Arbëri

Ekspertët: Sulmet në veri – sinjal rreziku për përshkallëzim të situatës

Sulmi ndaj policisë në veri
Sulmet e fundit ndaj zyrtarëve policorë, sipas ekspertëve të sigurisë, janë sinjal i rrezikut të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në vend
 

Thirrje për kujdes të shtuar kanë bërë ekspertët e sigurisë në vend, pas zhvillimeve në veri. Derisa kanë paralajmëruar për përshkallëzim të situatës së sigurisë, ata kanë thënë se duhet të rritet prania e policisë dhe e KFOR-it në veri. Në anën tjetër, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se sulmet e tilla synojnë të nxisin një konflikt të ri në Ballkan

Pesë sulme të ndryshme ndaj Policisë së Kosovës prej së mërkurës, për katër ditë me radhë, kanë bërë që ekspertë të sigurisë ta cilësojnë situatën si shqetësuese e të bëjnë thirrje për kujdes të shtuar. Sipas tyre, sulmet e fundit ndaj zyrtarëve policorë, janë sinjal i rrezikut të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në vend.

Eksperti për çështje ushtarake e të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka thënë se situata nuk mund të neglizhohet, porse ajo duhet të merret “shumë seriozisht” pasi, sipas tij, ka “elemente mjaft të rrezikshme” që tregojnë se situata mund të përshkallëzojë. Sipas Qehajës, janë disa qëllime të cilat po synohet që të arrihen me sulmet ndaj Policisë së Kosovës.