Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër tre zyrtarëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, që dyshohen për mashtrim prej më shumë se 100 mijë eurove.
F.H., L.J. dhe Y.K. akuzohen për keqpërdorim të detyrës.
Sipas aktakuzës, në dhjetor të 2020-s, në cilësinë e zyrtarëve të departamentit të teknologjisë informative (IT), kishin nënshkruar një raport fiktiv që ishte në kundërshtim me gjendjen faktite, duke i shkaktuar dëm material QKUK-së në shumë prej gati 105 mijë eurove.
Ata dyshohet se kishin nënshkruar kontratën si punë të kryer, por në fakt s’i kishin kryer instalimet e kamerave, siç ishte paraparë, në kuadër të tenderit për furnizim dhe monitorim të sistemit të integruar me kamera, me kompaninë “Artech”.
Prokurori ka kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtor dhe pos dënimit për veprën penale t’u shqiptohet edhe dënimi plotësues për ndalim të ushtrimit të detyrave në administratën publike.
Në një reagim të mëvonshëm, SHSKUK-ja deklaroi se inicimi për hetimin e rastit u bë nga ta, bazuar në raportin e Auditorit e Brendshëm.
“Në lidhje me ngritjen e aktakuzës për tre zyrtarë të IT-së, nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ShSKUK ka ofruar bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Kosovës të cilët i falënderon për bashkëpunim. ShSKUK mbetet e përkushtuar për të parandaluar dhe luftuar çdo keqpërdorim nga kushdo qoftë”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.