Abazoviqi pas takimit me Kurtin: E kaluara të lihet prapa, e ardhmja të ndërtohet në paqe
“Ballkani Perëndimor ka nevojë për një imazh të ri”, ka thënë i nominuari për kryeministër të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, pas takimit që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalisë në Turqi.
“Po i forcojmë marrëdhëniet tona fqinjësore bazuar në respekt të ndërsjellë. E kaluara të lihet prapa dhe të krijohet e ardhmja në bazë të vlerave paqësore universale”, ka shkruar Abazoviqi në Twitter.
Ndërkaq, kryeministri Kurti ka publikuar fotografi nga disa takime. Ai ka thënë se ka ndarë me liderë të shumtë qëndrimin se “vetëm një botë demokratike e bashkuar dhe aktive mund ta ndalë Putinin dhe t’i parandalojë despotikët tjerë në të ardhmen”.
Takim me Abazoviqin të shtunën në Turqi ka pasur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Teksa e ka quajtur të mirë takimin, Osmani ka thënë se është diskutuar për rëndësinë e fuqizimit të raporteve fqinjësore dhe avancim të bashkëpunimit.