Arbëri

Komunave u ndalohet qasja e kundërligjshme në xhirimet e kamerave të sigurisë

Kamerat - vëzhgimi - Ligji për Privatësi
 

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka inspektuar kamerat e vëzhgimit të cilat janë të vendosura nga komunat e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Graçanicës, dhe ka konstatuar se në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, tri nga këto komuna kanë qasje në xhirimet e kamerave të sigurisë. Komunat janë të obliguara që qasjen në xhirime t’ia kalojnë Policisë

34 kamera të vëzhgimit nëpër hapësira publike i ka të vendosura Komuna e Prishtinës nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te sheshi “Adem Jashari”, porse qasja e Komunës në to është në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, ka konstatuar Agjencia për Informim dhe Privatësi me anë të vendimeve të marra muajin e kaluar.

Pas inspektimeve të kryera në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës dhe Graçanicës, Agjencia ka gjetur se vetëm në Gjilan përmbajtja nga kamerat është nën kontrollin e Policisë së Kosovës, siç kërkohet me ligj.