6 perditesime
20:07

S’ka kuorum, shtyhet votimi i mocionit kundër rritjes së çmimit të rrymës

Në mungesë të kuorumit nuk është votuar draft-rezoluta e propozuar nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, në Kuvend kundër rritjes së çmimeve të faturave të energjisë elektrike.

Në sallë ishin vetëm 45 deputetë, kështu që votimi është shtyrë për seancën e të mërkurës.

Në mocionin e prezantuar nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, thuhet që Kuvendi e obligon Qeverinë të refuzojë propozimin aktual të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës dhe të kërkojë propozim alterantiva të reja që kanë për bazë mbrojtjen e konsumatorëve.

Tarifat e reja të shtyhen drejt muajve të verës, në mënyrë që konsumatorët të kenë hapësirë për të bërë zëvendësim të mënyrës se si ngrohin banesat. Çdo propozim eventual i rritjes së tarifave të shoqërohet me normë të reduktuar të TVSH-së në 0. Po ashtu i kërkohet Qeverisë që pa vonesa të procedohet me gazifikimin e Kosovës. Të hapen mundësitë që të investohet në energji solare.

19:39

Selmanaj – Qeverisë: Mos po doni krizë sociale me rrëzuar veten

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se Qeveria mund të shtrenjtojë faturat e energjisë elektrike. Porse do të përballet me reagimet pas një muaji, kur qytetarëve t’u vijnë faturat.

Selmanaj ka thënë se gjitha partitë politike pajtohen me diçka, se kanë dështuar këto 20 vjetë.

“Kam bindjen se gjitha partitë politike pajtohen me diçka, kemi dështuar. E faji është i secilit prej nesh. Nëse sot pas 20 vjetëve flasim për termoncentrale të ndërtuara viteve 60-a e 70-a, e i kemi edukuar njerëzit e Kosovës çfarë është kazani a ka rrjedhje, e së fundi çfarë është bojleri, është tmerri i politikbërjes 20-vjeçare në Kosovë. Ka dështuar projekti Bilfinger, i Kosovës së Re, Contur Globalit, po e dështoni edhe gazin. S’jeni pa faj ju Vetëvendosja. Pasi pothuajse gjitha këto me orë të tëra keni organizuar konferenca e kundërshtuar ato”, ka thënë Selmanaj në Kuvend.

Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po bën thirrje të zbritet në tokë.

“Ne i themi kryeministrit mirë se vjen në realitet. Ky është realiteti në Kosovë. Kërkoj të gjejmë zgjidhje kreative. Të ndalojmë vendimin që është i dëmshëm për njerëzit në Kosovë. Vetëm në dhjetor 57 mijë aplikues të rinj kanë qenë për viza gjermane. E me shtrentju rrymën i thuni qytetarëve se jetë këtu nuk ka. A mos po doni krizë sociale me rrëzu veten si rezultat i krizave. Logjikë tjetër s’ka. Logjika e shëndosh se kupton këtë”, ka thënë Selmanaj.

19:33

Haxhiu i kërkon Qeverisë të japë dorëheqje

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Qeverisë që të dorëhiqet.

Ai ka thënë se Kurti ka dhënë premtime e zotime nga lirimi i çmimeve në gjëra ushqimore e deri te rryma.

Ai ka thënë se me shtrenjtimin e rrymës po i thuhet çifteve të reja mos të shtohen.

“Po ju themi çifteve mos u shtoni se 5 anëtarë familje s’ka gjasa të vijë fatura e rrymës nën 1000 k]”, ka thënë Haxhiu në Kuvend.

Ai ka shtuar se me tarifat e propozuara nga ZRRE, do të pësojnë qytetarët e varfër, pasi ata që kanë para e kanë rregulluar izolin e madje edhe kanë energji solare.

“Beteja e Qeverisë sot është me arsyetu shtrenjtimin e rrymës e jo me opozitën”, ka thënë Haxhiu. “Kur një Qeveri e politikan me pak dinjitet, dështon të realizojë premtimet, ai dorëhiqet. Kjo Qeveri nuk e ka mandatin me shtrenjtu rrymën. Nëse vërtetë dëshiron me mbrojt dinjitetin, të dorëhiqet”.

18:57

Deputeti i VV-së: Vota ime do të jetë kundër rritjes eventuale të energjisë elektrike

Deputeti i Vetëvendosjes, Burim Karameta, ka thënë se vota e tij do të jetë kundër rritjes së faturave të energjisë elektrike.

Ai në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se mendimi i tij është ndryshe, jo për t’u përbashkuar me opozitën, por se do të jetë gjithmonë kundër gjërave që shkojnë në dëm të qytetarëve të Kosovës.

“Gjatë gjithë kohës fushatën e kemi udhëhequr duke thënë se deri tash është bërë politikë me qytetarët, tanë do të bëjmë politikën bashkë me qytetarët. Po bëjë thirrje të bëjmë me qytetarët politikën tani e tutje, të fokusohemi te ta. Deputetë e qytetarë, do të ndajë një mendim ndryshe, jo për t’u përbashkuar me opozitën. Nuk do të jem kundër asnjë dokumenti e asnjë vendimi shqip, ku përfitues janë familjarët tanë. Do të jetë vota ime kundër rritjes eventuale të rrymës”, tha Karameta.


