2 perditesime
23:29

Rizvanolli: Rritja e tarifave të energjisë është e pashmangshme

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se është e pashmangshme rritja e tarifave të energjisë elektrike. Ajo ka thënë se kjo është e dhimbshme si për qytetarët ashtu edhe për Qeverinë.

“Megjithatë është situata ku gjendemi. Është e dhimbshme kjo situatë. Nuk kemi ndërtuar kapacitete të reja për prodhim të energjisë në këto 22 vjet, po flas për pasluftën, pasi janë mbi 40 vjet që nuk janë ndërtuar kapacitete të reja. Nuk kemi kapacitete të mjaftueshme për të mbuluar konsumin, sidomos gjatë dimrit, e po ashtu kemi hequr blloktarifën. Na ka lënë të ekspozuar ndaj një krize të jashtme. Tregtarët nuk të pyesin sa e ke GDP, e blen rrymën me çminm të tregut. Është një rritje që duhet të ndodhë, është e pashmangshme nëse duam të kemi furnizim me energji”, ka thënë Rizvanolli në Interaktiv të KTV-së.

Ajo ka thënë një opsion është që të subvencionohet komplet importi nga Qeveria e që do të kapte çmimin mbi 130 milionë euro.

“Na duhet të mendojmë a është më mirë të shkojmë me subvencion të plotë të energjisë, e të mos e ketë sinjalin konsumatori se duhet kursyer energjia. Buxheti total për Ministrinë e Ekonomisë sivjet është 33 milionë euro. Ne aktualisht po flasim për 75 milionë euro subvencionim, e ta subvencionojmë tërësisht do të arrijë në 130 milionë euro. Janë të dhimbshme për ne si Qeveri, pasi ka mënyra më të mira për të shpenzuar paratë. E dhimbshme për qytetarët që duhet paguar nga buxheti i tyre”, ka thënë Rizvanolli.


Rizvanolli: Nuk ka marrëveshje me Maqedoninë V. për shitje të thëngjillit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po ashtu ka folur për strategjinë e Qeverisë Kurti për energjinë. Ajo ka thënë se synim është përqendrimi te energjia e ripërtritshme dhe deri në vitin 2021 të arrihet 25 deri 30 për qind e prodhimit të energjisë nga kjo.

Ajo po ashtu ka thënë se në strategji që do të diskutohet është edhe rindërtimi i dy blloqeve të Kosovës A, e po ashtu edhe prodhimi i energjisë nga gazi.

Rizvanolli ka shtuar se nuk përjashtohet edhe ndërtimi i kapaciteteve të përbashkëta të gazit me ndonjë shtet fqinj, me Shqipërinë në radhë të parë.

Sa i përket ndërtimit të ndonjë termocentrali të ri ajo ka refuzuar këtë opsion.

Ndërkohë po ashtu ka thënë se nuk ka ndonjë marrëveshje të finalizuar me Maqedoninë e Veriut për shitje të thëngjillit.

“Nuk kemi aktualisht marrëveshje. Maqedonia ka interesim për të importuar thëngjillin nga ne. Kemi pasur takim me ministrin e Maqedonisë, KEK-un dhe ESM-në e Maqedonisë. Jemi dakorduar që drejtorët e kompanive të shohin mundësitë. Idealisht do të ishte për ne këmbimi i thëngjillit me energji elektrike. Por varet kur kanë kapacitete të lira për eksport, e sasinë e thëngjillit që kërkohet”, ka thënë Rizvanolli në Interaktiv të KTV-së.

23:19

Rizvanolli: Borxhet në sistemin energjetik kanë arritur në 100 milionë euro

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se janë afro 100 milionë euro borxhe që janë shkaktuar në sistemin energjetik në Kosovë dhe se është e pashmangshme rritja e faturave të energjisë.

“Aktualisht janë gati 100 milionë euro borxh në sistem energjetik”, ka thënë Rizvanolli në Interaktiv të KTV-së.

Ajo ka thënë se raporti i ZRRE-së është në fazën e konsultimeve, porse nuk duhet krijuar iluzione.

“Nuk duhet të kemi iluzione që këto 130 e diçka milionë euro që ZRRE-ja ka kalkuluar se mungojnë nga sistemi, nuk mund të kemi iluzionin që të zbresin në 60 milionë euro apo 20 milionë apo 0. E kemi pasur këtë të qartë para raportit të ZRRE-së, normal nuk i kishim shifra të sakta, por është pritur që ndikimi të jetë i madh. 40 për qind të energjisë së konsumuar në dhjetor e janar deri para disa ditëve e kemi importuar. Çmimet kanë shkuar deri 7-fishë krahasim me çmimin e normales në treg. Në kushte të tilla ka qenë e parashikueshme që ndikimi në tarifa të jetë i madh”, ka thënë Rizvanolli.

23:03

Rizvanolli: Qeveria përkrah kthimin e bllok tarifës

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u shpreh se dikasteri që ajo drejton ende nuk i ka gati komentet në lidhje me propozimin e ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës.

Ajo në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se për këto komente ka afat deri më 28 janar, porse ka diçka që qysh tash është e sigurt.

“Ajo që dihet qysh tash është përkrahja jonë për kthimin e bllok tarifave. Heqja e tyremë 2017 ishte gabimi më i madh në fushën e energjisë dhe një prej arsyeve për gjendjen e vështirë sot. Bllok tarifën e përkrahim, në kushtet kur ne nuk mund të prodhojmë, posaçërisht në kohën kur importi është kaq i shtrenjtë”, tha ajo.

Me bllok tarifa parashihet se konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovatë në muaj, të paguajnë më shumë për pjesën mbi 600 kë.