për publikimin e pagave të 630 mijë qytetarëve

 

Eni Qirjako dhe Andi Agaraj, specialistë të IT-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Klodian Sota, përmbarues privat, dhe Endri Ikonomi, drejtor i kompanisë “Credit 2 All”, janë emrat e personave të arrestuar, të dyshuar se kanë publikuar pagat dhe të dhënat e ndjeshme personale të afro 630 mijë qytetarëve në Shqipëri

Policia në Shqipëri ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë së Tiranës duke arrestuar katër persona për skandalin e rrjedhjes në publik të pagave dhe të dhënave të ndjeshme personale të afro 630 mijë qytetarëve shqiptarë, në dhjetor të vitit që sapo lamë pas.

Eni Qirjako dhe Andi Agaraj, specialistë të IT-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Klodian Sota, përmbarues privat, i punësuar si menaxher pranë kompanisë private “SMART Collection”, dhe Endri Ikonomi, drejtor i kompanisë “Credit 2 All”, kompani që ofron ndërtimin e produkteve elektronike për institucionet financiare kredidhënëse, janë emrat e personave të arrestuar. Arrestimi i tyre u bë i ditur nga drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, dhe drejtuesit e Policisë së shtetit, gjatë një konference për media të premten.