Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, deklaroi se është përgjegjës për sulmin ndaj zyrtarit policor, që ndodhi të shtunën gjatë protestës.
Në protestën e djeshme të organizuar nga PSD-ja kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, Molliqaj u pa teksa goditi një zyrtar policor që mbante rendin para hyrjes së objektit të Qeverisë.
Momenti i sulmit të Dardan Molliqajt ndaj zyrtarit policor (VIDEO)
“Më takon mua ta marr përgjegjësinë për incidentin teksa po përgatiteshim për të mbajtur fjalim tek qeveria. Unë duhet të isha i përmbajtur pavarësisht provokimeve. Ndjej keqardhje për atë çfarë ndodhi. Mbi të gjitha, kemi përgjegjësi që qëllimi i protestës të jetë parësor dhe efekti i saj maksimal”, shkroi ai në Facebook.
Molliqaj potencoi se në atë moment të protestës po tentonin t’i lironin shkallët për të mbajtur fjalim, derisa tha se dy komandantë të operacioni e ftuan për të diskutuar, por policë të tjerë e shtynë, duke e sharë e ofenduar.
“Ajo ka qenë situata kur unë kam shtyrë njërin nga policët. Pra, jo goditje, shtyrje. Lus që videot të publikohen të plota. Komandantët prezent duhet ta japin dëshminë e plotë. Edhe një herë, ky sqarim nuk dua të kuptohet si arsyetim”, ka thënë tutje.
Në anën tjetër, Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar veprime të menjëhershme ligjore ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, pasi goditi me shuplakë një polic gjatë protestës së sotme kundër shtrenjtimit të rrymës të thirrur nga parti.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.