Ligji për paga, ai për sigurimin shëndetësor dhe ai për pensionimin e parakohshëm janë tri çështjet kryesore që Policia e Kosovës po i kërkon, bazuar në një diskutim që Sindikata e Policisë së Kosovës ka pasur me Byronë Kosovare të Sigurimeve të enjten.
Sipas njoftimit të Sindikatës së Policisë, çështja e sigurimeve shëndetësore për Policinë është diskutuar në takimin mes kreut të Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, dhe drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku.
“Gjatë takimit, u diskutua për Sigurimet Shëndetësore për Policinë e Kosovës si dhe tema të ndryshme që ndërlidhen me interes të bashkëpunimit ndërinstitucional. Gjithashtu është diskutuar edhe për tri çështjet më kryesore si ‘Ligji për paga’, ‘Ligji për sigurimin shëndetësor’ dhe ‘Ligji për pensionim të parakohshëm’, kur dihet se Policia e Kosovës ende nuk ka Sigurim Shëndetësor, Jetësor dhe Shoqëror”, thuhet në njoftim për takimin.
Mazreku në këtë takim ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Sindikatën e Policisë për sigurimet shëndetësore. Po ashtu, sipas njoftimit, është pasqyruar plani se si do të implementohet një propozim në këtë drejtim.
Është deklaruar se tregu është i gatshëm që të ofrojë ofertë preferenciale dhe të volitshme për Policinë.
Ligji për paga është paralajmëruar se do të shkojë në Kuvend për shqyrtim të parë në muajin mars.
Policia e Kosovës është në kërkim të sigurimeve shëndetësore që një kohë të gjatë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.