3 perditesime
23:28

Vitija: Ministri Latifi s’ka ekip të konsoliduar

Gazetari i fushës së shëndetësisë, Bujar Vitija, ka deklaruar se ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, s’ka ekip të konsoliduar për ta njoftuar atë me situatë në vend.

Vitija deklaroi në Interaktiv të KTV-së se pritjet për ministrin Latifi, i ardhur nga SHBA-ja, kanë qenë të mëdha, mirëpo çdo ditë po shkojnë duke u zbehur.

“Pritjet kanë qenë të mëdha, por pritjet po shkojnë duke u zvogëluar, sepse ministri ende s’ka arritur të ketë një pasqyrë të plotë të situatës me pandeminë. Ka pasur edhe probleme të tjera si udhëtimet e tij në SHBA, s’ka arritur ta konsolidojë një staf për ta ndihmuar në masat e shëndetësisë. S’e kemi luksin ta sjellim një ministër nga diaspora dhe të angazhojë njerëz që s’e njohin realitetin”, deklaroi tutje ai.

Sipas kryeredaktorit të mediumit “Gazeta Shneta”, ministrit Latifi i duhet një kabinet i fuqishëm që do angazhohej më shpejt.

“Kirurgu që ka punuar me robotë në New York, duhet të dijë t'i kthehet briskut në Kosovë. Brisku i tij duhet të jetë i saktë dhe i madh për të përmirësuar diçka në Kosovë”, potencoi Vitija.

23:19

Vitija: Masat anti-COVID duhet të rishikohen

Kryeredaktori i gazetës “Shneta”, Bujar Vitija, vlerëson se masat e vendosura së fundmi nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së mëtejme të COVID-19, duhet të rishikohen.

I ftuar në Interaktiv të KTV-së, Vitija tha se Qeveria e ka në dorë nëse do që të ketë një qasje më lehtësuese sa i përket pandemisë, por bazuar në dy indikatorë të rëndësishëm për marrjen e masave, që janë hospitalizimi dhe vdekshmëria, tani për tani Kosova nuk ka nevojë për masat që janë në fuqi.

“Unë pres që të reflektojë dhe duhet të reflektojë qeveria duke i pasur parasysh dy indikatorë më të rëndësishëm për marrjen e masave siç janë hospitalizimi dhe vdekshmëria. Deri më sot kemi pasur rreth 150 pacientë të konfirmuar në spitalet e Kosovës dhe vdekshmërinë në javën e fundit që ka qenë rreth 0.5 për qind. Me këta indikatorë unë konsideroj se duhet bërë një rishikim i masave, sidomos i këtyre që janë problematike dhe po ka reagime për së tepërmi. Ministri Latifi dje në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi vetëm se tha që mund të ketë rishqyrtim të masave, por kjo varet më së shumti prej Qeverisë nëse do të ketë një qasje më lehtësuese sa i përket pandemisë”, ka thënë Vitija.

I pyetur nëse pret që me rritjen e numrit të rasteve pozitive të rëndohet edhe situata në shtrimin e pacientëve nëpër klinikat dhe spitalet e Kosovës, Vitija tha se aktualisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet e përgjithshme, janë duke u shfrytëzuar vetëm 10 për qind e kapaciteteve që janë në dispozicion për të infektuarit me koronavirus.

“COVID-19 deri më tani ka ditur të jetë shumë i paparashikueshëm. Edhe në këtë situatë që kemi pritet të ketë shtim të hospitalizimeve dhe edhe të fataliteteve. Aktualisht në QKUK dhe spitalet e përgjithshme, kapacitetet janë mbushur rreth 10 për qind të atyre që janë në dispozicion për COVID-19”, tha ai.

23:12

Vitija e konsideron të palogjikshme mbylljen e bizneseve dhe kufizimin e lëvizjes

Gazetari i fushës së shëndetësisë, Bujar Vitija, ka deklaruar se është e palogjikshme mbyllja e bizneseve dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, në një periudhë kur pothuajse asnjë shtet evropian s’ka masa të tilla kufizuese.

Ai deklaroi në Interaktiv të KTV-së se masat e fundit të ndërmarra nga Qeveria janë të ashpra, pasi sipas tij, këto nuk po arrijnë të monitorohen e zbatohen.

“Po marrim masa por zbatimi i tyre lë shumë për të dëshiruar. Është edhe mbyllja e gastronomisë, lejohet të punojë deri në 21:00. Lejohen qendrat tregtare ku ka grumbullim, ndërsa ndalohen një pjesë e bizneseve siç janë palestrat, ku kontrolli është më i lehtë”, deklaroi Vitija.

Ai theksoi se është jologjike të mbyllet gastronomia në ora 21:00, derisa para kësaj ore “të punojë si t’ia dojë qejfi”.

“Në mungesë të vullnetit dhe kapaciteteve për t’i zbatuar dhe monitoruar masat, bëhet një mbyllje e tillë. Vitin e kaluar ka qenë gastronomia si burim i përhapjes së virusit, ndërsa tani moshat më të prekura janë nën 18 vjet. Tani shkollat mund të jenë burimi kryesor i Omicronit”, shtoi tutje.

23:05

Vitija për masat: Qeveria e frikësuar se mund t’i përsëritet gushti i kaluar

Ekziston një frikë se mund të përsëritet fundi i gushtit të vitit të kaluar kur nuk ishte parashikuar mirë varianti Delta dhe shpërthimi i madh që ndodhi edhe me rastet aktive edhe të hospitalizimeve, ka thënë Bujar Vitija, kryeredaktor i gazetës “Shneta”.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Vitija ka thënë se pavarësisht kësaj, Qeveria duhet ta ketë parasysh se gjendja aktualisht nuk është e njëjtë me atë të fundit të verës së kaluar.

“Ekziston një frikë se mund të përsëritet fundi i gushtit të vitit të kaluar kur nuk ishte parashikuar mirë varianti delta dhe shpërthimi i madh që ndodhi edhe në rastet aktive dhe të hospitalizimeve. Por ajo situatë prej kësaj që jemi sot dallon sepse varianti delta është e vërtetë që ka shkaktuar shifra rekorde me COVID-19 dhe të hospitalizmeve. Tash delta përveç shpërthimit të shpejtë, ka shkaktuar edhe hospitalizime në spitale”, ka thënë Vitija.

Sipas tij, janë të paarsyeshme masat që janë marrë së fundmi, marrë parasysh se tashmë rreth 45% e popullatës është e imunizuar me dy dozat e vaksinës anti-COVID.

“Masat që janë marrë deri para Vitit të Ri kanë qenë të arsyeshme mirëpo tash kur jemi në një situatë me rreth 45% të popullsisë me dy dozat, mund të jenë të kuptueshme të gjitha kritikat karshi këtyre masave. Edhe masat për hyrje në kufi janë paksa të ashpra. Ne nuk mund të bazohemi gjithmonë në politikat apo strategjitë e vendeve të zhvilluara si në SHBA-ja dhe brenda Evropës. Lehtësirat tek këto vende janë pak më ndryshe sepse hyrja në këto vende mundësohet përmes certifikatës digjitale, dhe kjo certifikatë, mundëson tri opsione: të jesh i vaksinuar me dy doza, të kesh një test negativ dhe të kesh një vërtetim që je shëruar prej COVID-it në një periudhë të caktuar”, është shprehur ai.