1 perditesime
14:30

Gjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt, ekspertja thotë se nuk e përfshiu në raport të saj legjislacionin e Kosovës

Në  gjykimi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt e ka përfunduar dëshminë e saj ekspertja Anna Myers, e cila ndër të tjera ka thënë se në raportin e saj, nuk e ka përfshirë legjislacionin e Kosovës.

Gucati dhe Haradinaj po akuzohen për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së premtes, dëshmitarja Myers është përgjigjur në pyetjet sa i përket sinjalizimit, sinjalizuesve, të drejtat e tyre, mënyrat si mund të bëhet sinjalizimi, mbrojtja që u ofrohet sinjalizuesve dhe si rregullohet sinjalizimi në bazë të ligjeve.

Duke u përgjigjur në pyetje të prokurorisë, dëshmitarja Anna Myers, ka deklaruar se  nuk e ka lexuar Ligjin për Dhomat e Specializuara, as para përgatitjes së raportit e as pas tij.

Ajo tha se ka dhënë informacion në bazë të informacioneve të saj, përvojës dhe i është referuar jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj).

Prokuroria e ka pyetur se a pajtohet që ligji i Kosovës për mbrojtjen e sinjalizuesve nuk zbatohet para institucionit që gjenden sot, dëshmitarja e pohoi një gjë të tillë.

“Bazuar në çka më thatë sot, pajtohem se nuk zbatohet”, tha Myers.

Ajo duke u përgjigjur në pyetje të prokurorisë tha se pajtohet me paragrafin 2 të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Neni 10 parasheh lirinë e shprehjes dhe paragrafi 2 thotë se ushtrimi i këtyre lirive përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.

Dëshmitarja ka thënë se një sinjalizues që jep dëshmi jo domosdoshmërisht duhet të jetë në marrëdhënie pune.

Ajo gjithashtu u pajtua se sipas ligjit kosovar, personi që jep informacion ndër të tjera duhet që të mbrojë të dhënat personale dhe mos cenojë procedurat gjyqësore.

Kurse, ajo tha se këtë nuk e ka përfshirë në raportin e saj, pasi nuk i është kërkuar që të analizojë legjislacionin kosovar.

“Unë e kam rishikuar atë në kuadër të jurisprudencës të GjEDNJ”, ka thënë Myers.

Ajo ka konfirmuar se ligji për nxjerrjen e informacionit për interesin publik, i vitit 1999 i Mbretërisë së Bashkuar nuk mbron personin që kryen vepër penale me nxjerrjen e informacionit.

Prokuroria ka thënë se në çështjen “Guha”, flitet për veprimin ose sjelljen që donte të raportonte personi.

Myers është pyetur se a është dakord me prokurorinë se interesi publik nuk është e njëjta si me një person apo disa persona që nuk  janë dakord me një politikë apo një ligj apo diçka.

“Jam dakord deri në masën që bëhet fjalë për një pozicion personal, do të thotë nëse jam e inatosur apo zemëruar me mënyrën si veprohet nga dikush, kjo nuk mbulohet, interesi publik është shumë i gjerë dhe për këtë arsye i takon gjykatës të përcaktojë deri ku është kufiri i interesit publik”, ka thënë ajo.

Prokuroria ka kërkuar të di nëse kur një person apo disa persona nuk janë dakord me një ligj që njihet publikisht, a mund të kërkohet për mbrojtje të interesit publik dhe mbrojtje të sinjalizuesve.

“Është pyetje hipotetike shumë e madhe, mbase jo por nuk mund ta përjashtoj tërësisht, opinioni i dikujt mbi një ligj të caktuar me shumë gjasa mund të mos mbulohet nga mbrojtja”, tha Myers.

Tutje ka thënë se sinjalizimi mund të bëhet edhe për diçka që nuk mohohet, e se e njëjta mund të bëhet për shkak të dëmit.

Dëshmitarja ka thënë se do të këshillonte se nxjerrja publike të jetë opsioni i fundit, por tha se është dakord se nxjerrja mund të bëhet edhe direkt ndonjëherë.

Tutje, ajo ka thënë se rreziku i dëmit duhet të shikohet në dy fusha, së pari besimi i arsyeshëm i individit se cili mund të jetë dëmi dhe se një pjesë e dëmit të gjërave duhet të paraqiten nga palët që pretendojnë se ka dëm dhe kjo është diçka që është ngritur në disa çështje të gjykuara.

Më pas, gjatë rimarrjes në pyetje nga mbrojtja, dëshmitarja ka thënë se çështjet që ka trajtuar sot janë parime universalisht të zbatueshme, pavarësisht juridiksionit.

Myers është përgjigjur edhe në pyetjet, të cilat ia ka parashtruar trupi gjykues.

12:59

Gjykimi ndaj Gucatit e Haradinaj, ekspertja dëshmon rreth sinjalizimit dhe interesit publik

Gjykimi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt po vazhdon me dëgjimin e ekspertes Anna Myers, e cila po dëshmon rreth sinjalizimit dhe interesit publik.

Kjo dëshmitare, gjatë dëshmisë së saj në seancën e së enjtes, është duke u përgjigjur në pyetjet sa i përket sinjalizimit, sinjalizuesve, të drejtat e tyre, mënyrat si mund të bëhet sinjalizimi, mbrojtja që u ofrohet sinjalizuesve dhe si rregullohet sinjalizimi në bazë të ligjeve.

Dëshmitarja Anna Myers ka thënë se është drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit Ndërkombëtar të Sinjalizuesve që nga viti 2018 dhe e njëjta tha se është juriste/avokate dhe është pjesë shoqërisë ligjore në Angli dhe Wells.

Sipas saj, shumë vëmendje është dhënë ndër vite për faktin që sinjalizuesit në vendin e punës të kenë mundësi të fitojnë edhe nga mbrojtja.

