Panik ndërsa Kosova ndalon mihjen e kriptovalutave për të kursyer energji

Për entuziastët e Bitcoinit në Kosovë që janë më të prirë për të rrezikuar, ka qenë një javë e mirë për të arritur marrëveshje për pajisje kompjuterike që mund të krijojnë, apo “mihin”, kriptovaluta.
Nga Facebooku e deri në Telegram, postimet e reja në grupet online të personave që merren me kriptovaluta në rajon u dominuan nga kosovarët që përpiqeshin të shisnin pajisjet e tyre për mihje – shpesh me çmime të ulëta.
“Ka shumë panik dhe po tentojnë t’i shesin apo t’i lëvizin ato në vendet fqinje”, thotë cryptoKapo, një investues i kriptovalutave dhe administrator i disa prej faqeve më të mëdha të komunitetit kripto në rajon.
Këto veprime vijnë pas një vendimi të marrë nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit të kaluar për të ndaluar menjëherë prodhimin e kriptovalutave, si pjesë e masave emergjente energjetike.
Bitcoini dhe kriptovalutat tjera krijohen nga kompjuterë të fuqisë së lartë që konkurrojnë për të zgjidhur enigma komplekse matematikore në atë që është një proces shumë intensiv i energjisë, e që shpërblen njerëzit bazuar në sasinë e fuqisë kompjuterike që ata ofrojnë.
Nxitja për të hyrë në lojën e mihjes së kriptovalutave në Kosovë, një prej shteteve më të varfra të Evropës, është e qartë. Bitcoini aktualisht shitet me më tepër se 31.500 funte, ndërsa Kosova ka çmimet më të lira të energjisë në Evropë pjesërisht për shkak se 90 për qind e energjisë vjen nga prodhimi vendas, e që vjen nga djegia e rezervave të pasura të linjitit, një qymyr me cilësi të ulët.
Numri më i madh i personave që merren me mihje të kriptovalutave gjenden në veri të Kosovës, ku popullsia me shumicë serbe refuzon ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe rrjedhimisht nuk ka paguar energjinë elektrike për më tepër se dy dekada.
Ka para të mira për të fituar, veçanërisht kur nuk paguhet energjia elektrike. Numri i njerëzve që merret me prodhimin e kriptovalutave në Kosovë është rritur dukshëm gjatë viteve. Grupet si Albanian Crypto Amateurs në Facebook dhe Crypto Eagles në Telegram kanë shpërthyer me mijëra anëtarë të rinj, ndonëse është e paqartë se sa prej tyre merren me mihje të kriptovalutave, apo në çfarë shkalle merren.
Por, kohëve të mira duket se u ka ardhur fundi – së paku për tash – dhe zhvillimet në Kosovë vënë në pah një nga pyetjet e mëdha për të ardhmen e Bitcoinit dhe valutave tjera të tilla digjitale.
Llogaritjet e fundit nga Universiteti i Cambridget për indeksin e konsumit të energjisë elektrike të bitcoinit, tregon se në nivel global për mihje të bitcoinit konsumohen 125.96 terawatt në orë elektricitet gjatë vitit, duke shpenzuar më tepër energji se Norvegjia (122.2 TWh), Argjentina (121 TWh), Holanda (108.8 Twh) e Emiratet e Bashkuara Arabe (113.20 TWh).
Ndërkohë kosovarët ditët e fundit të vitit 2021 i kaluan në errësirë pasi faktorët vendas dhe ata ndërkombëtar u kombinuan për të shkaktuar mungesë të energjisë elektrike dhe reduktime nëpër vend. Në kulmin e krizës, një mbyllje e paparashikuar e njërës prej dy termocentraleve të vjetëruara bëri që Kosova të importonte rreth 40 për qind të energjisë së saj në treg ndërkonbëtar, ku çmimet janë rritur dukshëm, dhe Qeveria u detyrua të jepte një subvencion emergjent për të mbuluar shpenzimet.
“Ne kemi ndarë 20 milionë euro për subvencionim të energjisë, që ndoshta nuk do të jetë mjaftueshëm, dhe këto janë para të taksapaguesve tanë që do të subvencionojnë konsumin e energjisë. Nga ana tjetër kemi mihjet e kriptovalutave, që është një aktivitet që kërkon shumë energji elektrike e që nuk është i rregulluar”, tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Kosova nuk është e vetme që ka marrë një vendim të tillë. Shtatorin e kaluar, dhjetë rregullatorët më të fuqishëm në Kinë u zotuan për të shkatërruar atë që ishte industria më e madhe e mihjeve të kriptovalutave në botë në atë kohë.
Në Islandë, kompania nacionale e energjisë, Landsvirkjun, ka thënë se do të largojë personat që merren me prodhim të kriptovalutave, ndërsa vendi po përballet me mungesë të energjisë. Javën e kaluar, Komiteti i Energjisë në Kongres në SHBA ka njoftuar se do të mbajë seancë për këtë çështje. Mihësit e kriptovalutave në SHBA besojnë se janë konsumuesit më të madh të energjisë, pasuar nga ata në Kazakistan e Rusi.
“Është koha të kuptojnë dhe trajtojmë ndikimet e mëdha në energji dhe mjedis që ka në komunitetet tona dhe planet tona”, ka thënë kryetari i Komitetit, Frank Pallone dhe Dianna DeGette, që mbikëçyrë panelin.
Alex de Vries, një ekonomist me seli në paris, ka thënë se vlerësimet fillestare që do të botohen më vonë jëtë vit, janë se vetëm çereku i energjisë që përdoret nga mihësit është e ripërtritshme.
“Pyetja e vërtetë është: Çfarë po merrni në këmbim?”
Jason Deane, shef i analistëve të bitcoinit në “Quantum Economics”, ka thënë se përfitimet kanë qenë të shumta, nga fitimet e shpejta e deri te transaksionet falas, pa përdorur palë të treta.
Që kur autoritetet kosovare kanë marrë vendimin, Policia dhe Dogana në Kosovë ka filluar bastisjet e rregullta, duke sekuestruar qindra pajisje.
Derisa masa emergjente energjetike prej 60 ditëve mbetet në fuqi në Kosovë, rregulloret e reja që pritet të hyjnë në fuqi për kriptovaluta e po ashtu rritja e çmimeve të energjisë që pritet të ndodhë, e lënë të ardhmen të paqartë.
“Ka shumë njerëz që kanë investuar në pajisje për prodhim të kriptovalutave dhe nuk është investim i vogël. Njerëzit madje kanë marrë edhe hua për të investuar dhe ndikimi tash është mjaft i rëndë në jetët e tyre”, ka thënë cryptoKapo.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.