Abazi: Negociatat me “Contur Global” ishin ilegale

Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka thënë se negociatat me “Contur Global” kishin dështuar pasi ishin ilegale.

“Ligji për Prokurim publik kërkonte tri oferta. Negociatat me të u bëjë me një kontraktor të vetëm. Përfundoi ku përfundoi, me dështim katastrofal. Me mungesë të interesit të investitorëve, e të arsyeshmërisë për ndërtimin e termoncetralit. Ishte ilegal”, tha Abazi në Kuvend.

17:46

Kurti: Fantazia nuk është zgjidhje, pritjet e opozitës më të mëdha sesa të popullit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë nga foltorja e Kuvendit se opozita po i përmend deklaratat e tij që kishte dhënë në fushatë zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Kurti ka thënë se nuk është e vërtetë që në ato zgjedhje ka premtuar ulje të çmimeve të energjisë.

“Unë e kam thënë synojmë uljen e çmimeve të rrymës. E me siguri se e synojmë. Por, duhet pasur parasysh se në një fushatë zgjedhore, nuk jap zotime dhe as premtime për vitin e parë, por për 4 vjet”, ka thënë Kurti. “Është interesant që numër i madh i kritikave që i bëhet Qeverisë sonë është sikur të ishim në vitin 2024. Por jemi vetëm në vitin 2022. Nuk është 2024. Pra, nuk jemi në përmbyllje të mandatit, por vetëm në fillim. Pritjet e opozitës për këtë Qeveri janë më të mëdha sesa të popullit. Votuesit po kërkojnë të realizojmë premtimet për 4 vjet, e ju opozita për 10 muaj”.

Kurti ka thënë se çmimet e energjisë në bursë ndërkombëtare janë skandaloze.

Ai ndërkohë ka thënë se në këto 4 vjetët e fundit më së tepërmi qytetarët nuk kanë ditur se sa është çmimi i rrymës, për shkak të heqjes së blloktarifave.

“Numri më i madh që nuk e kanë ditur sa është fatura mujore është në 4 vjetët e fundit. Është bërë më e mirë me u nxehur me energji të KEK-ut sesa me pelet e dru. S’po them shumica, por numri më i madh. Besoj që njeriu është subjekt i dëshirës. Jemi ata që jemi si njerëz, e dëshirojmë. As subvencione, as ç’kyqje e as shtrenjtim. Fantazia nuk është zgjidhje. Ju ftoj të zbrisni në tokë e të diskutojmë”, ka thënë Kurti.

E kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka thënë se “kanë faj” qeveritë e kaluara që nuk është rritur çmimi i energjisë për 20 vjet.

“Ka fajtor, një prej tyre jam unë”, ka thënë Haradinaj.


Musliu-Kurtit: Rri more rri, mos u frikëso o kryeministër

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu e ka quajtur frikacak kryeministrin Albin Kurti, gjatë fjalimit të saj në Kuvend rreth shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Kurti, pasi deputetja Musliu nisi akuzat ndaj tij, doli nga seanca. Kjo shkaktoi reagimin e Musliut e cila i kërkoi që të kthehej në seancë. Madje, në gjithë këtë ka ndërhyrë edhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca duke i thënë Musliut: “Mos ma kërcëno kryeministrin Gane”.

“Albin Kurti i super premtimeve, sot është shndërruar në një kryeministër të super arsyetimeve. Rri more rri, mos u frikëso o kryeministër, mos ik prej përgjegjësive, hajde ulu këtu, hajde! Frikacak. Si rezultat ky kombinim është se kjo e vërtetë është Albin Kurti i super shfajësimeve. Ky njeri po sillet thuajse kriza e energjisë paska ardhur brenda natës, përderisa fajëson 20 vjet qeverisjeje para tij, merr me mend sikur Thaçi të të propozonte rritjen e çmimeve të energjisë, Kosova do të digjej flakë nga Albin Kurti dhe kompania e tij”, tha Musliu.

17:30

Rizvanolli: Kriza i ka shpërfaqur të gjitha dobësitë e sistemit tonë energjetik

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se kriza energjetike në Kosovë ka shpërfaqur mangësitë dhe dobësitë e sistemit energjetik, e të cilat erdhën si pasojë e vendimeve të gabuara apo mosvendimeve për 20 vitet e kaluara.

Rizvanolli ka thënë në Kuvend se nuk ka mundur të bëhet asgjë më tepër sa i përket kësaj, pasi për të ndërtuar kapacitete ajo shtoi se duhen 6 vjet e për të ndërtuar ndonjë bllok të Kosovës A dy vjet.

“Nuk ka mundur të bëhet për 6 muaj kjo”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur edhe në lidhje për blerje të energjisë me kontrata afatgjate. Ajo ka thënë se të gjitha shtetet në Evropë janë me kontrata ditore.

