1 perditesime
Arbëri

PSD-ja pret që propozimi i ZRRE-së të ndryshojë “për shkak të Qeverisë populiste”

FOTO: Alban Bujari/KOHA
23:39

PSD-ja pret që propozimi i ZRRE-së të ndryshojë “për shkak të Qeverisë populiste”

Partia Socialdemokrate ka thënë se pret që propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për ngritjen e çmimit të rrymës të ndryshojë. Sipas Teutë Rrustës nga kjo parti, ndryshimi do të ndodhë “jo për shkak të reflektimit të Qeverisë”, por “se ajo është qeveri populiste dhe po e sheh pakënaqësinë e madhe qytetare”.

“Vendimet apo komentet që kjo Qeveri ka për t’i dërguar, mund të kenë vetëm karakter populist. Mund të propozojnë rritje më të vogël të përshkallëzuar e mund t’ia shohim hairin një qeverie që ka këtë premisë...”, ka thënë ajo.

Në Interaktiv të KTV-së ajo ka deklaruar se ngritja e çmimit të energjisë është e pashmangshme, por ka shtuar se duhet të jetë e diskutueshme se sa duhet rritur çmimi e ku të jetë intervenimi i Qeverisë.

Rrusta ka thënë se PSD-ja do të dalë së shpejti me propozimin e saj.

Sipas Rrustës, propozimi i ZRRE-së i prek më së shumti familjet në kushte jo të mira ekonomike.

Qeveria ka mungesë planifikimi, ka thënë ajo kur ka komentuar çështjen se si ka ardhur kriza.

 

23:06

PSD-ja pret “vrull të madh njerëzish” në protestën e nesërme

Teutë Rrusta nga Partia Socialdemokrate ka thënë se në protestën e nesërme kundër shtrenjtimin të energjisë elektrike pritet të ketë një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve.

Rrusta thotë se kjo do të jetë protesta e parë e thirrur nga PSD-ja, pasi sipas saj, deri tani kanë bërë vetëm aksione simbolike. Ajo ka paralajmëruar se protesta për këtë çështje nuk do të përfundojë vetëm të shtunën.

“Tash e sa kohë e kemi paralajmëruar protestën, kemi bo mobilizim, aktivitete të ndryshme, aksione simbolike, të gjitha me një adresë për sensibilizim të qytetarëve se çfarë do të thotë nëse ndodh kjo rritje. Sot ka qenë dita e fundit para protestës, ku kemi përgatitur parulla të ndryshme. Kemi marrë mesazhe të shumta nga qytetarë që as nuk i njohim që na mbështesin, është një vrull i madh i qytetarëve. Është hera e parë që si PSD organizojmë protestë. Mesazhet e shumta që janë t’u ardh detyrimisht kanë me u përkthye në numra protestuesish. Edhe aty ku nuk shihet protesta si metodë funksionimi, edhe aty na kanë mbështetur. Shumica e qytetarëve të Kosovës e kanë shqetësimin e përafërt me ne. Protesta nuk ka autor, jemi vetëm si infrastrukturë. Kjo do të jetë protestë e vazhdueshme, nesër e ditëve të tjera”, ka thënë Rrusta në “Interaktiv” të KTV-së.

Anëtarja e PSD-së thotë se protestës së nesërme do t’i bashkohen edhe deputetë të Kuvendit, por edhe anëtar të të gjitha partive.

“Pasi i kemi caktuar datën, i kemi thënë partive opozitare që eja ta bëjmë bashke, ose bëjeni ju. Përgjigja e tyre ka qenë ajo që është në nivel partie. Partitë parlamentare opozitare janë më shumë institucionale. Ka me pas në protestë edhe deputetë, edhe anëtar të partive të ndryshme”, shtoi ajo.

Protesta e nesërme është paralajmëruar të nisë nga ora 14:00.