4 perditesime
17:32

Kurti synon rezolutë parlamentare kundër referendumit të Serbisë

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se me ftesë të kryeministrit Albin Kurti, të shtunën e 15 janarit do të mbahet seancë e jashtëzakonshme parlamentare me fillim prej orës 14:00 për të diskutuar për çështjen e referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Në një njoftim të ZKM-së bëhet e ditur se në rend dite është diskutimi për këtë çështje e në fund nxjerrja e një rezolute të përbashkët.

“Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës. Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, thuhet në njoftim.

17:21

E konfirmuar: Seanca e jashtëzakonshme të shtunën në orën 14:00

Nga Kuvendi i Kosovës për KOHËN kanë konfirmuar se seanca e jashtëzakonshme e ftuar nga kryeministri, Albin Kurti, për çështjen e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovë, do të mbahet të shtunën me fillim prej orës 14:00.

Partnerët ndërkombëtarë kanë bërë presion ndaj institucioneve të Kosovës që të lejojnë organizimin e këtij referendumi. Megjithatë, krerët e Kosovës kanë dalë kundër e për këtë kanë marrë mbështetjen edhe të opozitës.

13:41

Referendumi serb, Kurti paralajmëron seancë të jashtëzakonshme për nesër

Kryeministri Albin Kurti ka folur shkurt për mediat pas takimin me ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Ai ka thënë se tri institucionet kyçe të shtetit do të dalin me komunikatë të përbashkët gjatë ditës, duke mos dhënë detaje më shumë.

Kurti paralajmëroi seancë të jashtëzakonshme për të shtunën.

“Në takim ishim të pranishëm presidentja, kryekuvendari, unë dhe dy zëvendëskryeministrat. Pas takimit të tri institucionet do të dalim me komunikatë të përbashkët për shtyp”.

“Unë po shkoj në kryeministri që ta përgatisë thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për nesër në orën 14:00”.

13:36

Përfundon takimi, ambasadorët s’tregojnë nëse e bindën Kurtin për referendumin

Ka përfunduar takimi ndërmjet ambasadorëve të shteteve të QUINT-it me krerët shtetërorë.

Ata janë takuar me presidenten, Vjosa Osmanin, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurtin. Takimet zgjatën pak më shumë se një orë.

Ambasadorët nuk pranuan të tregojnë nëse e kanë bindur Kurtin lidhur me referendumin serb.

Përmes një deklarate QUINT-i i bëri thirrje Qeverisë të lejojë serbët në Kosovë të votojnë referendumin e Serbisë, por zyrtarë nga Qeveria e partitë opozitare e kanë kundërshtuar.

PDK dhe LDK e kanë konsideruar të papranueshëm mbajtjen e referendumit.

11:52

Ambasadorët e QUINT-it takojnë Osmanin, Konjufcën e Kurtin

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it po pritet që të takojnë krerët shtetërorë të Kosovës, presidenten, kryeparlamentarin dhe kryeministrin.

Më herët, QUINT-i dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të votojnë në referendumin kombëtar të Serbisë, në një deklaratë të përbashkët të tyre, për ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese në Serbi.

Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur këtë referendum, duke shtuar se reformat janë hap para drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratë.

Në thirrje të përbashkët është thënë se qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë duhet të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione.

Në oborrin e Qeverisë janë parë që tashmë kanë arritur disa nga ambasadorët e QUINT-it.

Image