1 perditesime
10:34

Krerët vendosin kurora lulesh tek ish-presidenti Rugova dhe veprimtari Demaçi

Krerët e shtetit kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë vendosur kurora lulesh te varri i Rugovës.

Të njëjtit bënë homazhe edhe pranë varrit të veprimtari, Adem Demaçi.

Më herët, homazhe ka bërë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

10:12

Abdixhiku bën homazhe te varri i Ibrahim Rugovës

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me anëtarët e Kryesisë, kanë bërë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, me rastin e 14-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Abdixhiku ka thënë se në ditën e sotme, ditën më të rëndësishme të Kosovës, duhet të nderohen të gjithë themeltarët e shtetit. 

“Në 14-vjetorin e ditëlindjes së shtetit të Kosovës, në ditën më të rëndësishme historike për vendin tonë, sot nderojmë të gjitha gjeneratat që për kohë të gjatë kanë bërë të mundur që ne të kemi festë më 17 shkurt. Të nderojmë intelektualët e viteve ’90, me presidentin historik, atin themeltar të shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugova, siç nderojmë familjen Jashari, të rënët dhe i falënderojmë aleatët tanë që na qëndruan në krahë. Sot është festë dhe në këtë festë duhet të kujtojmë themelet e shtetin tonë, që janë aq të dhimbshme aq edhe të lavdishme”, ka thënë Abdixhiku pas homazheve.