2 perditesime
23:35

Muja: Qeveria nuk e kontrollon krizën energjetike

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund ta kontrollojë krizën energjetike në vend.

Muja ka thënë në Interaktiv të KTV-së se Qeveria mund të premtojë vetëm se nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë së prodhuar në Kosovë.

“Është një krizë energjetike të cilën Qeveria nuk e kontroll. Është një krizë energjetike e rrymës së importuar, që Qeveria thjeshtë nuk e kontrollon çmimin e energjisë së importuar. Mirëpo çka Qeveria e kontrollon dhe po e premton është se nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë që prodhohet nga KEK-u. Ajo çka ne prodhojmë nuk ka shtrenjtim. Por këtë pjesën që ne duhet ta importojmë dhe këtë import e marrim me çmime shumë të shtrenjta”, është shprehur Muja.

23:23

Muja: Do të shkëpusja kontratën me KEDS-in

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, ka deklaruar se është pro shkëputjes së kontratës ndaj Kompanisë për Distribuim të Energjisë (KEDS), për shkak se sipas tij s’i ka përmbushur kërkesat e caktuara.

Ai deklaroi në Interaktiv të KTV-së se duhet të pritet një verifikim i fundit i punës së KEDS-it, pasi aktualisht po mungojnë dy raporte të Auditorit.

“Duhet të bëhet një verifikim i fundit, po mungojnë dy raporte të auditimit për të pasur një pasqyrë më të plotë, deri në daljen e dy raporteve por edhe një proces të monitorimit të ZRRE-së. Jam i bindur që edhe faktualisht s’ka pasur sukses privatizimi i KEDS-it. Unë do ta nacionalizoja, do e shkëpusja kontratën me rrjetin e shpërndarjes, sado që nuk e di për deputetët e tjerë, edhe Qeveria ka një mendim të njëjtë”, deklaroi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në Interaktiv janë përmendur një varg ankesash ndaj KEDS-it, siç janë largimi i një numri punëtorësh nga puna, mosminimizimi i humbjeve në rrjet, mosinvestimet e duhura dhe humbjet e sivjetme.

Muja ka potencuar se duhet të pritet deri më 28 janar për të parë vendimin për rritje ose jo të çmimit të energjisë elektrike.

23:15

Muja: ZRRE-ja u ka lejuar KEDS-it dhe KESCO-s fitime milionëshe

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, ka akuzuar Zyrën e Rregullatorit të Energjisë se iu ka lejuar KEDS-it dhe KESCO-s, fitime milionëshe para kohës së ardhjes së Qeverisë Kurti në pushtet.

I ftuar në Interaktiv të KTV-së, Muja thotë se shkalla e fitimit që nga procesi i privatizimit ka qenë e lartë.

I pyetur se pse KEDS nuk po i pranon edhe humbjet ashtu sikurse fitimet të cilat kanë qenë milionëshe, duke e bërë kështu Qeverinë të ketë obligime, Muja tha se po të bëhej një analizë 10-vjeçare, sipas tij del që çdo kërkesë që ka bërë KEDS dhe KESCO, kanë shkuar në aprovim pothuajse të tërësishëm, fitimin e kanë marrë për vete ndërsa riskun e ka marrë mbi supe populli i Kosovës.

“Këtë vit ka mjaftuar një krizë energjetike në Evropë që ne pastaj t’i përjetojmë pasojat e neglizhencës që i kemi bërë sektorit që 20 vjet. Shkalla e fitimit që nga procesi i privatizimit, KEDS e KESCO midis vitit 2019 dhe 2021 kanë pasur një fitim përafërsisht 150 milionë euro. Kjo është e vërteta në bazë të pasqyrave të tyre financiare. ZRRE-ja ua ka lejuar KEDS-it të hyra vjetore rreth 100 milionë euro, këtë e ka bërë para se të vijmë ne në pushtet. KESCO-s ia ka lejuar diku 238 milionë euro, KOSTT-it diku rreth 40 milionë euro. Këto planifikime i ka bërë ZRRE-ja, e cila në atë kohë ka qenë e nominuar prej PDK-së dhe AAK-së. Që nga viti 2017 nëse e merr një analizë 10 vjeçare, mendoj që çdo kërkesë që ka bërë KEDS dhe KESCO, kanë shkuar në aprovim pothuajse i tërësishëm, fitimin e kanë marrë për vete, riskun e ka mbajtur populli i Kosovës”, ka thënë Muja.