1 perditesime
23:23

Reka: Mos e nënçmomi aleancën ruso-kineze

Blerim Reka, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se nuk duhet nënçmuar aleanca mes Rusisë dhe Kinës, që ka filluar tash e një vjet për ta kontrolluar 1/3-n e botës.

Sipas Rekës, Rusia e ka bërë një aleat të fuqishëm siç është Kina, por shton se SHBA-ja ka filluar mirë t’i kundërpërgjigjet kësaj aleance.

“Mos e nënçmoni aleancën sekrete tash e një vjet, por tash edhe publike, kineze-ruso. Rusia nuk do ta bënte këtë lëvizje në Ukrainë pa e pasur aprovimin e Pekinit. Kjo aleancë u sprovua edhe vitin e kaluar, kur dy anëtarët e përhershme të Këshillimit të Sigurimit, Rusia dhe Kina, bllokuan rezolutën për përfaqësuesen e lartë në Bosnjë. Putini para dy muajve shfaqi një doktrinë e re për një jaltë të re. Në vend të Britanisë, propozoi Kinën të futet në jaltën e re bashkë me SHBA-në dhe Rusinë. Kina është importuesi më i madh i naftës dhe i gazit dhe në situatën kur e ka një mjet të diplomacisë energjetike, Rusia ka fituar nga Kina një aleat të fuqishëm. Rreth 1/3 të botës duan ta kontrollojnë këto dy fuqi, që unë i quaj perandori të vjetra lindore. Dhe SHBA-ja kanë filluar mirë dhe do doja të vazhdojnë me qëndrim të njëjtë ndaj presidentit rus dhe presidentit kinez”, shtoi Reka në “Interaktiv” të KTV-së.

23:09

Reka për konfliktin Ukrainë-Rusi: Deklarata e Blinkenit duhet të merret seriozisht

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Reka, ka thënë se deklarata e sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken, për konfliktin Ukrainë – Rusi duhet të merret seriozisht dhe sipas tij, në zhargonin e diplomacisë kjo është “një tërheqje e fundit e vërejtjes”.

Deklarata e Blinkenit vjen pas takimi që pati sot me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrorv, në Gjenevë. Nga aty, Blinken bëri me dije se nuk do ta lejojnë pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

“E thënë me gjuhë diplomatike, deklarata e Blinkenit është deklarata më serioze që i është dhënë Rusisë viteve të fundit. Në diplomaci kjo do të thotë tërheqja e fundit e vërejtjes. E keni dëgjuar edhe Stoltenbergun, sekretarin e NATO-s, ai e mbështet këtë deklaratë me veprim konkret. Blinken e ngriti zërin edhe në konferencën që pati me shefen e diplomacisë gjermane, e cila ishte në vijën amerikane. Kur e kemi Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe NATO-n përkrah, këtë deklaratë të Blinkenit duhet kuptuar seriozisht. Në administratën e Obamas patëm zbutje ushtarake të SHBA-së ndaj Rusisë. Presidenti Bush e pati rikthyer kërcënimin, ndërsa në kohën e Trumpit kemi zbutje të qëndrimeve ndaj Rusisë, ndërsa presidenti aktual Joe Biden bëri me dije se do t’i kundërpërgjigjet me forcë çdo regjimi që pengon paqen”, deklaroi Reka në “Interaktiv” të KTV-së.