2 perditesime
14:41

Rama e Erdogan inaugurojnë 522 banesa në Laç

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kanë inauguruar një lagje në Laç me 522 banesa, që do të jenë në dispozicion të familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Zona do të ketë edhe një shkollë dhe qendër tregtare.

Në këtë qytet një shesh është emëruar "Erdogan".

Presidenti Erdogan bëri të ditur se ndërtimi i banesave ka kushtuar afro 42 milionë euro.

“Sot po i dorëzojmë këto 522 njësi banimi që kanë kushtuar afërsisht 42 milionë euro. Në këto momente dua t’ju uroj të gjithë familjarëve, t’i gëzoni. Falënderoj të madhin zot që edhe gjatë këtij procesi, edhe pse Turqia u sprovua me shumë fatkeqësi natyrore, me tërmete e zjarre, përmbushëm premtimin tonë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Tani po theksoj një gjë që parim besimi i shenjës së vëllazërisë nuk është të vish kur të thërrasin por të qëndrosh pranë kur ka nevojë. Tani e tutje dhe në vijim do të vijojmë tu qëndrojmë pranë”, tha Erdogan.

Ai deklaroi se shpreson që miqësia mes Shqipërisë dhe Turqisë të vazhdojë deri në pafundësi.

“Të jesh më vëllain në kohë të mira dhe vështira është një nga vlerat. Gjatë pandemisë dhe gjatë situatës së ngushtë, të gjithë shtetet e fuqishme dhe të mëdha, u kyçën duke mbyllur sytë, por ne bëmë të kundërtën. Dolëm dhe jashtë kufijve për tu qëndruar pranë vëllezërve tanë me çdo mundësi që kishim.”/TCH/

12:56

Rama për takimin e parë me Erdoganin: Më tha se Shqipërinë e Kosovën i ka në zemër

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në ceremoninë e dorëzimit të çelësave të banesave të reja në Laç, tregoi disa nga momentet e veçanta për të nga takimet me presidentin Erdogan.

Ai ka rrëfyer takimin e parë me Presidentin Erdogan, që në atë kohë ishte kryeministër i Turqisë.

“Dua të flas shkurt, sot dua të tregoj një episod që nuk për ta harruar kurrë nga takimi i parë fare me presidentin, i cili ishte kryeministër atëherë. Isha i ndrojtur se e njihja vetëm nga tv, dhe ju e dini që nga aty nuk duket shumë i qeshur, dhe kur u takuam më shikonte po nuk buzëqeshte, unë atëherë nuk isha bërë ende kryeministër dhe më thotë: dëgjo, Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën time. Shqiptarët janë në zemrën e popullit turk, unë dëshiroj që të jesh vëllai im, por unë do të them vëlla kur ti si kryeministër të meritosh respektin e popullit tënd”, tha Rama.

Kryeministri tregoi më tutje edhe për dyshimet që shumë në arenën ndërkombëtare kanë për miqësinë e tij me presidentin.

“Pastaj ju e dini vazhdimin, unë jam krenar që mund ta quaj mik veten të Erdogan, madje një gazetare gjermane më pyeti në një konferencë, tha a është e vërtet që jeni miku i tij, dhe e keni vërtet. I thashë jo, e kam shumë mik, nuk e kam mik. E kam frikë këtë përkthyesin, se nuk e di si më përkthen, po nuk kam rrugë tjetër se jam në moshë të thyer për të mësuar turqisht. Por dua të them se kam privilegjin të jem prej vitesh në këtë detyrë, dje kam takuar shumë.

I kam takuar të gjithë burrat e mëdhenj, dhe shpesh herë janë kuriozë të dinë se ç’është kjo miqësi e madhe mes nesh, nga vjen kjo gjë, dhe priren ta shohin si konspiracion, jo Turqia otomane, jo xhami, etj, kurse unë u them: presidenti thotë atë që bën dhe bën atë thotë. Më besoni nuk është e lehtë në diplomacinë e sotme që të gjesh njerëz që Po e kanë po, dhe jo-në, jo”, tha Rama. /TCH

10:39

Erdogan mbërrin në Tiranë, pritet nga Rama dhe shumë të rinj nga Shkupi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka mbërritur në Tiranë.

Ai është pritur nga kryeministri Edi Rama, ndërsa në Aeroportin e Rinasit ka pasur edhe qytetarë, që me flamuj të Shqipërisë e të Turqisë, e kanë pritur presidentin turk.

Mediat e Shqipërisë shkruajnë se në pritje të Erdoganit kanë ardhur edhe qytetarë nga Shkupi.