Haxhiu: Vaksinimi i dështuar, s’ka pasur masa stimuluese për të vaksinuarit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se vetë Qeveria e Kosovës ia ka dhënë goditjen më të madhe procesit të vaksinimit.
Në “60 Minuta” të KTV-së, Haxhiu ka thënë se Qeveria kur ka vendosur masa anti-COVID, asnjëherë nuk e ka bërë dallimin mes atyre që janë të vaksinuar dhe atyre që nuk janë të vaksiunuar.
Sipas tij, nuk ka pasur masa stimuluese për të vaksinuarit.
“Goditjen më të madhe procesit të vaksinimit ia ka dhënë vetë Qeveria, sa i përket masave të cilat i ka ndërmarrë të njëjta, për të gjithë qytetarët. Nuk ka pasur asnjë stimulim për qytetarët që janë vaksinuar. Si për ata që janë vaksinuar, janë vendosur kufizime në gastronomi. Masat kanë qenë të njëjta, ora policore ka qenë e njëjtë. Ndonëse shifrat ishin njëshifrore, ne kemi pasur orë policore. Kjo e dekurajoi procesin e vaksinimit, prandaj ata që veç kishin dilema, e panë që është njëjtë”, ka thënë Haxhiu.
Ai ka thënë se procesi i vaksinimit në Kosovë është i dështuar dhe se Kosova ka pasur kapacitet për më shumë se 50 mijë vaksinime në ditë.
“Procesi i vaksinimit është proces i dështuar për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Është dashur të blihet edhe më shumë por është dashur të ketë një proces edhe më të shpejtë të vaksinimit. Kemi pasur 239 ekipe të vaksinimit që kanë kryer shumë pak vaksina në ditë. Në fillim kur interesimi i qytetarëve ishte shumë i madh për tu vaksinuar, kanë krijuar barriera, radhë të gjata të pritjes, lista të gjata të pritjes. Unë jam detyruar të shkojë në marr vaksinën në Skenderaj, në vendlindje edhe pse prej vitit 1978 jeton në Prishtinë. Kosova ka pasur kapacitete të bëjë më shumë se 50,000 vaksinime në ditë”, është shprehur Haxhiu.
Sa i përket masave, Haxhiu ka thënë se ora policore dhe shkurtimi i orarit të punës për gastronominë, janë të gabuara.
Kosova vetëm gjatë ditës së enjte ka shënuar 2708 raste pozitive me COVID-19.
Që nga fillimi i procesit të vaksinimit, në mars të vitit 2021, në Kosovë janë administruar mbi 1 milionë e 700 mijë doza të vaksinës anti-COVID.
Me dozë të dytë deri më tani janë vaksinuar afro 800 mijë persona, me dozë të tretë afro 2200, ndërkaq me dozë përforcuese, deri më tani janë vaksinuar mbi 43 mijë persona.
Numri i rasteve aktive me koronavirus aktualisht është 9771.