“Kriza i ka shpërfaqur të gjitha mangësitë e dobësitë e sistemit energjetik, që erdhën si pasojë e vendimeve të gabuara apo mosvendimeve gjatë 20 viteve të kaluara. Por, duhet ta shohim mundësi për të bërë gjërat më mirë, siç duhet”, tha Rizvanolli.

E ndaj saj ka reaguar fillimisht shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, që përmendi kontratën afatgjate që ka “Ibër-Lepenci”, ku po shet energji me 50 euro për megavat apo 60, e që është dhjetëfishtë më e ulët se çmimi në treg. Tahiri po ashtu ka kritikuar mungesën e bashkëpunimit me Shqipërinë.

“Qysh është e mundur që në vitin 2019 dhe 2020 kemi pasur shkëmbim deri 100 mijë megavat me Shqipërinë, e vitin e kaluar vetëm 7000 megavat”, ka pyetur Tahiri.

E Hykmete Bajrami e LDK-së, ka shtuar se me propozimet e ZRRE-së për blloktarifa, e vendimin e Qeverisë për subvencionim të energjisë me 75 milionë euro, po subvencionohen 69 për qind të ekonomive familjare e bizneseve, ndërsa pjesa tjetër po ngarkohet me 107 për qind rritje të tarifës.

“Kjo është diskriminuese”, ka thënë Bajrami.

Ajo ia ka përmendur rastin e Maltës që ka kontrata afatgjate për energjinë. Po ashtu kritika kanë pasur edhe dy deputetët tjerë të LDK-së, Armend Zemaj e Besian Mustafa. Ata i kanë kërkuar ministres Rizvanolli të shpjegojë se nga do të merren 75 milionë euro për subvencionim të energjisë elektrike.

Rizvanolli: Kontrata e “Ibër-Lepecenti” ka klauzolë arbitrazhi

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në replikën e saj ka thënë se kontrata e “Ibër-Lepecenit” për shitje të energjisë kishte klauzolë arbitrazhi.

“Kontrata kishte klauzolë arbitrazhi si shumë kontrata tjera që janë lidhur nga institucionet tona e ndërmarrjet publike që na kushtojnë me qindra e mijëra euro në muaj apo miliona. Kontrata s’ka mundur të ndërpritet. Pasi dëmet mund të ishin më të mëdha sesa përfitimet nga ndërprerja”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo ka shtuar se ajo kontratë është lidhur nga një kryshef i Ibër-Lepencit që ishte emëruar nga qeveritë e kaluara dhe nga një Bord po ashtu i emëruar nga qeveritë e kaluara.

“Bordi që e kemi vendosur ne e ka dërguar kontratën në Krime Ekonomike në Polici. Ndërmarrja e ka marrë dënimin nga ZRRE-ja. E besoj se do të përfundojë në Prokurori. Shpresoj të ndërpritet kontrata pa dëme ekonomike për kompaninë”, ka thënë Rizvanolli.

Sa i përket bashkëpunimit me Shqipërinë ka thënë se Shqipëria është goditur ndoshta më rëndë se Kosova në këtë krizë energjetike.

E për 75 milionë euro se nga do të merren, ka thënë se beson se do të jetë nga kontigjenca, ku janë ndarë 100 milionë euro për sivjet. Apo edhe nga mjetet për rimëkëmbje nga pandemia.

16:51

Zemaj: Kryeministër, ju ka humbur rruga në oborr

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se është vonuar në veprime sa i përket krizës energjetike.

Zemaj në fillim të fjalimit ka treguar një lajm se si një australian ka telefonuar Policinë e ka thënë se ka humbur. Ai ka treguar se australiani kishte humbur në oborrin e shtëpisë së vet.

“Kryeministër ju ka humbur rruga në oborr, s’po dini qa me na thënë neve e as qytetarëve të Kosovës”, tha Zemaj.

Ai ka thënë se derisa shtetet tjera po mendonin qysh vitin e kaluar për krizën energjetike, Kosova nuk e kishte prioritet këtë.

“Atë kohë derisa Greqia filloi të merrej me krizën energjetike, debati aty ishte si të ndihmohen ekonomitë e mesme dhe qytetarët me ardhura të pakta, kryeministri i jonë po mbante ligjërata për Platonin e Aristotelin në Greqi. Jeni vonuar, s’keni qenë serioz nuk keni qenë hap me kohën”, ka thënë Zemaj.

Ndërkohë deputetja e AAK-së, Time Kadrija, i ka përmendur Kurtit rezultatin jo të mirë të Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale.

“Kurgjo nuk ishte Shën Valentini çka ishte shën balotazhi. Ishit partia me më së paku komuna të fituara”, ka thënë Kadrija.

Ajo e kritikoi Qeverinë për krizën energjetike. Ndërsa ka folur edhe për masat e reja anti-COVID të Qeverisë ku për hyrje në Kosovë kërkohet një qytetar të jetë i vaksinuar me tri doza, apo dy doza dhe test PCR jo më të vjetër se 48 orë.