2 perditesime
21:08

Shehu: Martesa me 2 gra - mendësi mesjetare, për ato të gjinisë së njëjtë s’kemi folur

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, Lulzim Shehu, ka thënë se ideja e martesës më dy gra ka mundur të merret si standard vetëm në mesjetë.

Shehu në “Java Sonte me Rronin” të mërkurën në KTV, ka thënë se në shoqërinë kosovare kjo nuk mund të merret si standard, pasi siç ka thënë, është ide e tejkaluar.

“Del një lider fetar dhe fol se bën ta marrësh gruan e dytë pa e pyetur gruan e parë. Kjo është e tejkaluar. Në Mesjetë ndoshta ka mundur të merret kjo si standard, por jo në shoqërinë tonë”, ka thënë Shehu, duke iu referuar disa liderëve të fesë islame.

Ai ka folur edhe rreth martesave të gjinisë së njëjtë, duke theksuar se Bashkësia e Tarikateve të Kosovës nuk është marrë dhe as deklaruar për këtë. Ditë më parë, disa media kanë shkruar “për qëndrimin pro të Tarikateve për martesat e gjinisë së njëjtë”. Por sipas tij, ky është keqinterpretim.

“Gazetaria fisnike e ka përkrahjen e plotë të Bashkisë Tarikateve. Doli një lajm. Ne s’jemi marr me martesa. Një numër i madh gazetash dhe portalesh kërkojnë informatën prej nesh. Nuk është gazetaria krejt e vdekur, por (rrezikohet) prej të ligës gazetareske që ekziston brenda gazetarisë. Ju duhet të çoheni dhe të bëni një pastrim të brendshëm”, është shprehur Shehu në “Java Sonte me Rronin”.

20:57

Shehu: Shqiptarët e kanë fenë e ndërgjegjes

Sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, Lulzim Shehu, deklaroi se përçarjet mes besimtarëve në Kosovë kanë lindur që në kohën gjatë Perandorisë Osmane dhe e kanë përcjell deri në kohën e pushtetit serb.

Ai deklaroi të mërkurën në “Sonte me Rronin” se shqiptarët i kanë ruajtur traditat e besimit të tyre me sakrifica të mëdha, derisa për tarikatet tha se janë të ndryshme, dhe të gjitha e kanë synim rrugën drejt Zotit.

“I kemi ruajtur traditat tona, me sakrifica të mëdha. I kemi besimtarët dhe bashkësitë tona. Ndarja mes teqeve dhe hoxhallarëve është e vonshme nga pushtetet. Ne nuk jemi liderë, ne jemi udhëzues. Tarikatet janë të ndryshme, e kanë një zanafillë. Tarikatet janë rrugë për të shkuar te Zoti. Obligimet fetare i kemi të njëjta, por veshjet i kemi të ndryshme”, tha Shehu.

Sipas tij, në Kosovë janë 9 nga gjithsej 12 tarikatet, mirëpo kanë qenë edhe disa që janë zhdukur me kohë. Aktualisht, koncentrimi më i madh i tarikateve në Kosovë është në rajonin e Dukagjinit, tha ai.

“I kemi mbi 200 objekte fetare, 400 njerëz që e mbajnë jetën tarikatore. Ne e kemi fenë e ndërgjegjes. Fetë lindore nuk janë të ndërgjegjes. Fjala ‘Muhamed’ në lutjet tona e ka kuptimin e sistemit të vlerave. Ne duhet ta ruajmë atë. Kuptimi i fjalës ‘Muhamed’ ka qenë ai vetë (profeti v.j.), por në kohërat e sotme është sistem i vlerave mbi të cilat është i njohur si lavd i Zotit. Muhamedi është një person historik, por ai ka kaluar”.

Shehu deklaroi se shteti demokratik është realizim i vizionit profetik.

“Ne e kemi fenë e ndërgjegjes. Fetë lindore nuk janë të ndërgjegjes. Të paktën 50 herë në ditë duhet të ndërgjegjësohemi, që të mos na kaplojë urrejtja. Zoti është ndërgjegjja absolute. Të dëmtuarit janë ata që urrejnë”, tha ai.

20:18

Shehu: Shoqëria kosovare nuk ka mësuar nga e kaluara

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, Lulzim Shehu, deklaroi se në botëkuptimin e fesë islame, urrejtja është ves i madh që e shkatërron tërë shoqërinë.

Ai deklaroi të mërkurën në “Sonte me Rronin” se shoqëria kosovare nuk ka mësuar asgjë nga e kaluara e saj, pasi, siç theksoi, jeta nën urrejtje nga pushteti ishte standard.

“Ai njeri që në zemrën e vet ka urrejtje është larg prej Zotit, larg prej bekimit të tij, prej njerëzimit. Vendi në të cilin qëndron urrejtja është zemra. Shoqëria moderne kosovare nuk ka mësuar asgjë prej së kaluarës. Ne kemi jetuar në një shtet në të cilin urrejtja ndaj shqiptarëve ka qenë standarde. Kemi qenë viktima të kësaj, por edhe ata që kanë urryer kanë qenë viktima, sepse e kanë pësuar. Njeriu që urren pëson, ai e dëmton vetveten”, deklaroi Shehu.

Sipas tij, toleranca mes popullit dhe ndërtimi i shoqërisë janë standard i fesë islame.

“Toleranca është standard islam, të ndërtosh një shoqëri të vlerave etike është standard islam. Vizioni profetik është kur edhe i riu, edhe i vjetri e gjejnë veten. Nëse del një lider fetar dhe thotë se bën të marrësh gruan e dytë, pa e pyetur të parën, kjo është e tejkaluar. Në mesjetë ka mundur ta marrë si standard, por në një shoqëri të sotme s’mund të merret si standard. Ne duhet t’i reflektojmë cilësitë e bukura të Zotit. Zoti secilin e bekoi. Urrejtja është të pish helm duke shpresuar se tjetrit do t’i bësh dëm. Porosia jonë është që shoqëria nuk bën ta pranojë urrejtjen si standard”, tha ai.

Për rrymën sufiste të islamit, Shehu tha se është rrugë shpirtërore dhe qëllim i saj parësor është që besimtari t’i afrohet Zotit.

“Të jesh mysliman e cakton a je në gjendje të falësh, të mos urresh, të jesh tolerant dhe të jesh bamirës. Një njeri që mendon se është mysliman vetëm pse nuk i do krishterët, ai nuk është mysliman. Myslimani duhet ta reflektojë bukurinë e Zotit. Nuk është qëllimi të jesh ithtar i një feje. Secila fe e ka një rrugë shpirtërore. Besimi real është prej njeriut të parë. Natyra e sufizimit është ta ngrejë njeriun, nga ndërgjegjja ku sundon egoja është niveli më i ulët. Vetëdija është pendimi”, tha tutje Shehu.