2 perditesime
20:43

Gjykata vendos “detyrim paraqitjeje” për Molliqajn

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraqitjes në stacionin policor për kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj. Kërkesa për një muaj paraburgim nga prokuroria, është vlerësuar e pabazuar nga gjyqtari i procedurës paraprake.

“Masa e paraqitjes në stacionin policor kundër të pandehurit D.M do të llogaritet në kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar që nga data 01.02.2022 deri më 01.03.2022”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjithsesi, gjykata kujton se konform nenit 178 paragrafi 4 të KPPRK, gjykata mund të caktojë masën më të rëndë – paraburgimin, nëse i pandehuri Molliqaj shkel masën e shqiptuar.

Molliqaj u arrestua për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” kur goditi zyrtarin policor gjatë protestës të së shtunës kundër shtrenjtimit të rrymës./KSP/

16:48

Avokati i Molliqajt: Arrestimi dhe kërkesa për paraburgim janë të paligjshme

Gjatë ditës pritet vendimi nga gjykata për kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj. Ky i fundit ishte arrestuar në mbrëmjen e së martës për veprën penale "sulmi ndaj personit zyrtar".

Pas përfundimit të seancës, avokati i tij, Arbër Rexha tha se arrestimi dhe kërkesa për masën e paraburgimit janë të paligjshme.

"Presim nxjerrjen e vendimit nga gjykata. Çfarë mund të them, rasti është ajo që përveç që e konsiderojmë që kërkesa për masën e paraburgimit është e paligjshme. Konsiderojmë që edhe arrestimi është bërë në mënyrë të kundërligjshme, ngase nuk janë përfillur dispozitat ligjore të cilat janë të parapara me Kodin e Procedurës Penale. Si rrjedhojë e kësaj janë cenuar skajshëm të drejtat e garantuara me Kushtetutë, siç është e drejta e lirisë dhe sigurisë. Prandaj, presim vendimin nga gjykata", tha ai.

Më tej, mbrojtja e Molliqajt tha se ka qenë e paqartë dhe e pakuptueshme kërkesa e Prokurorisë për paraburgim.

"Edhe për mbrojtjen ka qenë e paqartë dhe e pakuptueshme kërkesa e Prokurorisë, ngase në të pretendohej se ekziston rreziku i ikjes. Çka do të thotë se Molliqaj të ikur jashtë Republikës së Kosovës, në mënyrë që t'i shmanget drejtësisë. Gjithashtu, është pretenduar që i njëjti ka qenë në arrati. Siç keni parë në media dhe gjendja faktike është që Molliqaj asnjëherë nuk ka qenë në arrati. Thjesht nuk është bërë dorëzim i rregullt në bazë të mekanizmave, në bazë të procedurave ligjore", ka deklaruar Rexha.

Partia Socialdemokrate ka kërkuar lirimin e Dardan Molliqajt. Ky i fundit është arrestuar për shkak se kishte goditur një polic gjatë protestës të së shtunës që u mbajt kundër propozimit për shtrenjtim të rrymës./kp

14:53

Mbyllet për publikun seanca ndaj Dardan Molliqajt

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po mbahet seanca dëgjimore ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqajt, i dyshuar për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, por kjo seancë është mbyllur për publikun.

Këtë e bëri të ditur gjyqtari i procedurës paraprake, Ngadhnjim Arrni.

Gjykatësi Arrni tha se arsyetimin për këtë vendim do ta bëjë në formë të shkruar, pasi të kryhen procedurat.

Ndryshe në seancën e sotme gjykata do të vendosë lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Molliqajt.

Dardan Molliqaj dhe Adem Megjuani ishin arrestuar për përfshirje në sulm ndaj personit zyrtar, të ndodhur në protestën e 29 janarit 2022, protestë e cila u mbajt kundër shtrenjtimit të rrymës.

Policia kishte njoftuar se Molliqaj ishte kërkuar në adresat e banimit, por nuk e kishte hasur të njëjtin dhe i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare, megjithatë i dyshuari nuk e kishte përfillur.

Në ndërkohë, policia publikoi edhe dy ftesat/vërtetimet mbi dorëzimin e thirrjes që ia kishte dërguar Molliqajt, për t’u paraqitur në stacion policor. /BetimiPërDrejtësi