1 perditesime
22:11

Blinken pas takimit me Ramën: Mbresa të veçanta për mikpritjen ofruar refugjatëve afganë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vijim të vizitës në SHBA u takua në Departamentin e Shtetit me Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken.

Sekretari Blinken i uroi mirëseardhjen kryeministrit Rama dhe shprehu kënaqësinë për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB për periudhën 2022-2023. Ai vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë ndër vite, në organizma të shumta të Kombeve të Bashkuara, në të mirë të paqes dhe mirëkuptimit mes vendeve.

Në mënyrë të veçantë, Sekretari Amerikan i Shtetit vlerësoi gatishmërinë e kryeministrit Rama dhe të qeverisë shqiptare për të ofruar strehë dhe mikpritje për refugjatët afganë, në Shqipëri.

“Më duhet t’ju them kryeministër atë që më ka mbetur mbresë e do të mbetet për një kohë të gjatë, fakti që, në fillim të verës, pasi shpallëm se do të largoheshim nga Afganistani dhe do t’i jepnim fund luftës atje, ju ishit i pari që u ofruat të prisnit refugjatët, të shpëtuarit afganë dhe kjo është saktësisht ajo që bëtë. Ky është një nderim i madh për ju dhe për bujarinë e Shqipërisë, që iu ofruat një strehë të sigurt mbi 2 000 afganëve. Ju jam mirënjohës për këtë, por edhe për punën që bëni çdo ditë në Evropë për sigurinë dhe forcimin e lidhjeve të ngushta, sidomos përmes NATO-s dhe, po ashtu, siç e thashë, në Këshillin e Sigurimit, ku kemi shumë çështje sfiduese për të cilat duhet të punojmë së bashku”, u shpreh Sekretari Blinken.

Nga ana e tij, Rama falënderoi Sekretarin amerikan Blinken dhe shprehu kënaqësinë për takimin e zhvilluar në nisje të vitit, që shënon 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.

“Ne e vlerësojmë këtë miqësi, këtë marrëdhënie si gjënë më të vyer. Jemi shumë krenarë të gjendemi krah jush dhe të ndihmojmë sa të mundemi, për të kthyer atë çka ju keni bërë për ne gjatë këtyre viteve, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Kështu, jemi shumë krenarë që jemi aleatët tuaj dhe do të bëjmë maksimumin për ta merituar këtë miqësi të veçantë”, u shpreh kryeministri Rama gjatë takimit.

Kryeministri Rama dhe Sekretari Blinken vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes vendeve të konkretizuara në një sërë marrëveshjesh partneriteti me interes të ndërsjellë dhe theksuan angazhimin e përbashkët për thellimin e tyre të mëtejshëm.

Sekretari Blinken u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin e suksesshëm mes SHBA-ve dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme.

21:13

Rama pas takimit me Blinken: Diskutuam për bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit dhe ecurinë e reformave

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha sot se gjatë takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken diskutuam lidhur me bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit, për marrëdhëniet bilaterale me rajonin, ecurinë e reformave në Shqipëri.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Rama tha se “në tërësi besoj që prekëm të gjitha temat janë të rëndësishme për këtë marrëdhënie përfshirë edhe temën e të qenit bashkë në aleancën e NATO-s.

Lidhur me rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, Rama tha se “ky është një proces i njohur në traditën e Këshillit të Sigurimit ku dy vende bëhen bashkë për të adresuar një apo dy dosje të caktuara dhe SHBA-të na i propozuan ne këtë bashkim, ne e pranuam me kënaqësi dhe përgjegjësi dhe natyrisht kjo na jep mundësinë që në Këshillin e Sigurimit të luajmë një rol të veçantë”.

I pyetur nëse Shqipëria pritet të paraqesë një rezolutë për çështjen e Ukrainës, Rama tha se “kjo nuk është një çështje e Shqipërisë, kjo është një çështje tanimë e të gjithë botës, e Kombeve të Bashkuara e Këshillit të Sigurimit patjetër në këtë proces ne do të jemi krah për krah me SHBA-të. Sigurisht që të jemi krejt realistë vendimmarrja i takon SHBA-së”.

Pyetjes nëse ka qytetarë shqiptarë në Ukrainë dhe nëse ata janë larguar, Rama iu përgjigj se “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka marrë të gjitha masat e nevojshme ashtu siç e ka konsideruar të arsyeshme. Ne kemi disa qytetarë shqiptarë që janë pjesë e misionit të monitorimit të OSBE-së , të cilët do të vazhdojnë të qëndrojnë atje”.