6 perditesime
21:48

Zv.ministrja e Drejtësisë s’tregon a e denoncoi prokurorin që arsyetoi dhunën në familje

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, e ka quajtur “çështje fenomenin” faktin që një prokuror në Kosovë në një rast i ka thënë se “nëse një burrë e rrah dikë një herë, s’do të thotë se e bën edhe për herën e dytë”. Në “Tempus” të KTV-së, ajo s’ka pranuar të tregojë se a e ka denoncuar.

“Jemi përballur me situatë ku vendimet ndëshkuese kanë qenë të pakta, hetimet e limituara e raportimet janë mbyllur, e s’i kanë pranuar duke i nxitur gratë të mos e raportojnë dhunën. Më mirë ktheu te burri, ‘se të rreh një herë s’do të thotë se të rreh dy herë’. S’po e them unë këtë. Ma ka thënë një prokuror një gjë të tillë”, ka thënë ajo.

E pyetur se përse s’e a e ka denoncuar këtë rast, Shala ka thënë se kjo është “arsyeja përse po ndërmerret një proces i rëndësishëm si vetingu”.

“Është çështje mentaliteti”, ka vazhduar ajo duke komentuar një studim të Rrjetit të Grave në të cilin ka dalë se 57 për qind e grave kanë pranuar se kanë qenë të subjektivizuara ndaj dhunës.

Ajo ka thënë se në Kosovë duhet të punohet në sensibilizim të përgjithshëm.

21:36

Shala për dhunën në familje: Akoma ka institucione që ia hedhin fajin njëra-tjetrës

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, thekson se ka mungesë së bashkëpunimit ndërinstitucional për sa i takon fenomenit të dhunës në familje.

Ajo thotë se kryesuesit e institucioneve nuk e kanë qasjen e duhur në këtë aspekt, pasi sipas saj “ky është një fenomen multisektorial që e kërkon një përgjigje multisektoriale të koordinuar”.

“Një ndër katër objektivat strategjike është pikërisht rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional sa i përket dhunës në familje sepse do të kishim një bashkëpunim ndërinstitucional më të konsoliduara në njëfarë forme, aktualisht gjen situatë ku i sheh në grup koordinues ndërministror, ne akoma kemi institucione që shkojnë duke ua vënë fajin njëri-tjetrit. Kryesues të institucioneve që i thonë njëri-tjetrit 'e ke fajin ti', nuk është qasja e duhur përkundër këtij fenomeni multisektorial që e kërkon një përgjigje domosdoshmërisht multisektoriale të koordinuar nëse dëshirojmë që të shohim sadopak sukses”, ka thënë Shala.

 

21:24

Rezniqi: Institucionet të bashkëpunojnë me bizneset që t’iu ofrojnë punë viktimave të dhunës

Hulumtuesja e IKD-së, Arrita Rezniqi, kërkon që të krijohen mundësi më të mira pune për viktimat e dhunës. Ajo ka thënë se gratë që janë viktimë e dhunës janë të sfiduara në aspektin e marrëdhënies së punës.

Ajo ka kërkuar që të bëhet një zgjidhje për gratë, viktima të dhunës, ku punëdhënësit tha ajo, duhet të krijojnë marrëdhënie pune më afatgjata se 3 muaj.

“Pse jo të kemi një ide bashkëpunimi me bizneset private ku mund të shihet si mundësi. E dimë që është sfidë edhe marrëdhënia e punës në vendin tonë, pasiguria është në aspekt të punës, kështu që të jetë një lloj marrëveshje me bizneset ku u ofrohet grave, viktimave të dhunës. Me kontratë punë për 2-3 vjet de kjo të përkthehet në lirim nga tatimet. Në këtë aspekt të ekzistojë një zgjidhje konkrete për viktimat e dhunës”, ka thënë ajo në Deskun e KOHËS.

Rezniqi ka thënë se sado që ka vullnet nga viktimat për punë, ka raste kur janë me asistencë sociale dhe kur krijohen marrëdhënie pune, asistenca u ndalet. Kjo, shtoi Rezniqi, u krijon frikë viktimave pasi tha se marrëdhëniet e punës shpesh ndalohen pa arsyetim dhe nga ana tjetër edhe asistenca sociale ndalet kur një person fillon punën.

 

21:21

Shala: S’mund t’u shkëputemi faktorëve sociokulturorë, kemi perceptim ndryshe të vajzës e djalit

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, ka thënë se ekzistojnë tre faktorë sa i përket fenomenit të dhunës në familje.

Ndër to Shala, që është koordinatore nacionale kundër dhunës në familje, ka thënë se është edhe faktori socio-kulturor. Ajo ka thënë se ka në thelb një perceptim ndryshe të djalit dhe vajzës.

“Identifikojmë tre faktorë kryesorë që mund të konsiderohen që bashkohen sa i përket fenomenit. Faktorët e rastit apo individual, që lidhen me moshën, edukimin, faktin nëse është e punësuar apo jo gruaja. Faktori i dytë është i situatës, varësisht çfarë situate është familja. Nëse gruaja gëzon të drejtën në pronë apo jo. Faktori i tretë është socio-kulturor. Nuk mund t’u shkëputemi këtyre faktorëve sociokulturorë ku realisht ne në thelb kemi perceptim ndryshe të vajzës me djalin. Iu njohim peshë më të rëndë djalit sesa vajzës në familjet tona”, ka thënë Shala në emisionin “Tempus” të KTV-së. “Është e domosdoshme të shikojmë gjitha nuancat e këtij fenomeni, pse po ballafaqohemi me dhunë në familje”.

