1 perditesime
23:43

Kamberi pas rizgjedhjes deputet: Faleminderit, bashkë ia dolëm

Shaip Kamberi ka falënderuar të gjithë shqiptarët që të enjten, votuan për të dhe Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës në rivotimin e mbajtur për qendrën numër 6 në Bujanovc.

Me votat që fitoi në këtë rivotim, Kamberi u rizgjodh deputet në Kuvendin e Serbisë. Për të ky është mandati i tretë.

Ai ka falënderuar edhe bashkëpunëtorët, vullnetarët e strukturat që ndihmuan në këtë sukses.

“28 prilli na bëri të gjithëve bashkë e bashkë ia dolëm të gjithë. Unë do të vazhdoj të jem zëri i të gjithë qytetarëve pa dallim. Përtej çdo bindjeje politike, janë shqiptarët. Faleminderit! Bashkë ia dolëm”, ka shkruar Kamberi në Facebook, të enjten mbrëma.

Sipas mediave lokale në Luginë, Kamberi ka fituar 686 vota, ndërkohë që i duheshin mes 600 e 650 vota për t’u rizgjedhur.

Në ditën e zgjedhjeve, më 3 prill, koalicioni që udhëheq ai, mori pak më shumë se 200 vota, por më pas u konstatuan shkelje të mëdha dhe u vendos për rivotim, i cili u mbajt të enjten.

 

Faleminderit pafund ❤️ Qytetarëve të Lagjës së Strukarëve të cilët përtej bindjeve politike sot votuan për...

Posted by Shaip Kamberi on Thursday, April 28, 2022

 

23:02

Shaip Kamberi rizgjidhet deputet pas rivotimit në Bujanovc

Shaip Kamberi do të jetë sërish deputet në Kuvendin e Serbisë, ka shkruar portali “Presheva”.

Ai ka marrë votat e nevojshme për të përfaqësuar shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, pas rivotimit në qendrën numër 6 në Bujanovc, të enjten.

Portali “Presheva” shkruan se Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës mori 686 vota, derisa partia e presidentit serb Alkesandar Vuçiq, 11 vota. Kamberit i duheshin 650 vota për t’u rizgjedhur deputet.

Vetë Kamberi nuk ka konfirmuar asgjë, por në Facebook, ka miratuar disa postime ku urohej për rizgjedhjen deputet, të dalin “në murin” e tij.

Rezultatet e kësaj qendre të votimit u anuluan, pasi u konstatuan parregullsi të shumta në zgjedhjet e 3 prillit.

Më 3 prill, koalicioni që udhëheq Kamberi kishte marrë vetëm 226 vota nga 1.089 të mundshme në një vend pothuajse tërësisht me shqiptarë.

Për votimin e tij, të enjten ka bërë thirrje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Për dy mandate përfaqësimi z. Kamberi ka qenë gjithmonë i zëshëm gjatë seancave parlamentare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe në denoncimin e regjimit autokratik në Serbi. Ai e pati mbajtur fjalimin e parë në gjuhën shqipe në Kuvendin e Serbisë së pasluftës”, shkroi Kurti të enjten në Facebook.

Kamberi ishte deputet edhe në dy mandatet e kaluara dhe në shumë raste ngriti zërin për çështjet e shqiptarëve në Luginë, por edhe në Kosovë e më gjërë.

Rezultati i rivotimit të së enjtes në qendrën numër 6 në Bujanovc, nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.