Sipas saj, sinjalizuesit në vendin e punës mund të kenë të bëjnë me gazetarët apo organizata si rrjeti i saj apo të ngjashme.

Ajo tha se jep këshilla edhe sa i takon sinjalizuesve në vendin e punës edhe atyre që nuk ndërlidhen me vendin e punës.

“Sa i takon rrjetit që unë menaxhoj, ne punojmë me OJQ një pjesë e të cilave janë organizata që jepin mbështetje për sinjalizuesit, disa jepin këshillim juridik, të tjerë janë të përfshirë në fushata dhe mbështetje”, tha ajo, si dhe shtoi se rrjeti përbëhet nga 14 anëtarë, pra organizata.

“Nëse një individ është përpjekur të ngreh shqetësime me organizatën e vet dhe nuk ka marr asnjë përgjigje, atëherë i takon të bësh informacionin publik, është rrugë e pranueshme për të apo jo?”, ka pyetur avokati Toby Cadman.

Dëshmitarja tha se është ashtu, por se mendon se mund të shkohet edhe te ndonjë gazetar dhe ata pastaj në bazë të etikës profesionale mund të vendosin në bërjen publike apo jo.

Tutje shtoi se publike mund të bëhet edhe vet nga sinjalizuesit, si përshembull përmes rrjeteve sociale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo ka thënë se organizata e saj u ka dhënë këshilla individëve që kanë zgjedhur një kanal raportimi.

“Duhet të sigurohet qarkullimi i lirë i informacionit për të siguruar llogaridhënien institucionale. Nëse ka bllokim, në fund të fundit publiku ka të drejtë të di çka po ndodh, çka po i prek, dhe duhet të bëhet publike”, ka thënë Myer.

Tutje, tha se të gjithë e kuptojnë se kur del në publik është rast i vështirë për tu menaxhuar, por jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Ajo tha se njerëzit që mbështesin sinjalizuesit apo organizatat e shoqërisë civile gjithmonë më shumë po vihen në shënjestër dhe se sinjalizuesit i drejtohen organizatave të shoqërisë civile dhe gazetarëve.

Ajo është pyetur se cilat janë kriteret apo parimet që duhet përcaktuar për bërjen publike të informacionit, për çka u përgjigj: “Vendimi në çështjen “Guha” është në nivel të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut pastaj ka nivele të ndryshme, është eliminuar kriteri i mirëbesimit. Çka ka bërë GJEDNJ dhe këtu mbështetem te përvoja ime, nxjerrja publik i informacionit shikohet nga disa aspekte, të cilat do të përcaktonin nëse duhet mbrojtur apo jo personi, ka të bëj me rëndësinë e informacionit, cenimin e interesit publik”.

Tutje, tha se kanë diskutuar më herët nëse sinjalizuesi ka apo jo kanale alternative dhe sa efektive dhe të arritshme janë këto kanale për këta individë.

“Po ashtu interesi publik për informacionin, por ligji për nxjerrjen e informacionit publikisht shikon nëse nxjerrja e informacionit ka shkelur edhe të drejta tjera të njeriut. Autenciteti i informacionit që nxirret në shumicën e ligjeve tani është bërë në mirëbesimin e individit, nuk është proces tërësisht objektiv”, ka thënë ajo.

Sa i përket parimit të interesit publik për informacionin, ajo ka thënë se kjo është një prej gjërave që ka dal në çështjet gjyqësore të GjEDNJ që është pavarësia e autoritetit kompetent, në disa raste është sistemi gjyqësor dhe i prokurorisë.

“Dhe kur ka shqetësime se si funksionojnë këto institucione, është dalja publikisht. E gjitha ka të bëj me llogaridhënien”, ka thënë ajo, duke shtuar se të gjitha këto duhet parë si funksionojnë këto institucione dhe nëse publiku ka interes për këtë është diçka që duhet parë nga gjykata për të parë nëse është arsyeshme apo jo nxjerrja publike.

Dëshmitarja tha se duhet parë nga këndvështrimi subjektiv, objektiv, prandaj nga këndvështrimi i saj nëse është një dëshmitar apo diçka tjetër dhe do të kishte besimin e arsyeshëm, atëherë mund të ndodhet në pozita të mbrojtura.

Sa i përket parimit për autencitetin e informacionit, ajo tha se ky parim siç e ka kuptuar ajo, siç e kanë trajtuar gjykatat, ka të bëjë me arsyetimin e besueshëm të individit nëse beson se ky informacion që ka është i vërtetë.

“Lejohet ta ketë pasur gabim, në të gjitha shoqëritë ka përgjegjësi individi si e merr dhe përçon informacionit por kjo në bazë të njohurive që ka dhe çfarë ekspertize ka”, tha ajo.

Dëshmitarja ka thënë se në rastin “Guha” punëdhënësi ishte person publik dhe nuk ishte dëm informacioni e interesi publik i shërbimit që ofronte punëdhënësi dhe kjo zbulon edhe rëndësinë e kalimit të barrës së provës te pala tjetër

“Në momentin që ke dëshmuar se ke bërë nxjerrje informacioni për interes publik dhe është bërë dëmtim i takon organizatës të vërtetoj që ke dëmtuar në bazë të nxjerrjes së informacionit”, ka thënë ajo, duke shtuar se i takon punëdhënësit të vërtetoj se kanë punuar në mënyrë të përgjegjshme.

Tutje, tha se njëra prej gjërave që nuk duhet harruar arsyeja pse duhet të nxitet sinjalizimi për interesin publik është që të parandalohet dëmi, e se kjo parashikohet edhe në Ligjin për mbrojtjen e vendit të punës, raporton “Betimi për Drejtësi”.