21:11

Hoxha: Duhet të krijohen rrethana që viktimat e dhunës mos të jetojnë si të tilla gjatë gjithë jetës

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se duhet të krijohen rrethana që viktimat e dhunës të mos jetojnë si të tilla gjatë gjithë jetës.

Hoxha ka marrë shembull vendet e zhvilluara se si e zhvillojnë politikën e fondit të banesave, që një gjë e tillë sipas saj, mund të bëhet edhe në Kosovë.

“Në vendet e zhvilluara ka politika të ndryshme të fondit të banesave, ku komunat disa banesa i bëjnë si strehimore për këto raste. Një gjë e tillë duhet të bëhet edhe këtu, duhet të ketë një plan. Banesa që i jepet edhe pse e përkohshme, i hapet mundësia një grua që të ketë një jetë të dinjitetshme, të mos ndihet si e dhunuar gjithmonë. Ky është ai qarku që duhet kompletojmë. Banesat duhet të jenë me çmime të përballueshme, që të kenë mundësi të riintegrohen në shoqëri. Apo që të rifillojnë një jetë të re. Prandaj edhe te politikat e banimit, duhet të punohet dhe të shohim se si nga niveli qendror me nivelin lokal mund të bëhet një gjë e tillë. Këto gjëra mund të bëhen edhe në ndërtesa të reja. Çka i kushton komunës që ta jap lejen e ndërtimit për 10 për qind më lirë, në mënyrë që të fitojë disa banesa për këto raste të dhunës. Mendoj që përveç parandalimit dhe vetëdijesimit, duhet të punojmë bashkarisht për të ngritur zërin për këto probleme. Duhet të ketë aktivitete të shumta, qoftë kulturore, që nënat apo fëmijët ta gjejnë veten, mund të ngjallë një emocion të ri për ta, por edhe për shtetin që mund t’i sheh si kapital njerëzor ata”, ka thënë Hoxha në “Tempus” të KTV-së.

20:52

Hulumtuesja e IKD-së: Gratë për shkak të gjendjes ekonomike detyrohen të kthehen te dhunuesi

Hulumtuesja e IKD-së, Arrita Rezniqi, ka thënë se institucionet duhet të koncentrohet në fuqizimin e gruas dhe integrimin e saj ekonomikisht. Në Deskun e KOHËS, ajo ka thënë se duhet të ndërmerren veprime konkrete në fuqizimin e gruas.

Rezniqi ka treguar për rastet që si institut kanë pasur, dhe se si shumë prej grave që kanë raportuar dhunë nga bashkëshortët, janë detyruar të kthehen tek ata sërish për shkak të gjendjes ekonomike. Ajo ka thënë se për një grua, aspekti financiar është tejet i rëndësishëm që ajo të mos jetë e rrezikuar dhe t’i shpëtojë rrezikut në raste kur bashkëshorti është dhunues.

“E kemi pasur një rast që pastaj ajo ka shkuar te shtëpia e saj dhe pas një kohë familja ka qenë e dërrmuar financiarisht dhe nuk kanë pasur mundësi të kujdesen për të dhe fëmijët e saj dhe ia kanë ofruar një zgjidhje. I kanë thënë që r dimë situatën, e dimë sa e rrezikuar je, ti mund të rrish këtu por fëmijët ti dërgosh të bashkëshorti. Ajo e vendosur në këtë situatë, një grua, një nënë nuk vepron në këtë formë, por zgjidhja ka qenë të kthehet te dhunuesi. Kemi qenë duke e trajtuar në fazën e padisë për besim të fëmijës dhe alimentacionit dhe na ka thënë që kam vendosur të kthehem”, ka thënë ajo.

20:42

Dinarama: Institucionet s’kanë ofruar mbështetjen e nevojshme në riintegrimin e viktimave të dhunës

Drejtoresha e strehimores “Shtëpia e Sigurt”, Erblina Dinarama, ka njoftuar se në strehimoren të cilën e drejton kanë pasur mungesë të mbështetjes së institucioneve sa i përket riintegrimit të të mbijetuarave të dhunës.

E ftuar në Tempus të KTV-së, Dinarama tha se për riintegrimin e këtyre viktimave, nevojitet një pako e shërbimeve që duhet t’i ofrojnë gruas duke përfshirë edhe banimin dhe jo vetëm punësimin, pasi që është e vështirë që me rrogën që i ofrohet të paguajnë shpenzimet ku përfshihet edhe qiraja.

Ajo më tej ka shtuar se ekziston qendra për aftësimin profesional se ku të dërgohen gratë për trajnime në kurse të ndryshme, mirëpo asgjë konkrete nuk është ofruar nga organet institucionale dhe komuna për integrimin e tyre.

“Kemi pasur mungesë të një mbështetjeje të institucioneve, ne kemi qendrën për aftësim profesional, ku gratë i dërgojmë atje për trajnime në kurse të ndryshme, por diçka konkrete nga komuna dhe nga organet institucionale nuk ka pasur në riintegrimin e tyre. Unë mendoj që në qoftë se mendon ta riintegrosh një viktimë, duhet një pako e shërbimeve që duhet t’ia ofrojmë gruas, jo vetëm punësimin e nuk i ofrohet banimi, sepse për të është e pamundur në fillim që pasi ta lëshojë strehimoren, vendoset në një punë dhe e gjen një punë, që ta paguajë qiranë e banesës së vet, pasi që është e vështirë me rrogat që ekzistojnë në Kosovë dhe duke e ditur nivelin e shkollimit prej të cilit vijnë viktimat. Niveli i tyre i shkollimit është më i ulët dhe normalisht që kërkohet më shumë punë dhe ndihmë që t’i ofrohet asaj viktime, në këtë rast të mbijetuarës”, ka thënë ajo.