Përfaqësuesi i “Organizatës Politike”, Redi Muçi, ka thënë se do të luftojnë për ta kthyer mendësinë e shoqërisë shqiptare që Dita e Punëtorëve (1 maj) të mos festohet, por të protestohet për të kërkuar gjendje më të mirë të punëtorëve.
Muçi tregoi se më 1 maj do të organizojnë një protestë në Tiranë, e cila do të fillojë nga ora 11:00 për të kërkuar respektimin e të drejtave të punëtorëve.
“Edhe si organizatë politike çështjet e punëtorëve i kemi trajtuar gjithmonë, jemi përpjekur ta nxjerrim shoqërinë shqiptare nga mendësia e festimit të 1 Majit. Ta festojmë 1 Majin, ndërsa gjendja është e mjerueshme, të shoqëruar me vdekje në vendin e punës, punëtorët punojnë pa sigurime. Një situatë realisht e papranueshme prej 30 vitesh tani. Kjo gjendje duhet të ndryshojë dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është përmes angazhimeve. Mbi 300 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës në nëntë vjetët e fundit. Ndoshta edhe më shumë. Është e vështirë të gjenden të dhënat e sakta. Kryesisht në miniera dhe sektorin e ndërtimit. Në Shqipëri është ‘boomi’ i ndërtimeve të reja. Në këtë kontekst, 1 Maji është ditë simbolike, nuk është ditë që i zgjidh të gjitha. Por duhet ta kthejmë në diskurs për të kërkuar të drejtat e punëtorëve”, ka thënë Muçi në “Java Sonte Me Rronin”.
Muçi tutje u shpreh se sipas një hulumtimi që e ka bërë, paga mesatare në Shqipëri është vetëm 400 euro.
“Paga mesatare diku 400 euro, sipas një hulumtimi që e kam bërë. Samir Mane, njeriu më i pasur në Shqipëri, ka pasuri 1.2 miliardë dollarë. Një punëtor intelektual i cili merr një pagë mesatare dhe ka nisur punën që në 28 nëntor 1912, atëherë Mane do t’i fitonte për 48 orë ato që punëtori do t’i fitonte për 110 vite”, deklaroi Muçi.
Një çështje tjetër problematike në Shqipëri, sipas aktivistit politik, është edhe dëshira e të rinjve për t’u larguar nga vendi.
“Mosvlerësimi në vendin e punës është arsyeja kryesore pse të rinjtë duan të ikin. Dhe këtu prapë kthehemi te çështja 1 Majit”, ka thënë Muçi, i cili bëri të ditur se më 1 Maj do të marshojnë nga sheshi “Skënderbeu” e deri te objekti i Kryeministrisë në Tiranë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.