3 perditesime
12:06

Osmani e Kurti: Rugova arriti ta bëjë bashkë popullin e Kosovës në një kohë shumë të vështirë

Presidentja e Kosovës dhe kryeministri kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Rugova është shndërruar në fytyrën e shtetit. Ajo tha se pavarësisht kohës së vështirë në të cilën veproi ai, Rugova arriti t’i bëjë bashkë shqiptarët.

“Bëri shumëçka për shtetin tonë sa që është shndërruar në fytyrën e këtij shteti që sot në çdo damar e ka ndikimi që e pat presidenti Rugova përgjatë jetës së tij. Punoi dhe veproi në një kohë shumë të vështirë të okupimit, por arriti ta bëjë bashkë popullin e Kosovës dhe arriti që për Kosovën të ndërtojë miqësi aq të mëdha. Ne sot e gëzojmë shtetin tonë por edhe këto miqësi që i ndërtoi Rugova”, tha ajo.

Kurse kryeministri Albin Kurti tha se veprimtaria e Rugovës sivjet shënon 20 vjetorin si president në Kosovën e çliruar dhe të lirë dhe 30 vjetorin si president i parë i Kosovës.

“Doktor Ibrahim Rugova edhe para se të ishte president, ishte intelektual i angazhuar, paqësor e i qetë. Ai dha kontribut tejet të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore dhe në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës”.

11:21

Haradinaj: Kam përfituar shumë nga Rugova, bashkëpunuam ngushtë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova në përvjetorin e vdekjes së tij.

Haradinaj në Facebook ka shkruar se me Rugovën bashkëpunuan ngushtë në një fazë të shtetndërtimit.

“Urtësia dhe filozofia politike e Presidentit Ibrahim Rugova, mbeten ndër modelet më të avancuara të të bërit politikë. Unë kam përfituar shumë, sepse në një fazë të shtetndërtimit të Kosovës kemi bashkëpunuar ngusht. I përjetshëm kujtimi për Presidentin historik Rugova”, ka shkruar Haradinaj.

Image
10:32

Abdixhiku: Vizionin e Rugovës e kemi obligim ta vazhdojmë me partneritetin me SHBA-në

Në 16-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe pranë varrit të tij.

Nga aty, Abdixhiku ka thënë se Rugova jo vetëm që punoi për shtetin e Kosovës, por jetoi me këtë ide. Tha se ish-presidenti mbetet një patriot i papërsëritshëm, teksa tha se obligim i tyre mbetet partneriteti me SHBA-në, anëtarësimi në BE e NATO.

“Sot bashkë me anëtarë të LDK-së me struktura të LDK-së kemi ardhur të bëjmë nderime për atin themeltar të Kosovës, për presidentin historik të Kosovës. Rugova mbetet një patriot i papërsëritshëm që dha vizionin e së ardhmes së Kosovës. këtë vizion e kemi obligim ta shtrojmë edhe sot, Kosova shtet i pavarur dhe sovran, në partneritet me SHBA e anëtarësuar në BE dhe NATO. Është më tepër se vizion, është udhërrëfim”, u shpreh Abdixhiku.

09:19

Osmani: Rugovën do ta mbajmë si udhërrëfyes se si punohet për shtet

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugovën në 16 vjetorin e vdekjes së tij.

Ajo ka thënë se Rugova jo vetëm se punoi për shtetin e Kosovës, por “jetoi me këtë ide”.

“Rugova kishte vizion për Kosovën atëherë, por edhe për Kosovën tash”, ka shkruar ajo në Facebook, kurse ka përsëritur fjalët që Rugova kishte thënë.

“Kur ai foli për shtetin e pavarur të Kosovës, realizimi i idesë dukej jo vetëm i vështirë, por edhe i largët. Ai ishte njeriu që trasoi hapat e bërjes së shtetit, duke shndërruar trinomin: liri, pavarësi dhe demokraci në boshtin e aktivitetit për Kosovën shtet. Që të trija u bënë realitet bashkërisht me shtetin e Kosovës”, shkroi Osmani.

Osmani shtoi se Rugovën do ta mbajë udhërrëfyes se si punohet për shtet.

“Emri i presidentit Rugova është përbrendësuar në secilin damar të shtetit. Fytyra e shtetit është ai. Shtetin do të vazhdojmë ta mbajmë me miq, siç këshillonte ai, e Rugovën do ta mbajmë si udhërrëfyes se si punohet për shtet”.

 

Kur ai foli për shtetin e pavarur të Kosovës, realizimi i idesë dukej jo vetëm i vështirë, por edhe i largët. Ai ishte...

Posted by Vjosa Osmani on Friday, January 21, 2022