4 perditesime
21:46

Muqaj s’pret që procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit ta forcojë besimin e publikut

Ish-anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Florent Muqaj ka thënë se nuk pret që procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit ta përforcojë besimin e publikut, pasi sipas tij, mënyra e organizimit të së njëjtit është jo e duhur.

“Unë personalisht nuk pres një proces i cili do të na jep, ose do të na forcon, ose kultivon besimin e publikut, atë parimin kryesor që e përmenda unë në fillim. Pse? Këtu lidhemi pak edhe me Rregulloren për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve, që ma herët e thash që fatkeqësisht, ai është një standard me i ulët sesa standardi që ka qenë në Këshillin Prokurorial kur kam qenë unë”, ka thënë Muqaj në emisionin Tempus në KTV.

Sipas Muqajt, ky këshill, me këtë përbërje, nuk mund të garantojë një kryeprokuror çfarë i duhet Kosovës.

 

21:19

Hasani: Mënyra e draftimit të Ligjit të KPK-së u shërbeu banditëve

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka thënë se me mënyra se si është draftuar projektligji për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i ka shërbyer grupit që e kanë kapur organin e akuzës, grup ky të cilin ai e quan “banditë”.

I ftuar në Tempus të KTV-së, Hasani tha se në vend të trajtimit të këtij lloji të këtij projektligji, atë do të duhej ta merrte në dorë Komisioni i Venecias në mënyrë që të bënte përbërje plurale dhe ta ndërpriste praktikën e deritanishme.

Sipas tij, po të ndodhte kjo praktikë që sipas Hasanit do të ishte më e drejtë, organi i akuzës “do të binte në këmbët e veta” dhe do të inkurajonte prokurorët profesionistë që ta bënin si duhet punën e tyre.

“Qartë shihet se për arsye jorelevante, ky proces është ditur kur fillon, kur mbyllet dhe nëse ka pasur vend të bëjnë paketë të ligjeve është dashur t’i bëjnë më të mira. Merre lexojeni vendimin e Komisionit të Venecias, është sikur ta shkruante një njeri i pirë atë ligj dhe të njëjtin draft-ligj që e keni të plotësim-ndryshimeve në vend se të ndiqet ajo çfarë ka kërkuar Komisioni i Venecias, i cili nuk është që i kërkon përnjëherë ato standarde si transparenca, integriteti... Mendoj që me këtë projektligj, mënyrën se si e kanë trajtuar i kanë bërë shërbim këtij grupi që unë në 2015-tën e kam quajtur grup rrugaçësh, banditë që e kanë kapur organin e akuzës, kanë dalë sikur ta mësonin ata, në vend se ta merrte Komisioni e të bëjë përbërje plurale, sepse ajo përbërje ose merr shumicë kualifikuese, pra në vend se ta ndërpresë atë praktikë në mënyrë që organi i akuzës të bijë në këmbët e veta dhe për ta inkurajuar energjinë që është jashtëzakonisht pozitive të plotë prokurorëve që janë me të vërtetë profesionalë”, ka thënë ai.

21:10

Demolli-Nimani: Shqetësuese tërheqja e britanikëve nga procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit

Drejtoresha e organizatës “FOL”, Mexhide Demolli-Nimani, ka thënë se tërheqja e Ambasadës britanike nga procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit është shqetësuese.

Në emisionin Tempus në KTV, Demolli-Nimani ka deklaruar se po shohin një histori që po përsëritet në zgjedhjen e kryeprokurorit, pasi sipas saj, në këtë proces nuk ka transparencë e se dyshimet për keqpërdorime janë shumë të mëdha.

“Vetë tërheqjen e Ambasadës britanike nga ky proces e shohim si shumë shqetësuese, sepse si shoqëri civile kemi kërkuar me ngulm, sepse duke e pa praktikën e mirë që e ka sjell Ambasada britanike sidomos në procesin e rekrutimit e ka ngritur një nivel të besimit të qytetarëve që të marrin mundin edhe të konkurrojnë në pozita të ndryshme”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se ky proces është i kurdisur dhe nuk premton që do kemi një kryeprokuror me integritet të lartë.

 

21:06

Miftaraj: Injorimi i Ambasadës britanike nga KPK-ja paralajmëron proces jotransparent

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së, ka thënë injorimi i Ambasadës së Britanisë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Kryeprokurori i Shtetit, tregojnë mungesë të transparencës.

Në Tempus të KTV-së, Miftaraj ka thënë se britanikët po mundohen të ndezin alarm që procesi për zgjedhjen e kryeprokurorit të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent.

“Letrat e Ambasadës britanike po mundohen ta ndezin një alarm, po mundohen ta ngritin te Këshilli Prokurorial i Kosovës alarmin që të mos përsëritet 2015-a, që procesi për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit duhet të jetë transparent, gjithëpërfshirës, të përforcojë besimin te publiku por edhe te kandidatët tjetër se ky proces do jetë në bazë të meritokracisë. Nëse Këshilli Prokurorial e vazhdon këtë proces në mënyrë të mbyllur kam frikën se prokurorët me integritet nuk do ta gjejnë vullnetin apo arsye pse të kandidojnë sepse pa një proces ku është transparenca, ku vlerësohet kandidati më i mirë, do jetë e pamundur të kemi kryeprokuror i cili është garantues që do zbatohet Kushtetuta, ligji”, ka thënë ai.

Më tej tha se “kryesuesi dhe Kryeprokurori i Shtetit ta injorojë Ambasadën britanike i jep shije të keqe dhe një paralajmërim se ky proces nuk do jetë transparent”.

 

21:01

Hasani: Procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit po synohet të shkohet me avazin e vjetër

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani ka thënë se procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit po shkon me rregullat e njëjta si në të kaluarën.

Në emisionin Tempus në KTV, Hasani ka thënë se ky proces po shoqërohet me jotransparencë dhe anime, e se nuk kemi mësuar asgjë nga e kaluara, duke e quajtur regjim të politikës ditore.

Hasani deklaroi se ky proces do të mbyllet një ditë dhe do të vihet rend dhe ligj, e që sipas tij, pastaj do të shihen dimensionet reale pse ka rezistencë kaq të madhe mos me e leshu organin e akuzës.

“Ky proces po synohet të shkohet me rregulla të vjetra, me avazin e vjetër, për shkak se ky proces do të vihet rend dhe ligj dhe pastaj do të shihen dimensionet reale pse ka rezistence kaq të madhe mos me e lëshu organin e akuzës”, ka thënë Hasani.