Arbëri

Ku gaboi Albrighti në Kosovë, sipas McDonaghit

Nga vizita e fundit e Albrightit në Kosovë, 2019/Foto: Alban Bujari/KOHA
 

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka zgjedhur palën e gabuar politike në Kosovë, ka thënë gazetarja irlandeze Melanie McDonagh në një opinion të publikuar në “The Spectator” të shtunën...

Joçuditërisht, Kosova është vendi ku Madeleine Albright kujtohet me mirënjohje të veçantë. Përse? Sepse pa Albrightin, ndoshta s’do të kishte Kosovë të pavarur. Ishte ajo që mbrojti bombardimet e Serbisë që i dhanë fund spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe që çoi në pavarësinë e vendit. I lënë i vetëm, Bill Clintoni s’do ta bënte këtë. Albrighti kishte njohuri për rajonin – fliste mrekullueshëm gjuhën serbe dhe kishte antipati të thellë ndaj Sllobodan Millosheviqit. Dhe s’kishte frikë. Me këtë përshkrim ka nisur një opinion gazetarja irlandeze që vepron në Londër, Melanie McDonagh, duke ia njohur këtë veprim si të duhur për çështjen e Kosovës. Por, sipas McDonaghit, Albrighti e cila vdiq të mërkurën, ka bërë një gabim te shqiptarët e Kosovës.

“Ajo përkrahu krahun e gabuar te pala shqiptare. Dhe pasojat e këtij gabimi ishin shkatërruese”, ka thënë McDonagh, në një shkrim në revistën britanike “The Spectator”. Sipas autores, gabimi i Albrightit ishte që nuk i doli në mbështetje Ibrahim Rugovës, por Hashim Thaçit.