2 perditesime
23:31

Vela: Shteti nuk është funksional në terren

Mjeku internist, Driton Vela, ka thënë se shteti do të duhej të ishte më efikas në zbatimin e rregullave dhe kjo është pjesa ku po çalon më së shumti.

Sipas tij, kjo po ndodhë për shkak se është krijuar një shtet që nuk është funksional në terren.

“Shteti do të duhej të ishte më efikas në zbatimin e rregullave dhe kjo është ajo pjesa ku po çalojnë pasi që e kemi krijuar një shtet që nuk është funksional në terren, duhet ta pranojmë dhe kjo nuk po ndodhë vetëm tani, por është një situatë e trashëguar me dekada”, ka thënë Vela në Interaktiv të KTV-së.

I pyetur nëse do të ishte praktikë më e mirë që lokacionet për t’u dhënë dozat përforcuese të ishin në qendër të qytetit, ai tha se një gjë e tillë do t’ua lehtësonte rrugën qytetarëve dhe do t’i inkurajonte më shumë për të marrë këtë dozë, gjë që sipas tij, nuk po ndodhë tani.

“Një qendër e cila është në periferi të Prishtinës, ajo në Emshir, nuk është se i nxit njerëzit të shkojnë atje pasi që është larg, por qëllimi duhet të jetë që dozën përforcuese ta marrin të gjithë prandaj duhet të kthehemi te qendrat e mëdha në qendër në mënyrë që t’iu lehtësohet rruga qytetarëve që të marrin dozën përforcuese. Kjo nuk po shihet së paku për pjesën e lokacioneve ku jepen dozat e treta”, ka thënë Vela.

23:18

Vela rekomandon shtrëngimin e masave

Internisti Driton Vela ka deklaruar se është pro shtrëngimit të masave për shkak të përhapjes së madhe të koronavirusit.

Ai deklaroi në Interaktiv të KTV-së se ndaj koronavirusit duhet reaguar në mënyrë për ta parandaluar “e jo kur kemi përhapje të madhe të rasteve”.

Vela theksoi se në Kosovë është evidente që s’ka respektim të mjaftueshëm të masave anti-COVID, e kjo sipas tij ka ndikuar në shtimin e rasteve.

“Numri më i madh i testimeve do të thotë se do të detektojë më shumë raste pozitive. Rëndësia e testimeve është e madhe për të parë përhapjen e Omicronit pasi siç dihet përhapet më shpejt. Infeksioni gjatë pandemisë është natyrisht më i lartë se numrat e regjistruar pasi një pjesë e rasteve na ikin”, deklaroi Vela.

Mjeku potencoi tutje se si pjesë e Komisionit ndërministror këshilldhënës, janë takuar disa herë për t’i dhënë propozimet për menaxhimin e pandemisë.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është shënuar rritje e numrit të hospitalizimeve”, shtoi ai.

Ai tha se mënyra më e mirë e parandalimit të përhapjes së pandemisë është evitimi i grumbullimeve dhe respektimi i masave si mbajtja e maskës, distanca dhe higjiena.

23:10

Vela: Doza përforcuese rikthen mbrojtjen 70-80%

Driton Vela, mjek internist, ka thënë se doza përforcuese e vaksinës anti-COVID, e rikthen nivel mbrojtës ndaj infeksionit në vlerat 70-80%.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Vela ka thënë se tek ata që i kanë marrë vetëm të dy dozat e vaksinës, dhe kanë kaluar më shumë se 5-6 muaj pas marrjes, atëherë efikasiteti i vaksinës bie nën 30%.

Kjo deklaratë e Velës vjen në kohën kur në Kosovë është rritur dukshëm numri i rasteve pozitive me koronavirus. Vetëm në 24 orët e fundit, janë regjistruar 2,050 raste të reja.

“Ata të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës dhe tek të njëjtit ka kaluar një periudhë e gjatë kohore, sidomos mbi 5-6 muaj, atëherë tek ata efikasiteti i vaksinës ndaj infeksionit është i ulët, madje edhe nën 30%. Nëse të njëjtit e marrin dozën përforcuese niveli mbrojtës ndaj infeksionit rikthehet diku në vlerat 70-80%. Fatmirësisht vaksinat të cilat i kemi marrë na mbrojnë mjaft mirë nga pasojat e rënda të COVID-it edhe gjatë valës Omicron, që janë hospitalizimet dhe vdekjet”, ka thënë Vela.

Sipas tij, vaksina dhe infeksioni paraprak e kanë krijuar murin mbrojtës, duke mos lejuar rritjen e numrit të fataliteteve në Kosovë, pavarësisht rritjes së rasteve të reja ditore.

Vela po ashtu ka sqaruar se numri aktual i hospitalizimeve nuk është tregues i situatës aktuale, pasi siç ka thënë, njerëzit që përfundojnë në spitale, janë infektuar një javë më parë.

Në Kosovë deri më tani dozën përforcuese të vaksinës e kanë marrë vetëm 40.561 persona, dozën e tretë, 2,191 persona, ndërkaq, dozën e dytë deri tani e kanë marrë 798,225 persona.